Presidenti amerikan Donald Trump tha se donte t’i jepte vetes Medaljen e Nderit të Kongresit pas një vizite në Irak në vitin 2018 gjatë mandatit të tij të parë.
“Vendosa të shkoj në Irak. Isha jashtëzakonisht i guximshëm. Aq i guximshëm në fakt sa doja t’i jepja vetes Medaljen e Nderit të Kongresit”, u tha Trump mbështetësve të tij, duke folur në një tubim mbi ekonominë në Xhorxhia.
“U thashë njerëzve të mi, a më lejohet t’i jap vetes Medaljen e Nderit të Kongresit? Dhe e dini, u kam dhënë kaq shumë djemve që janë vërtet të guximshëm. Dua të them, ata vijnë dhe u mungojnë krahët, u mungojnë këmbët. Historitë e tyre janë kaq të pabesueshme. Dhe thashë se është pak e tepruar nëse i jap vetes një”, vazhdoi ai, raporton Telegrafi.
Presidenti dhe zonja e parë Melania Trump bënë një vizitë surprizë tek trupat amerikane në Bazën Ajrore Al Asad më 26 dhjetor 2018 gjatë mandatit të tij të parë si president.
Gati një vit më vonë, ai vizitoi trupat amerikane në Afganistan.
Trump iu bashkua paraardhësve të tij, ish-presidentëve Barack Obama dhe George W. Bush, në vizitat si në Irak ashtu edhe në Afganistan gjatë mandateve të tyre.
SHBA-të tërhoqën forcat e tyre ushtarake nga Afganistani në vitin 2022 nën drejtimin e ish-presidentit Biden.
Ndërkohë, vazhdojnë të operojnë baza ushtarake në Irak.
“Një ditë do ta provoj. Do ta vë në provë ligjin”, deklaroi Trump.