Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi se ai dhe presidenti amerikan Donald Trump kanë diskutuar për situatën “e patolerueshme” në Gaza, duke theksuar nevojën urgjente për një armëpushim dhe për dërgimin e ndihmave humanitare.
“Duhet të arrijmë në një armëpushim dhe të sigurojmë hyrjen e ndihmës humanitare,” është shprehur Starmer, duke shtuar se pa rolin e Trump, nuk do të ishte e mundur të arrihej një zgjidhje. Ai nënvizoi se kanë diskutuar edhe për planin se çfarë do të ndodhë në Gaza pas armëpushimit.
Më pas, një gazetar e pyeti Trumpin për komentet e tij se Hamasi po vjedh ushqime dhe ndihma – duke e pyetur se çfarë përgjegjësie ka Izraeli në kufizimin e ndihmës në këtë rajon.
Trump u përgjigj se “Izraeli ka shumë përgjegjësi” për këtë situatë, por shtoi se ata janë të “penguar” nga fakti që 20 pengje ende mbahen nga Hamasi. Sipas tij, populli izraelit është shumë i shqetësuar për fatin e këtyre pengjeve.
Në këtë pikë, Starmer ka shtuar se “duhet të nxjerrim pengjet”, duke e cilësuar si pikën fillestare për çdo zgjidhje të mundshme.