Trump dhe presidenti kolumbian Petro ulen për herë të parë përballë njëri-tjetrit, takimi pa shumë bujë në Shtëpinë e Bardhë - Gazeta Express
string(123) "trump-dhe-presidenti-kolumbian-petro-ulen-per-here-te-pare-perballe-njeri-tjetrit-takimi-pa-shume-buje-ne-shtepine-e-bardhe"

Lajme

Gazeta Express

03/02/2026 22:25

Trump dhe presidenti kolumbian Petro ulen për herë të parë përballë njëri-tjetrit, takimi pa shumë bujë në Shtëpinë e Bardhë

Lajme

Gazeta Express

03/02/2026 22:25

Pas një periudhe përplasjesh dhe shkëmbimi akuzash në rrjetet sociale, presidenti i SHBA-ve Donald Trump dhe homologu i tij kolumbian, lideri i majtë Gustavo Petro, u takuan sot për herë të parë, në një takim të mbajtur larg vëmendjes mediatike.

Ndryshe nga praktika e zakonshme, Trump nuk ftoi gazetarët në Zyrën Ovale për këtë takim. Shtëpia e Bardhë publikoi vetëm dy fotografi në platformën X, ndërsa autoritetet në Bogota shpërndanë disa pamje, përfshirë edhe shtrëngimin e duarve mes presidentit republikan dhe ish-guerrilasit që sot drejton Kolumbinë.

Në takim morën pjesë gjithashtu nënpresidenti amerikan J.D. Vance, sekretari i Shtetit Marco Rubio, si dhe ministrat kolumbianë të Mbrojtjes dhe të Jashtëm, Pedro Sánchez dhe Rosa Villavicencio. Nuk është bërë e ditur kohëzgjatja e bisedimeve.

Takimi vjen në një klimë të ndërlikuar rajonale, pas zhvillimeve të fundit në Venezuelë, ku administrata Trump ka ndërmarrë veprime të forta, duke deklaruar synimin për të ndikuar drejtpërdrejt në vendimmarrjen e Karakasit, veçanërisht në sektorin e naftës.

Operacioni ushtarak amerikan në Venezuelë më 3 janar kishte nxitur reagime të ashpra nga Petro, i cili fillimisht kishte deklaruar se “do të merrte sërish armët” kundër Uashingtonit, deklaratë që u pasua nga një kundërpërgjigje po aq e ashpër nga Trump. Megjithatë, më pas toni publik mes dy liderëve u zbut ndjeshëm.

Trump, me ironi, deklaroi se Petro “është bërë shumë i sjellshëm muajt e fundit”, duke parashikuar një “takim të mirë” mes tyre.

Tensionet nisën të bien më 7 janar, kur dy presidentët zhvilluan bisedën e parë telefonike. Kolumbia ndërmori gjithashtu disa hapa të konsideruar si gjeste vullneti të mirë, përfshirë rifillimin e fluturimeve të riatdhesimit të emigrantëve nga SHBA-të me avionë kolumbianë, pas një ndërprerjeje tetëmujore.

Bogota pranoi gjithashtu rifillimin e spërkatjes me glifosat të plantacioneve të kokës, një praktikë e braktisur që prej vitit 2015 për arsye shëndetësore dhe mjedisore. Vetë Petro kishte qenë një kritik i ashpër i kësaj metode gjatë kohës që ishte senator.

Sipas pritshmërive, takimi i sotëm u fokusua kryesisht në trafikun e drogës. Kolumbia mbetet prodhuesi më i madh i kokainës në botë, ndërsa SHBA-të janë konsumatori kryesor. Për dekada, Uashingtoni ka financuar me miliarda dollarë forcat e sigurisë dhe shërbimet e inteligjencës kolumbiane për të luftuar trafikun e narkotikëve.

Megjithatë, që nga ardhja në pushtet e Petros, prodhimi dhe eksporti i kokainës janë rritur, çka çoi në vitin 2025 në vendimin e SHBA-ve për ta hequr Kolumbinë nga lista e vendeve “aleate” në luftën kundër drogës. /Panorama

Advertisement
Advertisement
Advertisement