Trump: Besoj se Putini është i gatshëm të arrijë marrëveshje - Gazeta Express
string(59) "trump-besoj-se-putini-eshte-i-gatshem-te-arrije-marreveshje"

Lajme

Gazeta Express

14/08/2025 17:27

Trump: Besoj se Putini është i gatshëm të arrijë marrëveshje

Lajme

Gazeta Express

14/08/2025 17:27

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se beson që homologu i tij rus, Vladimir Putin, do të arrijë një marrëveshje dhe se kërcënimi për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë me gjasë ka luajtur rol në Moskë që të zhvillohet takimi.

Trump është paraparë të takohet me Putinin në Alaskë të premten. Presidenti amerikan tha se nuk është i sigurt nëse mund të arrihet një armëpushim i menjëhershëm në luftën në Ukrainë, por shprehu interes që të ndërmjetësojë një marrëveshje paqeje.

“Unë besoj tani se ai është bindur që do të arrijë një marrëveshje, ai do të bëjë marrëveshje. Mendoj se do ta bëjë këtë, por do ta shohim”, tha Trump në një intervistë për Fox News Radio.

Më herët gjatë ditës, Putini tha se Shtetet e Bashkuara po bëjnë “përpjekje të sinqerta” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe sugjeroi që Moska dhe Uashingtoni mund të bien dakord për një marrëveshje për armët bërthamore, si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të forcuar paqen.

Gjatë intervistës për Fox News, Trump po ashtu e përmendi se ai ka tri vende në mendje për një takim pasues me Putinin dhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, megjithëse tha se nuk është e garantuar që ky takim i dytë do të mbahet.

“Në varësi të asaj që ndodhë me takimin tim, do t’i telefonoj presidentit Zelensky dhe le ta sjellim aty ku do të takohemi”, tha Trump.

Më 13 gusht, udhëheqësit evropianë dhe Zelensky zhvilluan një video-konferencë gjatë së cilës ata i kërkuan Trumpit që t’i bëjë presion Putinit për paqe në Ukrainë.

Pas kësaj bisede, Trump paralajmëroi Rusinë për “pasoja shumë të rënda” nëse nuk ndalet lufta në Ukrainë.

Takimi mes Trumpit dhe Putinit synon gjetjen e një rruge drejt përfundimit të luftës në Ukrainë që ka nisur mbi tre vjet e gjysmë më parë. Trump ka thënë se të dyja palët do të duhet të shkëmbejnë territor për të ndalur luftime të ashpra që kanë shkaktuar dhjetëra mijëra viktima nga të dyja palët dhe kanë detyruar miliona ukrainas që të zhvendosen.

Uashingtoni duket se po përgatit Kievin dhe Moskën për kompromiset e mëdha për të përfunduar luftën, teksa nënpresidenti amerikan, JD Vance, paralajmëroi se çdo marrëveshje paqeje do të lërë të dyja palët “të pakënaqura”.  /REL/