Trump arrin në samitin e NATO-s teksa aleatët zotohen për rritje të shpenzimeve në mbrojtje - Gazeta Express
string(91) "trump-arrin-ne-samitin-e-nato-s-teksa-aleatet-zotohen-per-rritje-te-shpenzimeve-ne-mbrojtje"

Lajme

Gazeta Express

24/06/2025 23:14

Trump arrin në samitin e NATO-s teksa aleatët zotohen për rritje të shpenzimeve në mbrojtje

Lajme

Gazeta Express

24/06/2025 23:14

Presidenti amerikan, Donald Trump ka arritur të martën në Holandë për të marrë pjesë në samitin e NATO-s, teksa aleatët evropianë zotohen për rritje të konsiderueshme të shpenzimeve për mbrojtje.

Trump ka qenë kritik ndaj anëtarëve të NATO-s ndër vite, duke i akuzuar aleatët evropianë se kanë përfituar falas nga shpenzimet amerikane në mbrojtje, dhe madje i ka rritur dilemat për një tërheqje amerikane nga aleanca.

Ai u ka kërkuar aleatëve që të shpenzojnë 5 për qind të bruto prodhimit të brendshëm (GDP) në mbrojtje, një rritje e konsiderueshme prej targetit prej 2 për qind të vendosur më 2014.

Në një draft të komunikatës së samitit përmendet përkushtimi për Artikullin e Pestë të paktit të mbrojtjes dhe që vendet anëtare do t’i rrisin shpenzimet për mbrojtje në 5 për qind deri më 2035.

Kjo shumë do të ndahet në dy kategori – 3.5 për qind për shpenzime në pajisje tradicionale për mbrojtje, sikurse aeroplanët luftarakë, tanket dhe raketat, dhe 1.5 për qind për “qëndrueshmëri”, që mund të përfshijë edhe sigurinë kibernetike.

“Evropa do të paguajë SHUMË, ashtu siç duhet, dhe kjo do të jetë falë jush”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte në një letër dërguar Trumpit, të cilën presidenti amerikan e ka publikuar në rrjete sociale, pak para se të nisej nga Uashingtoni për në Hagë.

“Po tentojmë të përmbushim pjesën tonë”, thotë Kallas

Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se samiti në Hagë e ka “një temë dhe ajo ka të bëjë me shpenzimet më të mëdha, 5 për qind”.

Ajo ka thënë se nëse shtetet shpenzojnë më shumë në mbrojtje, ato do të mund të rrisin mbështetjen për Ukrainën, e cila ka tre vjet që përballet me pushtimin rus.

Kallas ka thënë se nga ndihma për Ukrainën përfiton mbrojtja e çdo vendi anëtar, duke përmendur se Bashkimi Evropian e ka rritur mbështetjen për Ukrainën këtë vit, në krahasim me një vit më parë.

“Po tentojmë të bëjmë më shumë. Natyrisht nuk mund ta mbushim hapësirën që e kanë lënë Shtetet e Bashkuara, mirëpo po tentojmë të përmbushim pjesën tonë”.

Shtetet e NATO-s pritet që ta përfshijnë edhe ndihmën ushtarake për Ukrainën – njëra prej temave të diskutimit në samit – në kuadër të përkushtimeve të tyre për rritje shpenzimesh.

Rritja e shpenzimeve për mbrojtje në 5 për qind të GDP-së nënkupton që shumë shtete evropiane do të detyrohen t’i zvogëlojnë buxhetet e ndara për përfitimet sociale dhe shërbimet publike, për të parandaluar rritjen e borxhit publik.

Spanja, e cila shpenzon të paktën 1.28 për qind të GDP-së në mbrojtje, vazhdon t’i rezistojë rritjes së konsiderueshme dhe ka kërkuar të jetë përjashtim në këtë vendim.

Më herët gjatë ditës, kryeministri britanik, Keir Starmer është zotuar për të përmbushur targetin e ri për shpenzime në mbrojtje, duke thënë se bota është bërë “më armiqësore”.

Ndërkohë Gjermania e ka miratuar të martën projektbuxhetin për vitin 2026, i cili përfshin përkushtime të fuqishme në shpenzimet për mbrojtje.

Gjermania, anëtarja më e madhe evropiane në NATO, ka shpenzuar më pak se 1.5 për qind në mbrojtje në dy dekadat e para të shekullit 21.

“Jemi duke bërë kthesë historike”, ka thënë ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, duke iu referuar rritjes së madhe në shpenzime të mbrojtjes.

“Pritjet e NATO-s dhe partnerëve tanë në NATO janë të mëdha ndaj Gjermanisë, dhe atë me të drejtë”, ka thënë mes tjerash ai. /REL