Trump akuzon Putinin se flet “budallallëqe” për Ukrainën - Gazeta Express
string(54) "trump-akuzon-putinin-se-flet-budallalleqe-per-ukrainen"

Lajme

Gazeta Express

08/07/2025 20:24

Trump akuzon Putinin se flet “budallallëqe” për Ukrainën

Lajme

Gazeta Express

08/07/2025 20:24

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka akuzuar homologun e tij rus, Vladimir Putin të martën se flet “budallallëqe” për Ukrainën, dhe është zotuar se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë më shumë armë për Kievin që ta mbrojë veten kundër pushtimit rus.

Në deklarimet e tij për media, Trump është shprehur i zemëruar me liderin e Kremlinit për çështjen e luftës së nisur nga Moska gati tre vjet e gjysmë më parë.

“Putini na godet me shumë budallallëqe, nëse dëshironi ta dini të vërtetën”, u ka thënë Trump gazetarëve pas një takimi të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë.

“Ai është shumë i mirë gjatë gjithë kohës, por kjo rezulton pa ndonjë kuptim”.

Trump e ka përsëritur se është “shumë i pakënaqur” me Putinin prej bisedës së tyre të fundit javën e kaluar që nuk ka rezultuar me përparim drejt një marrëveshjeje për dhënie fund të luftës, për çka presidenti amerikan avokon prej kthimit në pushtet.

I pyetur për interesimin e tij në një projektligj të Senatit për më shumë sanksione ndaj Rusisë, Trump ka thënë se është duke e vëzhguar me shumë interesim.

Kritikat e Trumpit ndaj Putinit kanë ardhur një ditë pasi ai ka thënë se do të dërgojë më shumë armë në Ukrainë, duke përmbysur kështu një njoftim të Uashingtonit javën e kaluar se do t’i ndalë disa dërgesa armësh.

“Putini nuk është duke i trajtuar siç duhet njerëzit. Ai është duke vrarë shumë njerëz. Prandaj ne do të dërgojmë armë për mbrojtje dhe unë e kam miratuar këtë”, ka thënë Trump.

Ai është zotuar për dërgim të menjëhershëm të 10 sistemeve Patriot në Ukrainë, sipas raportimeve të disa mediave amerikane.

Trump, po ashtu, i ka bërë thirrje shefit të Pentagonit, Pete Hegseth që t’i nxisë kontraktorët të rrisin prodhimin e armatimit.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL