Mund të imagjinohen vetëm diskutimet e nxehta që po zhvillohen pas dyerve të mbyllura në një mbledhje emergjente të kabinetit libanez këtë mëngjes, raporton BBC.
Vendimi i Hezbollahut për ta sulmuar Izraelin pas më shumë se një viti mosveprimi nga ana e tij është një burim i madh tronditjeje, zemërimi dhe shqetësimi për qeverinë dhe popullsinë.
Autoritetet kanë urdhëruar arrestimin e personave që lëshuan raketat dhe nxitësve të tyre.
Me Hezbollahun që njofton hapur se qëndron pas operacionit, nuk ka dyshim për identitetin e “nxitësve”.
Megjithëse autoritetet në Liban kanë filluar zbatimin e një plani për çarmatosjen e Hezbollahut, ato kanë adoptuar një politikë të butë ndaj grupit në muajt e fundit, duke përdorur dialogun dhe taktika përmbajtjeje, me qëllim që të shmangin çdo përballje në terren mes ushtrisë libaneze dhe Hezbollahut.
Kishte frikë se kjo mund të çonte në një luftë civile.
Por pas sulmeve të Hezbollahut dje dhe me vendin që gjendet përballë pasojave të një tjetër lufte të mundshme në shkallë të plotë, qeveria është nën presion më shumë se kurrë për të rishikuar taktikat dhe llogaritjet e saj.
Cilado qofshin opsionet me të cilat përballet qeveria sot, ato janë të gjitha jashtëzakonisht të vështira.