Trishtimi amshueshëm i të qenit pakicë - Gazeta Express
string(38) "trishtimi-amshueshem-i-te-qenit-pakice"

Trishtimi amshueshëm i të qenit pakicë

Arben Idrizi

13/04/2020 12:27

Komuniteti RAE ka përfunduar në gjendjen e trishtueshme të vetmisë dhe heshtjes. Jo pse ne sot jemi në kohë krize, si e gjithë bota, por sepse ne përherë jemi në kohë krize karshi tyre. Sidoqoftë, a nuk manifestohen më së qarti vlerat njerëzore pikërisht në vështirësi?

Një prej parimeve themelore të demokracisë – dhe në të vërtetë një prej të mirave më të mëdha të saj – është kujdesi ndaj komuniteteve pakicë, sidomos atyre të rrezikuara. Komunitetet etnike, gjuhësore, seksuale, kategoritë e caktuara shoqërore. Demokracitë më ideale i vënë në radhë të parë pikërisht këto komunitete.

Lexo Edhe:

Kështu duhet të jetë edhe te ne – kështu po ashtu nuk është gjithkund. Nuk ka pengesa ta pakapërcyeshme për ta bërë këtë. Në të vërtetë, pengesa kryesore është gatishmëria, vullneti njerëzor.

Komuniteti më i rrezikuar te ne është ai rom, ashkali dhe egjiptian.

Sot, në vlugun e pandemisë, ky komunitet është përsëri dhe edhe më shumë i lënë anash, i injoruar. Edhe pse në parim thuhet se mund të përfitojnë nga pakot qeveritare për ndihmë në kohë krizash si kjo, ata nuk mund të përfitojnë në praktikë. Për shkak se, ndër të tjera, që në zanafillë ata janë lënë anash, injoruar. Nuk u janë ofruar mundësitë pothuajse as minimale të integrimit. Pa arsimim dhe pa punësim.

Është gati si të mos ishin të dukshëm. Kështu i trajton shteti në këtë rast. Ata që shihen, NE, marrin; ata që nuk shihen, nuk kanë si të marrin. Sipas të gjitha raporteve të deritanishme të organziatave që e monitorojnë gjendjen e tyre, nuk u është ofruar as kujdesi minimal higjienik, të cilin e kanë të mangët edhe atëherë kur për ne është kohë normale.

Është e trishtueshme të jesh komunitet pakicë, në një vend ku je i padëshiruar, i injoruar, i përçmuar dhe madje edhe i nëpërkëmbur.

Është shumë e trishtueshme edhe si individ në vete e për vete, edhe si anëtari i grupit.

Në këtë rast, është e trishtueshme të jesh i padukshëm, i pa vënë re. Të shohësh e të mos shihesh. Të ndjesh e të mos ndihesh. Të vuash e të mos vuhesh. Të ulërish nga dhimbja e të mos dëgjohesh nga dhembshuria. Të të thuhet se je i barabartë, duke të të mbuluar me rrjetën e indiferencës. Të ri-izolohesh në mjerimin ekzistencial, i braktisur në brakstisje.

Komuniteti RAE ka përfunduar në gjendjen e trishtueshme të vetmisë dhe heshtjes. Jo pse ne sot jemi në kohë krize, si e gjithë bota, por sepse ne përherë jemi në kohë krize karshi tyre. Sidoqoftë, a nuk manifestohen më së qarti vlerat njerëzore pikërisht në vështirësi?