Trinomi: Shtet, Kushtetutë, Gjykatë Kushtetuese - Gazeta Express
string(44) "trinomi-shtet-kushtetute-gjykate-kushtetuese"

Trinomi: Shtet, Kushtetutë, Gjykatë Kushtetuese

Gazeta Express

18/05/2020 15:09

Shteti i Kosovës, Kushtetuta e këtij shteti dhe Gjykata Kushtetuese, janë një trinom i cili funksionon si tërësi. Kur bie njëra, bien të tretë. Këtë duhet ta dinë të gjithë politikanët e Kosovës.

Shkruan: Blerim Shala

Lexo Edhe:

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, së paku sipas Komunikatës për media të instancës më të lartë juridike të Kosovës, bazuar në Vendimin për pezullimin e Dekretit të Presidentit Thaçi  (të 30 prillit), i cili nominonte Avdullah Hotin për Kryeministër të ri të Qeverisë së Kosovës, do të duhej të shpallë Akt-Gjykimin për validitetit legal, kushtetues të këtij Dekreti, jo më vonë se me 29 maj.

Vetë ky Akt i Gjykatës Kushtetuese, pra, i pezullimit të Dekretit, i dha pak kohë, disa javë më sakt, një ’oksigjeno-terapi’ (me këtë fjalorin mjekësor aktual) skenës politike të vendit, tej mase të tensionuar për shkaqe të njohura.

Vendimi i kësaj Gjykate, cilido që do të jetë, pritet të ofrojë qartësinë finale për situatën politike dhe kushtetuese në vend, të shkaktuar pas Mocionit të mosbesimit për Qeverinë e Kryeministrit Kurti, të 25 marsit të këtij viti.

Ose pra do të konstatohet që Mocioni i këtillë tërheq automatikisht me vete shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës  (të cilin duhet ta bëjnë partitë dhe deputetët e Kuvendit, Presidenti në fund vetëm e konstaton këtë fakt politik dhe legal), dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare;

Ose do të pohohet që Kosova në këtë rast, nuk duhet domosdoshmërisht të shkojë në zgjedhje të reja, apo që Kuvendi i Kosovës, ka kapacitet të plotë legal dhe politik për ta krijuar një Qeveri të re, me atë shumicën prej së paku 61 deputetëve të tij.

Procedurat e krijimit të Qeverisë në këtë kontekst janë definuar goxha në detale me Akt-Gjykimin e Gjykatës Kushtetuese të verës së vitit 2014.

Në te dy rastet, në te dy Verdiktet e Gjykatës Kushtetuese, do të duhej të ndodhte shtensionimi i plotë politik në vend.

Pra, në atë variantin e parë, do të mund të ndërtohej qetë dhe me maturi procesi përgatitor për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, duke caktuar kohën e vetë-shpërndarjes së Kuvendit  (siç zatën ndodhi gati para një viti), dhe duke u dakorduar me Presidentin e Kosovës për datën e zgjedhjeve  (e cila lidhet drejtpërdrejtë me aktin e vetë-shpërbërjes së Kuvendit, sepse jo më vonë se 45 ditë pas këtij veprimi të deputetëve duhet të organizohen zgjedhjet e reja në vend).

Në variantin e dytë, do të duhej të krijoheshin rrethanat për një tranzicion të qetë dhe të rregullt të pushtetit prej Qeverisë aktuale kujdestare të Kosovës, në Qeverinë e re, e cila ka për mandatar të vetin Avdullah Hotin, nëse natyrisht përbërja e re e Qeverisë do ta merr atë shumicën e domosdoshme parlamentare.

Në teori pra, së paku, gjërat janë tepër të qarta. Gjykata Kushtetuese është arbitri final kushtetuese në vend. Verdiktet e saja nuk kontestohen. Deri më tash së paku, përvoja e jonë si shtet në këtë aspekt është shembullore, mbase, më e mira në rajon. Dy Presidentë kanë pësuar në vijim të Akt-Gjykimeve të saja, është invaliduar zgjedhja e një Kryetari të Kuvendit, është qartësuar procedura e krijimit të një Qeverie.

Megjithatë, ditëve të fundit, duket që kanë dalë në shesh dyshimet e qarta të subjektit që i prinë Qeverisë së Kosovës, Lëvizjes ’Vetëvendosje’, se cili do të jetë reagimi i saj nëse Verdikti i Gjykatës Kushtetuese nuk do të jetë në përputhje me pritjet e Kryeministrit në detyrë dhe të kolegëve e bashkëpunëtorëve të tij.

Kjo veçmas u kuptua nga prononcimi për media i para disa ditëve i Ministres së Drejtësisë së kësaj Qeverie, e cila e relativizoi këtë relacionin e saj dhe të subjektit që i prinë Qeverisë, me Gjykatën Kushtetuese dhe Verdiktin e saj, duke e lidhur këtë relacion final me vet përmbajtjen e këtij Akti-Gjykimi.

Ky është një qëndrim i paprecedent në politikën kosovare dhe në historinë e demokracisë parlamentare të vendit.

Shteti si i tillë, sipas Koventës së Montevideos  (të vitit 1933), duhet të ketë një popullatë të përhershme, një teritor të definuar, qeverinë e vet, dhe kapacitet për të hyrë në relacione me shtetet e tjera.

Shteti natyrisht, ka edhe simbolet e veta: Flamurin, stemën, hymnin. Kjo është ajo ana e jashtme, nëse mund të thuhet, që ofron dinjitet për qytetarët dhe që kërkon respekt prej të gjithë neve.

Por organizimi i shtetit, sistemi qeverisës, kodifikohen me atë anën e brendshme, e cila njeh Kushtetutën e atij shteti si dokumentin themelor të tij.

Procedurat e miratimit dhe të ndryshimit të saj gjithmonë janë të veçanta, dhe aty kërkohet një konsensus sa më i gjërë, i cili nuk përjashton as mbajtjen e Referendunit.

Megjithatë, kur një Kushtetutë miratohet, dhe derisa të mos amandamentohet dhe ndryshohet ajo, i vetmi autoritet që ka mandat dhe është i thirrur ta bëjë interpretimin e Kushtetutës së një shteti, është Gjykata Kushtetuese  (ose Gjykata Supreme në rastin e SHBA-së).

Askush tjetër nuk e ka këtë të drejtë.

Njohja dhe respektimi i shtetit tënd, siç është rasti me ne, në shtetin e Kosovës, nuk mund të jetë parciale dhe as e kohë pas kohshme, duke shfaqur ta zëmë respektin për flamurin dhe hymnin, por duke mos e njohur dhe pranuar çdo nen të Kushetutës së vendit, kështu siç është, apo duke i vënë nën pikëpyetje Akt-Gjykimet e Gjykatës Kushtetuese.

Nëse mohohet një Akt i Gjykatës Kushtetuese, kjo do të thotë që realisht, ti nuk e njeh dhe nuk e pranon as Kushtetutën e shtetit, dhe së fundit, konkludimi që mund të nxjerret në këtë rast është që mosnjohja e Gjykatës Kushtetuese dhe e Kushtetutës së vendit, tërheq me vete edhe konstatimin e relacioneve shumë problematike me vet atë shtet, pra, me vet shtetin e Kosovës.

Situata këtu është shumë e qartë, dhe të kujton atë silogjizmin e famshëm për Sokratin, njerëzit dhe vdekshmërinë e një njeriu, duke përfshirë edhe Sokratin.

Për këtë shkak pra, e gjithë skena politike kosovare, kjo që është, me shumë të meta të cilat zatën janë shkaktarët kryesorë të problemeve dhe sprovave me të cilat po përballemi përditë, do të duhej të kishte një qëndrim absolutisht të qartë dhe konsensual për sa i përket raportit të saj me Gjykatën Kushtetuese dhe me Vendimet e saj në një të ardhme të afërt.

Kjo nuk është çështje për debat politik. Për analiza dhe vlerësime të opinionistëve.

Këtu së paku të gjithë duhet të jemi parimor.