Shkruan Edison Ypi
Në një qoshe të Gorës, ndodhet Zboqëria. Në qoshen e qoshes ku struket Zboqëria, ndodhet Maliqi.
Ujqit, dhelprat, lepujt, zogjtë, gjarpërinjtë, duke ecur, zvarritur a fluturuar, hyjnë e dalin në Zboqëri nga u do qejfi. Njerëzit hyjnë e dalin në Zboqëri me makinë ose më këmbë nga Maliqi ose nga Sovjani. Të hyjnë e dalin nga të duan ujqit dhe zvarranikët. Unë dhe Kallauzi im jemi nisur ta eksplorojmë Zboqërinë me makinë nga Maliqi i ëmbël dhe maliqarët e kripur
Pak mbi të 30-at, serioz, i sjellshëm, i kujdesshëm, kallauzi im nëpër Zboqëri, Stilian Belishta, marrëzisht i dashuruar pas vendit të vet, të mahnit me dijenitë e thella për Zboqërinë dhe Shqipërinë, historinë, gjeografinë, gjuhën, botanikën, zoologjinë, traditën, folklorin e tyre. Pak minuta pasi kemi lënë pas Maliqin, mirëseardhjen në Zboqëri nuk na e uron ndonjë skile apo ndonjë zvarranik, por hiç më pak se një shkabë. Shkabë në Zboqëri?! Shkaba ka në veri, jo në Zboqëri. Shkaba që po na pret dhe përshëndet mbi degën e një druri të thatë anës udhës, me të na parë, rreh krahët e fluturon e lehtë dhe e lirë nëpër qiejt e Zboqërisë mes reve të vjeshtës si çarçafë të zhubrosur pas dashurisë.
Rrugë e ngushtë e paasfaltuar, por me taban të fortë. Asnjë metër asfalt, as normal, as elektoral s’kanë parë kurrë me sy rrugët e Zboqërisë. Duken vetëm gjurmët e një ishkalldrëmi ku gurët e vjedhur duken si dhëmbë të shkulur. Duke vajtur për Beras s’të zë syri frymë njeriu. Pak kilometra përtej malit, në Sovjan, Pirg, Zvirinë, Veliternë, ka me qindra vila dhe mijëra shtëpi të reja. Në tërë Zboqërinë ndodhet vetëm 1 vilë e vetme mbi një bregore pa asnjë shenjë jete brenda.
Berasi një grusht shtëpi të braktisura. Majtas-djathtas tutje-tëhu ca parcela të pluguara që presin të mbillen me grurë. Larg, një tufë dele mbi një pllajë. Për me vajt në Zboq, që është kryeqyteti i Zboqërisë, për shkak se rrugët që kanë lidhur fshatrat janë bërë të pakalueshme nga mospërdorimi, duhet të kthehemi ca kilometra mbrapsht. Zboqëria është një tas i thellë natyror me diametër nja tre a katër kilometra. Fshatrat e mëdhenj dhe të rëndësishëm të këtyre anëve, populluar kryesisht nga vllehë, Llënga, Lenia, Strelca, Grabova, Voskopoja, edhe ata tasa janë. Katundet e Zboqërisë, Beras, Zboq, Këmbëthekër, Memël, Manastirec, Bubuq janë katandisur nga një grusht shtëpish pranë e pranë me njëra-tjetrën si breshka ose dele që janë mbledhur e mërzejnë kokë më kokë nga një vapë inekzistente. Fshatrat e vegjël strukur në faqet e tasit duken si kafshata të mbetura të një përsheshi ciklopik me kos ngrënë me ngut. Përmes tasit kalon një përrua i thatë, edhe në nëntor. Kallauzi im erudit tregon pafund për evente historike, iniciativa patriotike, kapedanë trima, komitë, çeta, luftëra, Teqera, Vakëfe, vakira. Zboqi duket më i mbajtur se katundet e tjerë. Ka ende ca gardhe pa shkulur, ca mure pa shembur, ca vreshta pa sharruar.
Halli se, për momentin, në Zboq ndodhet 1 njeri i vetëm. Një Zonjë që merret me punët e shtëpisë, bagëtinë, administrimin e oborrit. Zonja gorare gatuan shumëçka. Edhe byrek. Por pa saç. Burri ka vajtur me bagëti. Brenda tasit, por diku larg ku prej këtu nuk duket me sy.
Sillemi nëpër Zboq
Kallauzi vazhdon rrëfen për një gur të shenjtë që rri varur prej shekujsh në një majë mali diku më tutje, në Manastirec, ku makina nuk arrin. Për shenjtërinë e vakëfeve, ku, po të shpëtoi ndonjë fjalë e tepërt, të mpihen përgjithmonë gjymtyrët, ose ta le shëndenë mendja. Tek kthehemi nga Zboqi na dalin përballë një zotni dhe dy gomerë. Ne përposhtë. Zotniu përpjetë. Zotniu më këmbë. Njëri gomar ngarkuar. Tjetri gomar pa samar.
Sizifi i paepur që po ngjitet për në Zboq është një mesoburrë shpirt njeriu me pamje prej fisniku. Llafoset ngadalë. Me zë disi të lodhur. Me fjalë të zgjedhura të shqiptuara qartë. Fjali të lidhura mirë. Thotë se ishte në Korçë, ku bleu disa gjëra. “Gjërat” që Zboqaraku fisnik ka blerë në Korçë dhe i ka ngarkuar mbi gomar, janë kuintesenca e mbijetesës rurale shqiptareske. Oriz, sheqer, kripë, sapun, patate, ilaçe, mushama, pesticide.
Zotniu i Zboqit është thelbësisht i brengosur. Nis e rrëfen një mesele të vjetër kur u mor vesh se një i oxhakut të tij i kishte rënë më qafë pa të drejtë dikujt të një oxhaku tjetër. Teqeja e mallkoi 7 herë fajtorin e zënkës historike. Bashkë me fajtorin, edhe krejt fisin.
Serioziteti, qartësia, gjakftohtësia, dialekti mahnitës, zëri me kumbim pothuajse divin me të cilën zboqoti me gomar rrëfeu mallkimin e shtatëfishtë mbi krejt fisin për sebep të njërit, ishin frikshëm magjepsës, diçka që s’mund të rrëfehen. Gomari tjetër, një gomaricë e shkathët pa samar, vjen rrotull e rrotull vendit ku kemi ndalur.
Thagmat e zboqarakut s’kanë fund. Thotë se gomarica çapkëne pa samar që s’i zë vendi vend, ende nuk e ka moshën për samar. E merr me vete në Maliq e gjetkë ngaqë për qamet nuk duron e lidhur në stallë ose në oborr. Dhe çudia e çudirave: Pulishti femër zevzeke pa samar nuk është kërriç dosido. Është gomaricë race. Ka dalë nga ndërzimi i një gomarice shqiptare me një gomar italian. Duke zbritur, kallauzi me pamje dhe qëndrim krenar si Salvador Dalì, rrëfen për evente historike lidhur me Zboqërinë: Ndërtimi i Teqesë se Memëlit në shekullin e XIV.
Pjesëmarrja në Lidhjen e Prizrenit më 1878, ku morën pjesë Kajo Bajieni dhe Fehim Zboqi. Krijimi në Zboq i Nënkomitetit të Fshehtë Krahinor për çlirimin e Shqipërisë më 28 mars 1906. Pjesëmarrja në mitingun për Mbrojtjen e Shkronjave në Korçë më 1910. Luftimet pranë Korçës për Pavarësi më 1912.
Hapja e shkollës së parë shqipe në fshatin Këmbëthekër më 1913. E të tjera e të tjera meselera, vende, vakira, emra, data. Stiliani është dy herë bektashi nga mami dhe nga babi. Emrin Stilian ia vuri mami për mbarësi. Që kur të rritej t’i ngjante Fan Stilian Nolit. Pak më tutje, tjetër shkabë e arratisur mbi tasin bosh. Kallauzi im, një Tarzan i gjithëdijshëm dhe i pagabueshëm i këtyre anëve, di përmendësh krejt mikro-toponimet e zonës: Çuka e Asimit, Kroi i Ariut, Lëmi i Toles, Hija e Korbit etj.. Këmbëthekra një grusht shtëpi të braktisura mbledhur kruspull. Zboqëria e sotme kryesisht me dushqe dhe bokërrima, nuk ka pyje, drurë të lartë, ahe, pisha, bredha. Asnjë hije çlodhëse. Asnjë burim freskues. Asnjë lehje qeni. Asnjë tym oxhaku. Aq i shkretë është ky vend, sa duket sikur këtu koha nuk ka ndalur, por kurrë nuk ka filluar. E treta shkabë mbi kokat tona. Shyqyr që s’jemi dele e cjepër të na ngrerë me sqep e të na shqyej mbi ndonjë shkëmb. Duke u llafosur për shkaba, që u bënë tre dhe banorë që mbetën dy, një shkabë e katërt kalon tërthor rrugën. Por Stiliani që faunën qiellore e njeh në majë të gishtave, thotë se nuk është shkabë, është sorrë.
Tri shkaba, dy banorë.
Nëse dikujt i intereson, mund ta bëjë këtë ferr bosh muzeum ta popullojë me fantazmat e lodhjeve shekullore për liri dhe prosperitet. Bilanci rrënqethës i kësaj vizite në këtë vend të dashur, nuk ta mposht. Zbresim në një tatëpjetë. Duken që larg shtëpitë dhe vilat e Sovjanit. Në kthim, në Petrushë mora një të çmendur dhe të sakatuar. I çmenduri që i dukej vetja poet, sapo hipi në makinë nisi të recitojë vjersha për të vjellë. Ku kthen për Shën Marenë një banor lokal më tha me plot gojën se nuk është shqiptar, por safi serb. Pa vajtur tek Ura e Golikut, ndala te një mikro-market në natyrë ku mora një qese trahana Mokre dhe një kavanoz salcë që të mos vdes nga uria. Po s’janë të rëndësishme trahanatë dhe salcat që unë marr rrugëve. Unë jetoj edhe pa ngrënë.
E rëndësishme është se vërtet Zboqërinë e kanë zbrazur disa qindra, e kanë lënë qyqe. Por ka mbetur tharmi, ka mbetur Stilian Belishta, më i vlefshëm se të gjithë bashkë ata që kanë ikur. Ka mbetur eruditi që e ka të ngulur përgjithmonë në kokë se Atdheun nuk duhet me e dash’ vetëm kur ta blen votën, të vjedh dhe të lë të vjedhësh, ta bën jetën tavë dheje, aheng, tallava, por më së shumti kur të vret.