Java e 24-t në Superligën e Kosovës në futboll nis sot me tri ndeshje, të cilat do të zhvillohen të gjitha nga ora 13:00.
Në Gjilan, SC Gjilani do të jetë nikoqir i Drenicës, shkruan Gazeta Express.
“Skifterat” aktualisht renditen në vendin e pestë me 36 pikë, ndërsa skuadra nga Skenderaj gjendet në fund të tabelës me 22 pikë dhe kërkon me ngulm fitoren për t’u larguar sadopak nga zona e rrezikshme.
Në kryeqytet zhvillohet derbi lokal mes Prishtinës dhe Prishtinës së Re, dy ekipe me objektiva krejtësisht të ndryshëm.
Prishtina është në garë për titullin kampion dhe aktualisht mban vendin e tretë me 37 pikë, ndërsa Prishtina e Re lufton për mbijetesë dhe ndodhet në pozitën e parafundit me 22 pikë.
Ndeshja e tretë e ditës zhvillohet mes Malishevës dhe Ferizajt. Malisheva renditet në vendin e katërt me 37 pikë dhe synon një pozitë që siguron pjesëmarrjen në garat evropiane, ndërsa Ferizaj gjendet në vendin e tetë, që çon në barazh, me 23 pikë.