Arsenali thuhet se po prin në garën për anësorin e Newcastle Unitedit, Anthony Gordon, por për ta transferuar anglezin do të duhet të paguajë një shumë marramendëse.
Gordoni ka pasur periudha jo të qëndrueshme këtë sezon, por së fundmi ka qenë vendimtar për “Magpies”, duke shënuar katër gola në fitoren bindëse në ndeshjen e parë të “play-offit” të Ligës së Kampionëve ndaj Qarabagut.
I planifikuar të përfaqësojë Anglinë në Kupën e Botës gjatë verës, Gordon mund të ndryshojë ambient sezonin e ardhshëm, pasi gara për firmën e tij po intensifikohet.
Sipas “The Sun”, Arsenali përballet me konkurrencë nga Liverpooli dhe Manchester Unitedi, të cilat po e monitorojnë nga afër ish-lojtarin e Evertonit.
Dy vite më parë, Gordon ishte pranë rikthimit në Merseyside te klubi i fëmijërisë, Liverpool, kur Newcastle kishte nevojë të shiste lojtarë për arsye të rregullave financiare (PSR), por marrëveshja nuk u konkretizua pasi klubi shiti futbollistë të tjerë.
Pasi pranoi se ishte e vështirë ta “përpunonte” situatën, Gordoni nënshkroi kontratë afatgjatë me Newcastle.
Megjithatë, ai mbetet objektiv për tre klube të Premierligës, me Arsenalin që besohet se është në “pole position” dhe me lojtarin që është i hapur për një lëvizje drejt jugut.
Thuhet se trajneri Mikel Arteta është admirues i tij dhe mund ta aktivizojë në krahun e majtë, potencialisht në vend të Gabriel Martinelli.
Newcastle siguroi një shumë rekord për klubin prej 125 milionë paundësh për Alexander Isak gjatë verës dhe tani pritet të kërkojë rreth 95 milionë paund për Gordon.
25-vjeçari iu bashkua Newcastlet në vitin 2023 për 45 milionë paund, ndërsa një tarifë mes 75 dhe 80 milionë paundësh konsiderohet realiste për Arsenalin, sipas raportit.
Gordoni zakonisht luan në krahun e majtë dhe futet brenda në zonë, por kohët e fundit trajneri Eddie Howe e ka përdorur më shumë në qendër, me Yoane Wissa që ka hasur vështirësi dhe Nick Woltemade që përshtatet më mirë si lojtar pas sulmuesit kryesor.
Vetë Gordon i ka quajtur spekulimet “një tufë marrëzish”, ndërsa Howe e ka inkurajuar të qëndrojë i fokusuar te paraqitjet në fushë deri në fund të sezonit.
“Nuk jam i sigurt se ka shumë gjëra që mund të bëj për këtë,” tha Howe për “BBC”.
“Nuk e kam parë lajmin, kështu që është i ri për mua. Por jemi në mes të sezonit, në mes të disa prej ndeshjeve më të mëdha të karrierës së tij, dhe kush e di çfarë do të ndodhë ndërkombëtarisht me Anthonyn gjatë verës.
“Ai nuk ka kohë të shikojë majtas apo djathtas. Duhet të jetë plotësisht i fokusuar përpara, te ndeshja e radhës dhe të përpiqet të jetë sa më i mirë që mundet”, e mbylli ai./GazetaExpress/