Kampionia në fuqi, Trepça, e ka fituar derbin e xhiros së 11-të të Superligës së Kosovës në basketboll.
Të dielën mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, Trepça e mposhti Sigal Prishtinën me rezultatin 81:68.
Ndonëse dallimi në fund ishte 13 pikë, ndeshja ishte e hapur thuajse deri në aksionet e fundit. Ishin vendasit që kërkonin të barazonin rezultatin, por mitrovicasit me përvojë menaxhuan lojën deri në fund për t’u shkëputur në tabelën e klasifikimit.
Trepça tani udhëheq në tabelë me 20 pikë, një më shumë se Bashkimi që të shtunën u befasua nga Bora. Prishtina i ka 16 pikë në mesin e tabelës, sa edhe Peja. Golden Eagle Ylli është para këtyre dy skuadrave me 17 pikë.
Ndeshjen më mirë e nisën mitrovicasit, që çerekun e parë e fituan 22:13. Çereku i dytë ishte i barabartë, ndërsa Trepça në pushimin e gjatë ishte tetë pikë para, 41:33.
Prishtina reagoi në çerekun e tretë, të cilin e fitoi 21:16. Dhjetëminutëshi i fundit nisi me rezultatin 57:54 në të mirë të “xehetarëve”.
Prishtina u afrua në 63:61 por më pas mysafirët shfaqën dukshëm më tepër duke mos e rrezikuar fitoren.
Mikaile Tmushiq dhe Desmond Cambridge udhëhoqën Trepçën. Tmushiq i kishte 19 pikë, shtatë kërcime e katër asistime. Cambridge ndeshjen e përfundoi me 17 pikë e shtatë kërcime. Sammy Hunter i kishte 16 pikë e katër kërcime, ndërsa Drilon Hajrizi i realizoi 15 pikë.
Qua Grant ishte më efikasi te Prishtina me 27 pikë. Ai shtoi edhe gjashtë kërcime. Daniel Lekndreaj i realizoi 15 pikë, tetë kërcime e tri asistime. Damiree Burns i kishte 10 pikë e 11 kërcime, ndërsa Jon Ismajli kontribuoi me shtatë pikë e katër kërcime.
Në xhiron e 12-të, Trepça e pret Proton Cable Prizrenin, kurse Prishtina e luan derbin me Pejën në “Karagaçi”.