Trepça thotë se një pjesë e pronave janë uzurpuar, paralajmëron lirim - Gazeta Express
string(68) "trepca-thote-se-nje-pjese-e-pronave-jane-uzurpuar-paralajmeron-lirim"

Lajme

Gazeta Express

31/07/2025 6:51

Trepça thotë se një pjesë e pronave janë uzurpuar, paralajmëron lirim

Lajme

Gazeta Express

31/07/2025 6:51

Qe më shumë se 20 vjet, prona të ndërmarrjes “Trepça” vlerësohet se po shfrytëzohen nga operatorë privatë.

Të njëjtit nuk paguajnë as qira, derisa tatimi në pronë për disa prej tyre me vite të tëra i është faturuar Trepçës.

Nga kjo ndërmarrje thonë se momentalisht 5 prona të cilat janë strategjike për ta janë të uzurpuara.

Një nga to sipas ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Trepçës, Faton Ahmeti, është në Shupkovc të Mitrovicës, e cila po shfrytëzohet nga një operator privat.

Ahmeti thotë se dëmi që u është shkaktuar nga uzurpimi i pronave të tyre është i madh.

Sipas tij, nuk e kanë për synim dëmtimin e operatorëve ekonomikë, por siç shtoi, duhet të arrihen marrëveshje që të paguhen qira për pronat e tyre.

Megjithatë, nga kompania Xhafi e cila po e shfrytëzon pronën në Shupkovc thonë se të njëjtën e kanë blerë rreth viteve të 90-ta.

Ndërmarrja Trepça pati kërkuar nga gjykata që të vendosë masën e sigurimit. Kjo me qëllim që kompania të mos shfrytëzojë pronën pa u marrë një vendim rreth saj.

Megjithatë, RTK ka siguruar vendimin e Gjykatës Komerciale, e cila në korrik të këtij viti ka refuzuar vendosjen e masës së sigurisë.

Në aktgjykim thuhet se nuk ka argumente se nëse nuk caktohet masa e sigurisë kompania do të vështirësonte realizimin e kërkesës së ndërmarrjes Trepça, që mund të sjellë pasoja të pariparueshme ose të vështira për të kompensuar ndërmarrjen publike.

Nga Gjykata Komerciale kanë thënë për televizionin se padia për rastin do të trajtohet sipas radhës dhe prioritetit ligjor.

Trepça ka paralajmëruar se do t`i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme përmes njësisë së saj të sigurimit fizik që prona të vihet në menaxhimin e ndërmarrjes.