Klubi i basketbollit Trepça është i vendosur për ta fituar titullin e kampionit të Kosovës.
Mitrovicasit mezi po i presin 40 minutat e fundit të sezonit, të cilët do ta përcaktojnë edhe titullin e më të mirit, shkruan “Gazeta Express”.
“Xehetarët” do të ballafaqohen nesër mbrëma me Golden Eagle Yllin në ndeshjen e pestë dhe vendimtare finale të “play-offit” të Superligës së basketbollit.
Aktualisht, rezultati është i barabartë 2-2 me ndeshje dhe kampioni do të përcaktohet në palestrën e sporteve “Minatori” në Mitrovicë.
Klubi Gjelbër e Zi e kërkon mbështetjen e madhe dhe korrekte nga tifozeria “Torcida” në mënyrë që në fund të festojnë bashkërisht.
Trepça dështoi në momentet vendimtare dhe finale në dy sezonet e fundit në shtëpi, ndërsa këtë radhë është e vendosur për ta mbajtur trofeun e më të mirit në Mitrovicë.
Më poshtë mund ta lexoni postimin e klubit mitrovicas në Facebook. /Gazeta Express/