Partia Demokratike e Kosovës, përmes një postimi ka treguar se ‘‘me keqardhje dhe indinjatë të thellë’’, ka pranuar vendimin e ZRRE-së i cili ka refuzuar kundërshtimin e kësaj partie ndaj vendimit që ‘‘detyron’’ mbi 1300 biznese vendore të kalojnë në tregun e lirë të energjisë elektrike, gjë e cila sipas PDK-së vlerësohet si hap që rrezikon mijëra vende pune dhe cenon seriozisht stabilitetin ekonomik të vendit.
Nga kjo parti është shtuar edhe se, vendimi në fjalë është i padrejtë, joprofesional i njëanshëm, dhe po ashtu edhe politik, shkruan Gazeta Express.
‘‘ZRRE në shërbim të monopolëve, jo të qytetarëve – PDK nis betejën ligjore për drejtësi
13 qershor 2025 – Me keqardhje dhe indinjatë të thellë, Partia Demokratike e Kosovës informon opinionin publik se ka pranuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), i cili ka refuzuar kundërshtimin tonë administrativ dhe tërësisht legjitim ndaj vendimit të padrejtë që detyron mbi 1300 biznese vendore të kalojnë në tregun e lirë të energjisë elektrike – një hap që rrezikon mijëra vende pune dhe cenon seriozisht stabilitetin ekonomik të vendit.
Ky është një vendim thellësisht i padrejtë, joprofesional, i njëanshëm dhe skajshmërisht politik në thelb. ZRRE, që duhet të jetë një institucion në shërbim të qytetarëve dhe ekonomisë së vendit, ka zgjedhur t’i mbyllë sytë para pasojave katastrofike të këtij vendimi për sektorin privat – shtyllën kryesore të zhvillimit ekonomik dhe punësimit në Kosovë’’, thuhet në reagimin e PDK-së.
Më tej, nga PDK-ja është thënë edhe se ‘‘këtë betejë’’ ata do ta vazhdojnë në Gjykatë.
‘‘Ne e kemi ngritur zërin dhe do të vazhdojmë ta ngremë. Lufta jonë nuk ndalet me një letër refuzuese. Lufta jonë është për të drejtat e bizneseve që mezi mbijetojnë në një klimë të vështirë ekonomike. Lufta jonë është për punëtorët, për rrogat e tyre, për mirëqenien e familjeve të tyre. PDK njofton se këtë betejë të drejtë do ta vazhdojë në Gjykatë. Jemi të bindur se e drejta është në anën tonë dhe nuk do të ndalemi përballë asnjë institucioni që zbaton politika të dëmshme, pa ndjeshmëri sociale e pa përgjegjësi shtetërore’’, shtohet në reagim.
Në fund, nga kjo parti është deklaruar se zëri i tyre është edhe i 150 mijë punëtorëve të sektorit privat të cilët, ka theksuar PDK-ja, janë duket u përballur me rrezikun e humbjes së vendeve të punës.
‘‘Zëri ynë është zëri i më shumë se 150 mijë punëtorëve të sektorit privat, të cilët përballen sot me rrezikun e humbjes së vendeve të punës për shkak të faturave të papërballueshme të energjisë’’, përfundohet nga PDK. /GazetaExpress