Tregimtaria e Çapalikut dallon për një gjuhë të thjeshtë, të afërt me lexuesin - Gazeta Express
string(77) "tregimtaria-e-capalikut-dallon-per-nje-gjuhe-te-thjeshte-te-afert-me-lexuesin"

Tregimtaria e Çapalikut dallon për një gjuhë të thjeshtë, të afërt me lexuesin

Arte

Gazeta Express

05/07/2022 15:06

Proza e tij nuk përmban struktura të rënda, të ngarkuara me vargje atributive të gjata, as me rende predikative të ndërmjetuara e të ndërvaruara në largësi nga qendrat e organizimit sintaksor, por frazat, thëniet, paragrafi e teskti i tij në tërësi, brenda këtij romani, bie në sy për prurje dhe bashkërendim të njësive emërore, përdorim të elipsës dhe segmentimit të periudhave

Nga Tefë Topalli

Lexo Edhe:

Romani “Një engjëll veshë me frak” i dramaturgut dhe romancierit Stefan Çapaliku, pedagog i estetikës në AA dhe ndër anëtarët më të rinj të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, na vjen ndryshe nga lloji i narrativës së gjatë që ka lëvruar ai këta vitet e fundit; që nga ana formale prej shënimeve-klishe që vënë regjisorët kineastë e mjaft autorë të letërsisë, në ekspozenë e veprave të tyre, “për t’u shfajësuar” nga çdo përngjasim me persona apo ngjarje reale, nënvizuar këtu se përngjasimi “nuk është i rastësishëm”. Megjithatë, ai nuk ka hartuar biografi a regjistruar ngjarje, si kronikë qytetëse, por gjetja e tematikës dhe thurja janë shumë origjinale dhe romaneske, janë prurje në kohë (a të vonuara), që Shkodra i priste dhe pret të tjera, të dalin në dritë. Sepse, në një qytet  arti, letërsie dhe arsimi të hershëm e në ballë të zhvillimit të kulturës së një vendi: me gjimnaze reale e klasike, me kolegje të njohura në mbarë Europen – me mësime në gjuhë të huaj e në gjuhë amtare, sidomos – karakterizuar nga koha e vrullshme drejt oksidentit, krijohen kushte ku lindin drama e tragjedi, poema dhe epope, tregime e romane, pasi figurat e shquara në këta lëmenj i krijonin ato me jetën e veprimtarinë e tyre, në mënyrë të veçantë përgjatë shndërrimeve të thella politike e shoqërore.

Paslufta e gjeti Shkodrën me poetë e prozatorë, mjekë, profesorë dhe juristë të shkolluar në Europë, sportistë të shumë llojeve sporti që kishin lindur në këtë qytet para gjysmë shekulli e, mbi të gjithë, përkthyes të veprave e kryeveprave botërore, nga “Iliada”, “Komedia Hyjnore” e “Fausti”, “Manzoni” e “Molieri” etj., ashtu siç ishte në prag e gjatë Luftës II Botërore. Nuk kishte munguar as arti muzikor në këtë qytet, që nga shoqëritë e vjetra në dhjetëvjetëshat e parë të shek.XX, si Shoqëria “Bogdani”. Kjo, edhe për faktin se në atë kohë po zhvillohej teatri, që i dha hov jo vetëm skenës, por edhe muzikës teatrore – melodramës, një lloj muziko-letrar që zë fill me Fishtën e “Judës Makabe”, me shumë të tjera, ku shkëlqente “Jerina ase Mbretnesha e luleve”, pa lënë jashtë kësaj gjinie melodramatistin më prodhimtar, poetin Ndre Zadeja, pushkatuar së bashku me simbolin e Atdhetarisë së Malësisë, Prekë Calin….Ishte zhvilluar muzika në traditën e krijuar prej vëllezërve Kurti, deri tek  Akademia Muzikore e Atë Martin Gjokës, që kishte sjellë në udhë të artit Mjeshtrat e Mëdhenj të ardhshëm: Tonin Harapi, Tish Daija, Çesk Zadeja e më të riun – ndoshta më të talentuarin-  së paku, guximtarin e pashoq, Prekë Jakovën, që mori përsipër dhe ia doli të kompozojë Operën e parë shqiptare e, me baketin në dorë, të bënte edhe dirigjimin e saj, me forcat e talentuara të muzikës orkestrale qytetare shkodrane. Tre të parët kishin pasur fatin të shkonin për studime universitare në Moskë dhe, me t’u kthyer,  të qëndronin në kryeqytet….I vetëm në qytetin verior kishte mbetur veç  Pol Gjakova, në emrin e të cilit sikur peshonte gjithë barra e veprimtarisë muzikore të Shkodrës. Bash këtu nisin ngjarjet e romanit të Çapalikut, në gjysmën e parë të viteve 1960-1965, kur dhe ka lindur vetë autori i kësaj vepre.

Gjëja e parë që na bie në sy, kur hartojmë apo dhe lexojmë një fabul romaneske, është struktura e saj, një tregues që shkrimtarët nuk e fitojnë lehtë, por tashmë S. Çapaliku, ka shkuar mjaft larg në këtë mjeshtëri. Ai e ka organizuar intrigën e veprës në katër libra dhe në katër intervale – një mënyrë rrëfimi progresiv a linear, ku krijohen mundësi digresioni në përshkrimin e ngjarjeve apo veprimeve të personazheve. Gjithashtu, krijon mjundësinë e ndërrimit të vetave  të kallëzimit, veçanërisht, tek intervalet, ku protagonisti zë e tregon në vetën e parë.  Me një lexim të vëmendshëm, hetohet qartë se intriga e kallëzimit artistik të autorit është ajo që e mban ngjitur tekstin narrativ, me një fjalë, pasimin e fazave të ndryshme të historisë, të treguara në atë mënyrë që marrësi (receptuesi destinator) të mund të kuptojë zhvillimin e ngjarjeve, duke i vargëzuar në mes tyre – një paraqitje që autori ynë, këtu e shpreh dhe e kufizon, në libra e në intevalet meditative, nëpërmjet numrave, që, simbolikisht, nuk e kalojnë dhjetën. Duke iu përmbajtur këtij rendi, themi se bashkësia e ngjarjeve që përbëjnë fabulën e tekstit të këtij romani, vjen e vendoset në një bosht logjik-kohor-shkakësor, për t’i lënë autorit dorë të lirë në gërshetimin e elementeve të historisë, siç ka pëlqyer ai që epilogu i veprës të zërë vendin e prologut.    

Klara Deda, heroina kryesore e kësaj vepre, që na shfaqet në Librin e parë, tjetërsohet papritur kokë e këmbë brenda një burke sterrë të zezë dhe, si nëpër arkapijat e dikurshme migjeniane, të shtëpive të ulëta të mëhallës së vet, niset për takim incognita, me njeriun më të dashur të jetës së saj: jo buzë liqenit, as në një skaj lulishteje, jo jashtë qytetit,…por në morgun e spitalit; pra nisej për një takim me një kufomë, një kadaver, para së cilës do të përlotej e do ta përqafonte, si të ishte i gjallë, si në të gjallë të tij….! Një takim makabër i një kurtizaneje, që kishte dashuruar, ashtu si dinte ajo, i ishte dhënë atij, që, mbi dashurinë për të, ushqente dhe sundohej prej një dashtnie tjetër: dashtnisë për artin, për muzikën, për këngët dhe operën që do t’ia falte Shkodrës dhe gjithë vendit, ashtu të plotë dhe me jehonë të përjetshme, ndonëse ia rrudhën e shkurtuan, deri edhe duke i hequr një akt të tërë! (Do të kalonte gjysmë shekulli që historia e muzikës shqiptare, vetëm këto ditë, ta mësonte se vepra e tij kishte pasur 4 akte!). Nuk ishte vetëm kjo: S. Çapaliku na sjell me dhimbje edhe ngjarjen jo të rastësishme, se qyteti i lindjes së tij, kishte për një kohë të gjatë 13 burgje (!) dhe më e habitshmja, se kompozitori Pol Gjakova mbahej gjithë natën në burg e, mëngjeseve, i lidhur durash – shtrënguar deri plagë – shoqërohej me ushtarë (fyer e keqtrajtuar prej tyre) për në Shtëpinë e Kulturës, në punë me orkestrën që do të luante në Operën “Diella”…një muzikant i burgosur, një kompozitor duarlidhur, që ngushëllohet në dëshpërimin e vet: “..Të jetë për kështu, ma mirë të mos dalësh hiç prej burgu. Në burg njeriu mundet me qenë edhe ma i lirë, të paktën, në pikëpamje muzikore.Muzikalisht i lirë. Sa më pëlqen kjo gjendje: muzikalisht i lirë…!” Në çaste si ky, lexuesit i vjen në ndihmë informacioni i mbuluar, info jashtë atyre që jep teksti me paraqitjen gjuhësore semantike, konkretisht, për Shkodrën, në kohën kur kishte më tepër burgje se shkolla, në vitet e para të Pasluftës, kur partizanët arrestonin njerëz të pafajshëm dhe digjnin biblioteka, nxirnin jashtë familje “reaksionare” dhe i çonin në internime me gjithë gra e fëmijë; ishte koha kur nën zë këndoheshin nëpër qytet dy vargjet “e famshme”:

Nga na ardhën këta partizanë,

 që na prunë këtë faqe t’bardhë !”

Ndryshe nga trilogjia e suksesshme “Secili çmendet sipas mënyrës së vet”, ku autori përshkruan fazat e jetës së qytetit të lindjes, në mënyrë paralele me fazat e jetës së tij, nga fëmijëria, nxënës shkolle, student, mësues dhe pedagog universiteti, në këtë roman ka përjetime të tjera: është kujtesa e pashlyeshme e një qyteti të vjetër si Shkoldra për njerëz e ngjarje, që bëhen leitmotivi për të shkruar, jo kronika të mbledhura nga subjekte që ka njohur e njeh, por ato mbresa që vijnë e transmetohen ashtu valë-valë ndër brezat e një shoqërie. Këtë prurje të kujtesës qytetare nëpërmjet të tjerëve, Çapaliku e ka romanizuar edhe me atë që del si informacion i mbuluar, tip mesazhi që quhet presupozicion. Autori nuk e pohon, por situata e përshkruar, e çon lexuesin tek mendimi se njerëzit me popullaritet e të adhuruar, nuk mund të bashkëjetojnë me diktaturat, prandaj dhe Gjakova është përherë nën vëzhgim, sepse gëzon simpatinë e mbarë një qyteti si Shkodra.

Dikur, shkruan autori, edhe atij mun t’i thoshin “Mjaft duke marrë pas vetes të gjithë qytetin!” A nuk ishin zhdukur ato vite drejtues administrate të lartë të shtetit dhe udhëheqës partie, të afruar aq shumë me popullin, si: Z. Islami e Nd.Marashi, apo gjenerali çam Seiti, që në këtë periudhë ishte në krye të Degës së Brendshme të Shkodrës, ku kishin drejtuar oficerë të lartë, që do të bëheshin edhe z/vendës edhe ministra të brendshëm të Republikës! Aludohet se jo pa qëllim, përanë kompzitorit kishin afruar Poetin e njohur të Realizmit Socialist, i cili, pas 5 vitesh do të shkatërronte bashkqytetarin e vet, F.Paçramin, me artikullin demaskues “dramfabrikuesi”! Prandaj dhe autori i ka kushtuar një linjë më vete hetuesit Dhimitër Dine, që nuk i kursen vëzhgimet as ndaj Gjakovës, as ndaj vetë Poetit, i cili dëshmon haptas se ka marrë pjesë në funeralin e kompozitorit dhe, këtë e bënte, mu në Lidhjen e Shkrimtarëve, Tiranë! “Ndoshta, ishte një kërkesë për vetëndeshkim?! Mazokizëm?! Një kërkesë që i vinte nga fundi i ndërgjegjës së tij të plagosur si s’ka më keq!?”- shkruan autori, sepse kjo nuk ishte e vërtetë. “Ç’ishte ky mazokizëm?!” Dine i ka duart e lira të ndjekë, të survejojë e të thërrasë në Degë, këdo që dyshon; ai pret t’i raportojë shefit përkatës në qendër, ndërkohë që instinkti i tij arrin deri në përdhinimin e Dianës, vajzës së profesorit të nderuar të frëngjishtes….! Kjo situatë e nderë dhe e frikshme bënte që në disa faqe të romanit, një nga personat më të dashur të Shkodrës, anekdotisti Bep Tanushi, si një krijesë e sjellë në jetë për të shfaqur shëmtinë e diktaturës, të na paraqitet pothuajse përherë i heshtur (kur nuk dinte të heshtte asnjëherë) dhe, për habi, “Të ngjante si më tragjik se kurrë ndonjëherë më parë !…Ishte hera e parë në jetën e tij, që nuk mund të prodhonte një fije humori…Ishte hera e parë që Bep Tanushi gjendej pa batutë, pa fjalë” Një krijesë humori të gjenerojë tragjizëm – asgjë më pak se oksimoroni psikik brenda një qenieje….!

Është një meritë e autorit shumë origjinale, mënyra si na shfaqen personazhet e veprës, ashtu siç ka bërë përzgjedhjen Çapaliku, në një numër realativisht të vogël, nga: Klara, Poli (Maestro Gjakova), Aktori, Poeti, Diana, kapterr Kadriu, ushtar Jorgaqi, hetues Dhimitri, Bepi Tanushi, Taxhedin Grimci, Nëna e Polit, Nëna e Klarës, Prindërit e Dianës,

Zotëri Ethemi (profesori i frëngjishtes), Timpanisti, Xhevati, Spala, Mihal Tardeli rrobaqepësi), e ndonjë krejt kalimtar, si Ilda Melgushi, pranë Kishës së Jezuitëve, pianoja e së cilës ndihej nga rruga pranë, kur u bënte mësime muzike të rinjve shkoldranë.  Ata jepen e veprojnë në masën e duhur, rriten para lexuesit: diskutojnë, aprovojnë a mohojnë; dashurojnë dhe urrejnë apo shfaqen indeferentë ndaj dikujt; për shembull, me Dh.Dinen nuk afrohet asnjëri, nuk duan të bashkëpunojnë, janë të frikësuar ndaj tij dhe e ndiejnë se ai përfaqëson të keqen, anën mohuese të lirisë së fjalës, me konseguenca të rënda…! Klara, sopranoja e operas, megjithëse është e damkiosur nga ana politike, përpiqet të bëjë jetën e saj, ta gëzojë atë dhe asnjëherë nuk guxon të shprehë urrejtje për çfarë i kishte pësuar familja: “Ajo duhej të përmbahej dhe të shihte punën e saj..Nuk kishte asgjë që ta lidhte atë, as me Pol Gjakoven, as me Aktorin…Me Pol Gjakovën?! Me Polin ndoshta, po. Vetëm me të. Me askënd tjetër në botë. Por Pol Gjakova, ky engjëll, qe aq i lidhur me punën e vet, me muzikën, sa shpesh, për dreq, e harronte….Sa më shumë ta shtynte  ai vendimin, aq më shumë do të zgjaste gjendja e saj ambigue: as kështu dhe as ashtu…” Kur i kthehej dashurisë, Gjokova kompozonte këngë për të. Këngë dëshire për ta pasur pranë e ajo i këndonte, pa çka se fjalët e tekstit e kishin në burg autorin, kushedi si i katandisur i gjori !

Ndryshe është ravijëzuar kompozitori, si në marrëdhënie me të tjerë, ashtu edhe në botën e tij të brendshme si artist; mbi të gjitha, ai e kupton vendin që zë në shoqërinë e asaj kohe, zgjedh shokë e miq të mirë e besnikë, si Aktorin e Harpagonit, Tanushin, por asnjëherë Poetin, me të cilin mbetet gjithnjë në marrëdhënie formale profesionale: merr prej tij dhe i jep aq sa i takon libretistit të veprës! Pa qenë muzikant, Çapaliku ka mundur të përshkruajë formimin artistik të nivelit të lartë të Gjakovës, përdor terma specialë të artit të tij, veglave muzikore të orkestrantëve, nxjerr në pah mjeshtërinë e dirigjimit dhe tregon se ai është çdo herë e çdo ditë në kërkim të përsosmërisë artistike, edhe pse bënte hapat e parë në udhën e vështirë të kompozimit të një vepre madhore, siç është një epera. 

Si personazh i vënë në qendër të romanit, kompozitori Gjakova na vjen i dyzuar: me protretin fizik dhe psikkologjik, si qenie e elitës shoqërore, ashtu edhe me interesat e gjera si muzikant e si artist, në arritjen e asaj që nuk ka mbërritur ende, për të shkuar përtej vetevetes, siç thoshte Niçeja. Fundi tragjik i tij, ngado që t’i ketë ardhur, është fundi i një njeriu me pasione të mëdha, i njeriut që dallon e ngrihet lart si intelektual e artist, sa del nga përmasat e së zakonshmes dhe, për rrafshin social të atyre viteve, vjen e bëhet i huaj, i pakrahasueshëm dhe i paarritshëm….!

Është mjeshtri e autorit të këtij romani që, pasi ka “deklaruar” se përngjasimet e personave e ngjarjeve, nuk janë të rastësishme me realitetin, i vë në skenën e sekuencave narrative gjithë këta vehtje vepruese, duke na i zbuluar shkallë-shkallë, deri sa na i shfaq në disa apo vetëm në një tregues: dikë në planin fonetik të emrit (Tanushi-Palushi; Gjakova-Jakova), dikë me anë të mbiemrit (Grimci-Abdullah), e të tjerë. Pa u mjaftuar me këto të dhëna, heronjtë e veprës vijnë e shfaqen edhe në rrafshin e karakterit, siç ngjet me Polin, i cili, para orkestrës apo këngëtarëve, nuk njihej më kur fliste për harmoninë, ritmin, pauzat, tonalitetin, ngarkesën e një note muzikore, por shndërrohej në gjithë qenien e tij. Kujtoj një çast të shkurtër, kur ai erdhi të takonte shokun e mikun e tij, profesorin tonë Leonard Deda (autorin e këngës së famshme “Mbeta gjithë ditën hijeve…”) – mësuesin e muzikës të shkollës pedagogjike, gjatë një senace prove me ansambilin tonë, ku unë bëja pjesë në korin prej rreth 100 vetësh! Ai mori drejtimin e orkestrës dhe bënte lëvizje të çuditshme, dinamike dhe aq të pakuptueshme për ne, sa kolegu i tij kompozitor, vetëm buzëqeshte me kënaqësi e përpiqej të hynte në botën e artistit të madh….! Edhe linja e njohjes e marrëdhënieve të oficerit hetues Dine me vajzën e thjeshtë të Trikotazhit, Dianën e varfër, por të bukur, jepet sipas logjikës së një inkuizitori të diktaturës: gjithçka me imponim e dhunë, që nga njohja, së cilës vajza e frikësuar mundohet t’i ikë me fjalët e pacaktuara “Një herë tjetër”, kur ai kërkon ta ftojë në një lokal, deri tek paraqitja e detyrueshme në zyrë dhe përdhunimi shtazarak ! Skena tipike nënshtrimi që, në të shumtën, janë mbyllur, por edhe janë shfaqur e dënuar nga partia-shtet e kohës.

Pa u zgjatur, autori nuk lë pa vënë në skenën e romanit edhe heroizmin fals, si propagandë të njeriut të ri, për të cilin sakrifica me jetën, nuk ishte asgjë: “Katër burra rrinin përpara derës së hyrjes duke mbajtur mbi supe një arkivol…të vogël prej kompensate dhe i veshur me një cohë të kuqe….- Vijmë nga Rrogozhina. Kemi sjellë arkivolin e një vajze pesëmbëdhjetë vjeçe nga Dukagjini, që e ka zënë dheu i trasesë së hekurudhës…!…Shkon vajza e mitur në aksion?” Pesëmbëdhjetëvjeçare të punojë?! Ikën shëndosh prej shtëpie dhe vjen e vdekur” Ky është kulmi – tha me zë të lartë Pol Gjakova….!” A nuk ngjasin si dy pika uji nëpërkëmbja e një fëmije aksionist me dhunimin e Dianës prej një zyrtari shtetëror?!?

Tregimtaria e shkrimtarit S. Çapaliku dallon për një gjuhë të thjeshtë, të afërt me lexuesin; proza e tij nuk përmban struktura të rënda, të ngarkuara me vargje atributive të gjata, as me rende predikative të ndërmjetuara e të ndërvaruara në largësi nga qendrat e organizimit sintaksor, por frazat, thëniet, paragrafi e teskti i tij në tërësi, brenda këtij romani, bie në sy për prurje dhe bashkërendim të njësive emërore, përdorim të elipsës dhe segmentimit të periudhave, si në shembullin e mëposhtëm, ku na shfaqen  përdorime me vend a mungesa si duhet të subjekteve, sipas natyrës së shqipes: ” Tani nuk e çante më kryet për askënd. Ai do e vishte dhe do të dilte në rrugë i veshur kësisoj. Fundja po shkonte në opera. Opera qe bekim për këtë qytet. Ai do e vishte frakun dhe do të vraponte fluturim e për te opera. Fluturim. Si një engjëll i veshur me frak…..”

Unë që e kam ndjekur jo pak krijimtarinë e romancierit tonë të ri, që nga poezitë e para, përgjatë tre dhjetëvjeçarëve, kam njohur logosin e tij të shkathtë në gjuhën dialogjike të shumë dramave, prej të cilave edhe kam parë ngjitjen e tij në skenë, e kam cituar këtë autor në libra ushtrimesh dhe në procesin mësimor me studentë në lëndën e Gjuhësisë së tekstit,  Stlistikë e në Sintaksë, shprehem me bindje se kjo vepër në prozë e S.Çapalikut, shënon një ngritje artistike dhe gjuhësore. Ngjyrimi i rrallë, aty-këtu, me leksikun gegë dhe shprehësinë e paskajores, vetëm se i japin dorë karakterizimit më të thellë të personazheve./ExLibris