Tregimi i javës / Zejnullah Rrahmani: Kjo është dashuria jote - Gazeta Express
string(58) "tregimi-i-javes-zejnullah-rrahmani-kjo-eshte-dashuria-jote"

Arte

Gazeta Express

13/05/2022 17:18

Tregimi i javës / Zejnullah Rrahmani: Kjo është dashuria jote

Arte

Gazeta Express

13/05/2022 17:18

Zejnullah Rrahmani (1952) ka studiuar dhe është diplomuar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Studimet pasuniversitare dhe magjistraturën i kreu në Degën e Letërsisë Shqipe, 1984. Më 1985 doktoroi në shkencat filologjike në Prishtinë. Ka botuar rreth 20 libra. Për krijimtarinë letrare është nderuar me: Çmimin “Hivzi Sulejmani”, Çmimin “Naim Frashëri”, Çmimin e NGB Rilindja për roman, Çmimin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës etj. Në fushën e teorisë letrare dhe studimeve, profesor Zejnullah Rrahmani ka botuar rreth 15 libra teorikë dhe studimorë.

Kjo është dashuria jote

Lexo Edhe:

Në Prishtinë, te Kroi i Bardhë, rrinte një djalosh që u bë i famshëm. Sikur gjithë të tjerët, i gjatë rreth një e tetëdhjetë, me flokë midis të bardhave e të zezave, me fytyrë të rregullt, me rroba të përditshme… Asgjë e veçantë në pamjen e tij, mirëpo me vete mbante një thes me tasa. Kishte në thes tasa teneqeje, me madhësi të ndryshme. E mbushte një tas me ujë aty në krua dhe pastaj e derdhte në tasin tjetër. Askush nuk e dinte me siguri si e kish shpikur ai lojën e tillë, mirëpo duhet të ketë qenë ndonjë grua e re e mbetur pa burrë (se njerëzit shkonin larg për të punuar, ose në ushtri) që e kish pyetur e para:

“Pse po i mbush ata tasa me ujë?”

(Ose mund ta ketë pyetur “Çka po bën me ata tasa?”, ose edhe mund t’i ketë thënë “A ma jep një tas të pi ujë?”, ose ndonjë pyetje tjetër e cila tashmë nuk kishte rëndësi, por që ka qenë tmerrësisht e rëndësishme për zhvillimin e asaj historie të tij.)

“Po e mat dashurinë”, – ishte përgjigjur ai.

Kështu, njerëzit filluan të afroheshin aty për të pirë ujë dhe më shumë për ta matur dashurinë.

Ai e mbushte një tas dhe i thërriste “Kjo është dashuria jote!”, pastaj nxirrte një tas tjetër dhe e derdhte ujin e të parit në të…

 Shpesh qëllonte që tasi i dytë të ishte vrima-vrima në fund dhe uji rridhte teposhtë e nuk mbushej. Njerëzit mbeteshin të pakënaqur. Ndonjëri shante.

“Çfarë të bëj unë?” – i përgjigjej.

“Ke dy zgjidhje. Vazhdo të japësh, edhe pse je i sigurt që nuk do të përmbushësh kurrë dashurinë tënde, ose edhe më mirë, mos shiko në fund si është vrima-vrima dhe vazhdo të shikosh lart ku e hedh ujin…”

Marrë nga: Zejnullah Rrahmani, ‘Deti i zi’, Onufri, 2022