Shirley Hardie Jackson (1916 –1965) shkrimtare amerikane, e njohur kryesisht për veprën e saj të horrorit dhe misterit. Ka shkruar gjashtë romane si, ‘The Road Through the Wall‘ (Farrar, Straus, 1948); ‘Hangsaman’ (Farrar, Straus and Young, 1951); ‘The Bird’s Nest’ (Farrar, Straus and Young, 1954); ‘The Sundial’ (Farrar, Straus and Cudahy, 1958); ‘The Haunting of Hill House’ (Viking, 1959); ‘We Have Always Lived in the Castle’ (Viking, 1962). Përmbledhje tregimesh: ‘The Lottery and Other Stories’ (Farrar, Straus, 1949); ‘The Magic of Shirley Jackson’ (ed. Stanley Edgar Hyman; Farrar, Straus, 1966).
KUVENDIM
Nga Shirley Jackson
Doktori ishte kompetent në dukje dhe i respektueshëm. Znj. Arnold u ndie pak a shumë rehat nga pamja e tij dhe trazimi i saj u zbut paksa. Ajo e dinte se ai e kishte vërejtur dorën e saj duke lëvizur teksa po shkonte drejt tij për ta ndezur cigaren dhe i buzëqeshi në mënyrë shfajësuese, por ai e shikoi me seriozitet.
“Duket të jesh e hallakatur”, i tha rëndshëm.
“Jam bukur fort e hallakatur”, tha znj. Arnold. U përpoq të fliste ngadalë dhe në mënyrë inteligjente. “Kjo është njëra arsye pse kam ardhur të flas me ty në vend se të shkoj te doktor Marfi – doktori ynë i rregullt, ja pra”.
Doktori rrudhi vetullat mospërfillshëm. “Burri im”, vazhdoi znj. Arnold. “Nuk dua që ai të marrë vesh se jam në merak dhe doktor Marfi me gjasë do ta ndiejë të nevojshme t’ia thotë atij”. Doktori pohoi me kokë, duke mos u dhënë fort pas kësaj pune, vërejti znj. Arnold.
“Si është halli?”.
Znj. Arnold mori frymë thellë. “Doktor”, tha ajo, “Si e tregojnë njerëzit nëse janë duke u çmendur?”.
Doktori shikoi lart.
“Nuk është aq marrëzore”, tha znj. Arnold. “S’e kisha ndërmend ta them në këtë mënyrë. Sidoqoftë, është zor të shpjegohet, pa e bërë kaq dramatike”.
“Marrëzia është më e komplikuar se sa që ta merr mendja ty”, tha doktori.
“E di se është e komplikuar”, tha znj. Arnold. “Kjo është e vetmja gjë për të cilën jam e sigurt. Marrëzia është njëra prej gjërave që i kam parasysh”.
“Më fal?”.
“Ky është halli im, doktor”. Znj. Arnold u kthye dhe i nxori dorashkat e saj nga poshtë portofolit të saj dhe i vuri me kujdes sipër tij. Pastaj i mori prapë dhe i futi përfund portofolit përsëri.
“Ma ha mendja se m’i the të gjitha”, tha doktori.
Znj. Arnold psherëtiu. “Çdo kush tjetër duket se e kupton”, tha ajo, “po unë jo. Shiko”. I anua përpara dhe bënte gjeste me njërën dorë teksa fliste. “S’e marr vesh mënyrën si jetojnë njerëzia. Zakonisht e gjitha është e thjeshtë. Kur isha vajzë e vogël jetoja në një botë ku bukur shumë njerëz të tjerë po ashtu jetonin dhe ata të gjithë jetonin bashkërisht dhe gjërat ishin kështu gjithë kohës pa e bërë të madhe këtë gjë”. E shikoi doktorin. Ai po rrudhte vetullat përsëri dhe znj. Arnold vazhdoi, duke ngritur zërin ngadalë. “Shiko. Dje në mëngjes burri im u ndal rrugës për në zyrën e tij të blinte një gazetë. Ai prore e blen Timesin dhe përherë e blen prej të njëjtit shitës; dhe dje shitësi s’e pati një kopje të Timesit për burrin tim dhe mbrëmë kur u kthye në shtëpi për darkë tha se peshku ishte i djegur, deserti ishte tepër i ëmbël, pastaj u vërdallis gjithë natën duke folur vetë me vete”.
“Ka mundur të përpiqet ta marrë te ndonjë shitës tjetër”, tha doktori. “Shumë shpesh te shitësit në qendër mund të gjesh gazeta më vonë se sa te shitësit lokalë”.
“Jo”, u përgjigj znj. Arnold, ngadalë dhe duke shkoqur, “ma ha mendja se më mirë është të filloj edhe njëherë nga e para. Kur isha vajzë e vogël…”, tha ajo. Mandej u ndal. “Shiko”, tha ajo, “a kishte aty fjalë si mjekësi psikosomatike? Apo Kartele ndërkombëtare? Apo centralizim burokratik?”.
“Epo”, ia nisi doktori.
“Çka po mendon?”, këmbënguli znj. Arnold.
“Në një periudhë të krizave ndërkombëtare”, tha doktori njerëzishëm, “kur vëren, për shembull, se modelet kulturore po shpërbëhen rrëmbyeshëm…”.
“Krizë ndërkombëtare”, tha znj. Arnold. “Modelet”. Nisi të qante qetësisht. “Ai tha se ai burri s’kishte të drejtë të mos ia ruante një kopje të Timesit”, tha ajo histerikisht, duke rrëmuar në xhepat e vet për një shami, “dhe nisi të fliste rreth planifikimit shoqëror në nivel lokal, të hyrat e mbitaksave neto, konceptet gjeopolitike dhe inflacionin deflacionar”. Zëri i znj. Arnold u kthye në vaj. “Ai përnjëmend tha inflacion deflacionar”.
“Znj. Arnold”, tha doktori, duke ecur përreth tavolinës, “kështu nuk do të zgjidhim gjë”.
“E çka u dashka të zgjidhim?”, tha znj. Arnold. “A janë të gjithë të çmendur përveç meje?”.
“Znj. Arnold”, tha doktori rreptë, “dua që ta mbash veten. Në një botë të çorientuar si kjo e jona sot, tjetërsimi nga realiteti shumë shpesh…”.
“Çorientuar”, tha znj. Arnold. U ngrit. “Tjetërsim”, tha ajo. “Realitet”. Para se doktori të mund të ndalte, ajo shkoi te dera dhe e hapi. “Realiteti”, tha ajo dhe doli jashtë.
/Marrë nga Shirley Jackson, ‘The Lottery and Other Stories’, Penguin, 2009
/Gazeta Express