Përmbledhja me tregime ‘Winesburg, Ohio’, e Andersonit është e strukturuar rreth jetës së protagonistit Geroge Willard, mga koha kur ishte fëmijë deri te pavarësia e tij si i rritur dhe braktisja e Winseburgut. Tregimet janë shkruar kryesisht mes viteve 1915-1916. ‘Libri i groteskës’ shërben si një lloj hyrjeje e përmbledhjes.
LIBRI I GROTESKES
Nga Sherwood Andreson
Shkrimtari, një burrë në moshë me mustaqe të bardha, kishte ca vështirësi të futej në shtrat. Dritaret e shtëpisë në të cilën jetonte ishin të larta dhe ai donte të shikonte pemët kur të zgjohej në mëngjes. Një zdrukthëtar erdhi të ndreqte shtratin ashtu që të ishte në nivel me dritaren.
Goxha njëfarë hallakame ishte bërë në lidhje me këtë. Zdrukthëtari, i cili kishte qenë ushtar në Luftën Civile, erdhi në dhomën e shkrimtarit dhe u ul të bisedonte rreth ndërtimit të një platforme me qëllim që të ngrihej lart shtrati. Shkrimtari mbante puro dhe zdukthëtari tymosi ca.
Për një copë kohë dy burrat folën për ngritjen e shtratit, pastaj bën muhabet për gjëra të tjera. Ushtari e kapi muhabetin e luftës. Zdukthëtari njëherë kishte qenë i burgosur në burgun e Andersonvillet dhe e kishte humbur njërin vëlla. Vëllai kishte vdekur nga uria dhe zdukthëtari qante saherë që e kapte këtë muhabet. Ai, si edhe shkrimtari në moshë, kishte mustaqe të bardha dhe kur qante i rrudhte buzët dhe musaqet lëvrinin poshtë e lart. Vaji i burrit në moshë me puron në gojë ishte qesharak. Plani që shkrimtari kishte për ngritjen e shtratit u harrua; më vonë zdrukthëtari e bëri atë sipas mendjes së vet dhe shkrimtarit, i cili i kishte kaluar të gjashtëdhjetat, i duhej të përdorte karrigen kur donte të ngjitej në shtrat natën.
Shkrimtari u kthye në anën e tij në shtrat dhe nuk lëvizi më fare. Me vite kishte qenë i trandur nga mendimet që kishin të bënin me zemrën e tij. Ishte duhanxhi i rryer dhe zemra e tij ishte e dobët. Në mendjen e tij ishte ngulitur ideja se një ditë mund të vdiste papritur dhe çdoherë kur futej në shtrat e çonte mendjen aty. Nuk e alarmonte. Në të vërtetë efekti ishte një gjë bukur e veçantë dhe nuk mund të shpjegohej lehtë. E bënte atë më të gjallë, aty në shtrat, pastaj në çdo kohë tjetër. Rrinte shtrirë plotësisht i qetë, trupi i tij i moshuar nuk ishte edhe aq i përdorshëm tashmë, por diçka brenda tij ishte tërësisht e re. Ai ishte si një grua shtatzënë, veçse ajo gjëja brenda tij nuk ishte bebe, por rini. Jo, nuk ishte rini, ishte grua, e re, me një parzmore si kalorës. Është absurde, siç po shihet, të përpiqemi të themi çfarë kishte brenda shkrimtarit në moshë teksa rrinte shtrirë në shtratin e tij të lartë dhe e dëgjonte zemrën e tij të rrahte dobët. Gjëja që duhet të kuptohet është se çfarë shkrimtari, ose gjëja e re brenda shkrimtarit, po mendonte rreth kësaj.
Shkrimtari i moshuar, si të gjithë njerëzit në këtë botë, kishte pasur, gjithë jetës së tij të gjatë, disa ide të mëdha në kokën e tij. Dikur kishte qenë goxha i pashëm dhe një numër i mirë grash kishin lënë kokën pas tij. Pastaj, natyrisht, kishte njohur njerëz, shumë njerëz, i kishte njohur në një mënyrë veçanërisht intime që ishte ndryshe nga mënyra si i njohim njerëzit unë dhe ju. Në fund kjo ishte ajo për çka po mendonte shkrimtari dhe ky mendim e ngrohu. Pse të zihesh me një burrë të moshuar rreth mendimeve të tij?
Në shtrat shkrimtari pa një ëndërr që nuk ishte ëndërr. Derisa po zhytej disi në gjumë, por ishte ende i kthjellët, disa figura nisën të shfaqeshin para syve të tij. Përfytyroi se gjëja e re e papërshkrueshme brenda vetes së tij ishte duke drejtuar një procesion figurash para syve të tij.
Siç po e shihni interesi i gjithë kësaj është te figurat që i dilnin para syve shkrimtarit. Ato ishin të gjitha groteske. Të gjithë burrat dhe gratë që shkrimtari i kishte njohur kurdoherë ishin bërë groteske.
Groteskat nuk ishin të gjitha të llahtarshme. Disa ishin mahnitëse, disa të tjera pothuajse të bukura dhe njëra, një grua e përvijuar krejt jashtë kallëpit, i ra fort kokës burrit të moshuar me groteskllëkun e saj. Kur ajo kaloi, ai bëri një zhurmë si një qen i vogël kur kuis. Po të kishit hyrë në dhomë do të kishit mundur të supozonit se burri i moshuar kishte pasur ëndrra të pakëndshme ose mbase probleme me tretjen.
Për një orë ai procesion i groteskave kaloi para syve të burrit të moshuar, pastaj, megjithëse ishte gjë e dhimbshme ta bënte, ai kërceu nga shtrati dhe nisi të shkruante. Njëra prej groteskave i kishte bërë përshtypje të fortë në mendjen e tij dhe donte ta përshkruante.
Shkrimtari punoi në tavolinën e tij për një orë. Në fund shkroi një libër të quajtur ‘Libri i groteskës’. Kurrë nuk u botua, por unë e kam parë njëherë dhe më ka lënë një përshtypje të pashlyeshme në mendjen time. Libri kishte një mendim qendror që është bukur i çuditshëm dhe ka mbetur prore me mua. Duke e rikuajtuar atë kam qenë në gjendje të kuptoj shumë njerëz dhe gjëra që kurrë më parë s’kisha qenë në gjendje t’i kuptoja.
Mendimi ishte i ndërlikuar, por një përshkrim i thjeshtë i tij do të mund të ishte diçka e këtij lloji.
Se në fillim kur bota ishte e re kishte pasur shumë mendime të mëdha, por jo një gjë si e vërteta. Njeriu i sajoi të vërtetat vetë dhe secila e vërtetë ishte një kompozitë e shumë mendimeve të mëdha të vagullta. Kudo përreth botës kishte të vërteta dhe ato ishin të gjitha të bukura.
Burri i moshuar kishte evidentuar qindra nga ato të vërteta në librin e tij.
Nuk do të marr mundin t’jua tregoj të gjitha ato. Ishte e vërteta e virgjinitetit dhe e vërteta e pasionit, e vërteta e kamjes dhe e skamjes, e kursimit dhe plangprishjes, e moskujdesit dhe lëshimit. Me qindra e qindra ishin të vërtetat dhe që të gjitha ishin të bukura.
Atëherë ia behën njerëzit. Çdonjëri ashtu siç shfaqej kapte një të vërtetë dhe disa që ishin goxha më të fuqishëm kapnin një mori sosh.
Ishin të vërtetat ato që i bënë njerëzit groteskë. Burri i moshuar pati një teori bukur të përpunuar që kishte të bënte me këtë çështje. Ishte mendimi i tij se momenti kur njëri prej njerëzve e mori për vete njërën prej të vërtetave, e quajti atë e vërteta e tij si dhe u përpoq të jetonte jetën e tij me të, ai u bë grotesk dhe e vërteta që e kishte përqafuar u bë gënjeshtër.
Mund të shihni vetë se si burri i moshuar, i cili e kishte kaluar gjithë jetën e tij duke shkruar dhe ishte dëng me fjalë, mund të shkruante qindra faqe në lidhje me këtë çështje. Tema mund të bëhej aq e madhe në mendjen e tij sa ai vetë mund të ishte në rrezik të bëhej grotesk. Nuk u bë, ma ha mendja, për të njëjtën arsye se nuk e botoi librin kurrë. Ishte gjëja e re brenda tij ajo që e shpëtoi burrin e moshuar.
Në lidhje me zdrukthëtarin e moçëm që e kishte ndrequr shtratin e shkrimtarit, unë e përmenda atë vetëm ngase ai, si shumica e atyre që quhen njerëz të zakonshëm, u bë gjëja më e afërt e asaj që është e kupueshme dhe e lezetshme në mesin e të gjitha groteskave në librin e shkrimtarit.
/Marrë nga Sherwood Anderson: ‘Winesburg, Ohio’
/Përkthimi Gazeta Express