Tregimi i javës / Maupassant: Dinakëritë - Gazeta Express
string(37) "tregimi-i-javes-maupassant-dinakerite"

Arte

Gazeta Express

29/07/2022 17:32

Tregimi i javës / Maupassant: Dinakëritë

Arte

Gazeta Express

29/07/2022 17:32

Henri-René-Albert-Guy de Maupassant – (Tourville-sur-Arques, 5 gusht 1850 – Paris, 6 korrik 1893), shkrimtar, dramaturg, reporter udhëtimesh, eseist, dhe poet francez, njëri prej etërve të tregimit modern. Maupassant është thellësisht i ndikuar nga Zola dhe Flaubert, si dhe nga filozofia e Schopenhauerit

– Gratë?

Lexo Edhe:

 – E po, çfarë gratë?

 – Ja çfarë.

Nuk ka prestigjiatorë më të shkathët se sa ato për të na gënjyer në çdo rast me ose pa motiv, shpesh herë vetëm për kënaqësinë për të të zënë në grackë. Dhe ato gënjejnë me një naivitet të pa besueshëm, me një guxim të jashtëzakonshëm, me një delikatesë të pa arritshme. Ato gënjejnë nga mëngjesi në mbrëmje dhe që të gjitha: më të ndershmet, më te sertat e më të arsyeshmet. Por, shtoj këtu se janë edhe pak të detyruara. Burri sillet gjithnjë me kokëfortësi prej budalla e me kërkesa prej tirani. Ai në shtëpinë e tij imponon në çdo moment gjëra qesharake. Ka shumë manira dhe gruaja ia plotëson duke e mashtruar. Ajo ia bën të besueshme që një gjë koston shumë me qëllim që burri ta kundërshtojë me ulërima duke thënë se koston edhe më shumë. Dhe ajo realizon atë që do me lehtësi duke na hutuar me mënyra primitive, me mëndje të hollë që, kur rastësisht i zbulojmë dredhitë. i ulim supat dhe përsërisim si të shtangur:” Po si nuk e kemi vënë re më parë këtë? ”. Burri që fliste kështu ishte një ish ministër i Perandorisë, konti L… një burrë i rrahur nga jeta dhe me mendje të lartë. Një grup të rinjsh mbanin veshët ngritur dhe e dëgjonin me vëmendje. Ai vazhdoi të thoshte: – Unë jam gënjyer nga një borgjeze e thjeshtë, në një mënyrë qesharake por dhe shumë mjeshtërore. Do t’ ua tregoj rastin si një këshillë për ta pasur parasysh. Në atë kohë isha ministër i Punëve të Jashtme dhe për çdo mëngjes, e kisha bërë zakon të bëja një shëtitje të gjatë më këmbë në Shanps Elise. Ishte një mëngjes aty nga mezi i majit dhe po ecja duke thithur si i pa ngopur aromën e këndshme të gjetheve të porsa çelura. Me kohë kisha vënë re që ndeshja për çdo ditë një grua të adhurueshme, një nga ato krijesat e mrekullueshme që mbahen si simbol i Parisit. E bukur? Po dhe jo? Trup të rregullt? Mbase edhe më të mirë. Belin e kish të ngushtë, shpatullat shumë të drejta ndërsa gjoksin shumë provokues, por unë i preferoj këto kukulla të këndshme për trupin e madh si të Afërditës së Milos. Mandej ato mund të të vërtitin në një mënyrë të pa krahasueshme dhe me të vetmen lëvizje të fytyrës së tyre të t’i çojnë valët e dëshirave deri në palcë. Ajo më dukej sikur më ndiqte me shikim kur isha duke kaluar. Këto lloj grash kanë gjithnjë një të shikuar me diçka që nuk ua kupton kurrë. Një mëngjes e gjeta të ulur në një nga stolat me një libër të hapur në mes të duarve. I kërkova të ulesha pranë saj. Pesë minuta më vonë ishim bërë miq të mirë. Mandej çdo ditë, pas përshëndetjes së zakonshme me buzëqeshje “Mirëdita Zonjë”, “Mirëdita Zotëri”, fillonim bashkëbisedimin. Ajo më tregoi se ishte gruaja e një nëpunësi, që bënte një jetë të trishtuar, me kënaqësi të rralla dhe me preokupacione të shpeshta e njëmijenjë gjëra të tjera. Unë i thashë kush isha, rastësisht apo ndoshta dhe për mburrje. Ajo bëri sikur u befasua me ato të i thashë. Të nesërmen erdhi të më gjente në ministri dhe më pas e bëri një gjë të tillë aq të shpeshtë sa që portierët që tashmë e kishin njohur, i pëshpëritnin njeri tjetrit me emrin që i patën vënë ata vetë:” Zonja Leone”. Unë ia mbarta këtë emër. Gjate tre muajve e takoja ç’do mëngjes pa mu mërzitur aspak, aq shumë dinte të ndryshonte vazhdimisht e t’i lezetonte nazet e përkëdheljet e saj. Por një ditë vura re se sytë e saj kishin qenë të përlotur dhe kishin mbetur gjurmët e lotëve që dëshmonin se diçka e mundonte e dukej si të ishte e zhytur në mendime sekrete. I kërkova, duke iu lutur, të më tregonte ngashërimet e zemrës së saj dhe më në fund më tha si neper dhëmbë: – Unë jam… jam shtatzënë – dhe shpërtheu në vaj. – Ou!, bëra unë një ngërdheshje dhe duhet të isha zverdhur si ndodh gjithnjë në këto lloj njoftimesh. Ju nuk e dini se çfarë efekt të dhimbshëm të shkakton ky lloj njoftimi i një atësie të pa pritur, por do t’i mësoni më vonë këto gjëra. Ndërsa unë i a ktheva duke belbëzuar: – Po, por ti ke burrë, a nuk është kështu? – Po, por im shoq është në Itali qysh prej dy muajsh të shkuara dhe nuk ka për t’u kthyer edhe për një kohë. Mua më duhej me ç’do kusht të çlirohesha nga kjo përgjegjësi, prandaj i thashë: – Duhet të nisesh e të shkosh menjëherë tek ai. Ajo u skuq deri në rrënjë të flokëve dhe duke i ulur sytë, ma ktheu. – Po, por, – dhe nuk vazhdoi më tej ose nuk desh ta mbaronte frazën. Unë e kuptova se ç’desh të thoshte dhe me një farë delikatese i vura në dorë një zarf me të hollat që do t’i nevojiteshin për të shkuar aty.

 * * *

 Tetë ditë më vonë më shkruante nga Gjeneva. Një javë më pas, mora një letër nga Firencja, mandej nga Livorno, nga Roma e nga Napoli. Ajo më shkruante:” Ndjehem mirë, i dashuri im, por jam shëmtuar. Nuk dua që ti të më shohësh kështu para se kjo të ketë mbaruar, se ti nuk do të më duash më. Im shoq nuk dyshon për asgjë. Meqenëse misioni i tij kërkon që të qëndrojë edhe për shumë kohë në këtë vend edhe unë nuk do të kthehem në Francë veçse pas lindjes. Në krye të tetë muajve, mora nga Venecia një njoftim vetëm me këto fjalë:”Është mashkull”, Pak kohë më vonë, një mëngjes, ajo hyri me vrull në zyrën time, më e freskët, e më e bukur se ndonjë herë dhe u hodh në krahët e mija. Pas kësaj lidhjet tona dashurore rifilluan si dhe më parë. Unë u largova nga ministria;ajo filloi të vinte në shtëpinë time në rrugën Drenel. Shpesh herë më fliste për fëmijën, por unë mezi e dëgjoja. Kjo gjë mua nuk më prekte. Ndërkohë i dhashë asaj një shumë te mirë të hollash duke i thënë: – Vendosi këto para mbi emrin e tij. Kaluan kështu dy vjet dhe ajo gjithnjë e më shumë me këmbëngulje më fliste për vogëlushin, për “Leonen”. Nganjëherë dhe qante. – Ti nuk e do atë, – më thoshte- , nuk do që ta shohësh qoftë edhe një herë të vetme. Sikur ta dish ti sa dhimbje më shkakton kjo mua. Më në fund, një ditë, insistoi shumë që unë t’i premtoja se të nesërmen do të shkoja në Shamps Elise në orën që ajo e nxirrte fëmijën për shëtitje. Por, mua në momentin kur do të dilja nga shtëpia për këtë gjë, më hyri në trup një frikë që më detyroi të ndalesha. Njeriu është i dobët dhe budalla, kush e di se çfarë ndodhi në vonesën time. Mbase kuptova se fillova ta doja atë qenie të lindur prej meje. Fëmija im! ! E pata vënë kapelën në kokë ndërsa dorezat i mbaja në dorë. I përplasa këto të fundit në skrivani, ndërsa kapelën e flaka në një karrige. – Jo, – i thashë vetes, jo, nuk do të shkoj. Do të jetë më mirë kështu. Ndërkohë u hap dera dhe hyri im vëlla. Më pruri një letër anonime që e kish marrë atë mëngjes. Në të shkruhej: ”Njoftoni vëllain tuaj, kontin L…, se zonja e rrugës Kasset, po tallet me paturpësi me të. Le të kërkojë të dhëna për të. ”

Unë nuk kisha folur me askënd për këtë lidhje të vjetër dashurie. Ngela i hutuar dhe ia tregova historinë tim vëllai, nga fillimi deri në fund. Mandej shtova: – Unë nuk do të merrem fare me këtë problem, por ti do të më bësh nder të madh mua në se do informohesh për të. Kur ai u largua për të hetuar unë mendova: Përse vallë mund të më gënjejë ajo? Ka dashnorë të tjerë? E ç’rëndësi ka kjo? Ajo është e re, e freskët, e bukur, tjetër gjë unë nuk dua. Ajo më duket më dashuron e përgjithësisht mua nuk më koston shumë. Në të vërtetë nuk më ka marrë mendjen. ” Im vëlla u kthye shpejt. Në zyrat e policisë i kishin dhënë informacione të sakta për të shoqin. Ai ishte nëpunës në ministrinë e brendshme, njeri korrekt, i mirëbesuar e i mirëvlerësuar, por i martuar me një grua shumë të bukur, shpenzimet e se cilës ishin pak të ekzagjeruara për pozicionin e saj modest me ato pak të ardhura prej të shoqit. Kjo ishte gjithçka. Im vëlla kish vajtur ta kërkonte në shtëpi por portierja i kish thënë se kish dalë e nuk ndodhej aty. Mandej, po prej saj, por, kundrejt një pagese si frëngu pulën, i kish thënë: “Zonja D. . . . . . është një grua shumë e mirë dhe burri i saj gjithashtu është burrë i mirë, jo mendjemadh; nuk janë të pasur por, janë bujarë.” Im vëlla për të mësuar diçka më shumë e kish pyetur: – Ç’ moshë ka tani fëmija e tyre? – Po ata nuk kanë fëmijë, zotëri, – i pat thënë ajo. – Si? Po vogëlushi Leon? – Jo zotëri, e kini gabim. – Po vogëlushi që zonja kish lindur gjatë qëndrimit të saj në Itali dy vite më parë? – Ajo nuk ka qenë kurrë në Itali, zotëri. Ajo nuk është larguar asnjëherë nga shtëpia që prej pesë vjetësh që banon në këtë shtëpi, – kish shtuar ajo më pas. Im vëlla i habitur, i pat bërë edhe ndërhyrje të tjera me karakter hetimi dhe kish mundur t’i shtynte edhe më tej hulumtimet e tij. -Pra, as udhëtim e as fëmijë. Unë isha i trullosur nga sa më kallëzoi ai, por nuk arrita të kuptoja pikësynimet e prapaskenat e kësaj komedie. – Dua të di gjithçka, – i thashë. Do ta ftoj të vijë nesër këtu. Ti do të qëndrosh këtu në zyrë në vendin tim. Nëse ajo ma ka hedhur, do t’i japësh këto dhjetëmijë franga dhe nuk dua ta shoh më, kam filluar të mërzitem shumë.

* * *

E besoni? Një ditë më parë isha mërzitur nga që kisha një fëmijë nga kjo grua, tani që mësova se nuk e kisha më, më irritonte, më poshtëronte, më bënte që të vuaja. U gjenda i lirë, i çliruar nga çdo detyrim, nga çdo shqetësim por. . . . . pak i xhindosur. Im vëlla të nesërmen e priste në studion time. Me të mbritur, ajo hyri me vrull, si zakonisht duke vrapuar me krahë hapur, por u ndal menjëherë e tronditur duke parë një të huaj para saj. Ai e përshëndeti duke i kërkuar ndjesë. – Ju kërkoj të falur, zonjë, që më gjeni mua këtu në vend të tim vëllai, por ai më ka ngarkuar të marr ndo shpjegime prej jush dhe se do të hidhërohej shumë po tju pyeste personalisht. Ndërkohë ia nguli asaj sytë dhe i tha ashpër. – Ne tashmë e dimë që ju nuk ki pasur ndonjë fëmijë me tim vëlla. Pas momentit të parë të shtangies, ajo kish rimarrë qëndrimin e saj, ishte ulur dhe e shihte duke buzëqeshur këtë lloj gjykatësi dhe fare thjesht u përgjigj: – Jo, unë nuk kam fëmijë. – Ne dimë që ju nuk keni qenë asnjëherë në Itali. Kësaj here qeshi me gjithë shpirt. – Jo, jo nuk kam qenë asnjëherë në Itali. Atëherë im vëlla i hutuar i tha: – Konti më ka ngarkuar të të them se gjithçka mes tij dhe jush tashmë ka mbaruar dhe të dërgon këto të holla. Ajo mori përsëri një sjellje serioze, i vendosi qetë- qetë të hollat në xhep dhe e pyeti pa të keq: – Pra nuk do ta shoh më kontin? – Jo zonjë. U duk e mërzitur dhe shtoi me një ton të qetë: – Gjynah, e kam dashur shumë. Duke e parë që ajo i merrte kaq qetë gjërat, im vëlla si me të qeshur i tha: – Shiko, mund të më thoni me sinqeritet pse e krijuat gjithë këtë histori te gjatë të fëmijës e të udhëtimit në Itali? Ajo e pa atë e habitur, sikur t’i kish bërë një pyetje prej budallai dhe u përgjigj: – Eh! Kjo, një dinakëri e hollë. Po besoni ju, që një borgjeze e vogël dhe e varfër si unë, do t’ia kish ndalë mbanë të mbante lidhje të tilla për tre vjet me kontin L…, një zotëri të madh, një burrë të modës, të pasur e joshës në se nuk do të përdorte një dinakëri të tillë? Tanimë mbaroi. Kjo gjë nuk mund të zgjaste për gjithnjë. Me çdo mënyrë ia dola për tre vjet. Juve do ta përshëndesni fort nga ana ime. Tha këto dhe u çua më këmbë. Im vëlla e pyeti përsëri: – Po fëmija? A nuk kishit një fëmijë që do ta shihte im vëlla? – Sigurisht, djalin e motrës sime. Ajo ma pruri atë në kohë. Unë vë bast që ajo ju ka njoftuar. – Mirë, po gjithë ato letra nga Italia? Ajo qëndroi për të qeshur me të madhe. – Oh! Ato letra. . . . është një poemë e tërë. Konti nuk ish aspak Ministër i Jashtëm, për asgjë. – Por. . . mund të ma thoni? – Ky është sekreti im. Nuk dua të komprometoj askënd për këtë. Pas kësaj, duke salutuar me një të qeshur gati si një këngë, doli e qetë nga studioja, si një aktore që kish debutuar rolin e saj.

 * * *

Dhe konti L. . . . shtoi si për moral: – Ec e besoju këtyre zoçkave të tilla. . . . . .

Botuar në “Zhil Blas” më 12 dhjetor 1882 me pseudonimin Mafrinioz.

Përktheu: Kristaq Kotonika

/Gazeta Express