Margaret Eleanor Atwood (1939), romanciere, poete dhe kritike letrare kanadeze. Romani i saj më i njohur është The Handmaid’s Tale. Ka fituar njç mori çmimesh, përfshirë dy Booker Prizes, Arthur C. Clarke Award, Governor General’s Award, Franz Kafka Prize, Princess of Asturias Awards dhe National Book Critics and PEN Center USA Lifetime Achievement Awards.
VDEKJE NGA GUASKA
Nga Margaret Atwood
Ju flet Hipatia* nga Alekksandria
Pse me guaska? Kisha kohë të pyetesha, megjithëse jo edhe aq kohë. Tashmë më kishin hedhur poshtë karrocës sime dhe më kishin tërhequr zvarrë nëpër rrugë – për flokësh, thanë disa më vonë, por krahët dhe këmbët e mia po ashtu dolën të jenë të volitshme për ata që po më tërhiqnin zvarrë. Mund t’i kenë sjellë guaskat me qëllim. Sigurisht se kishin një plan, do ta kenë menduar kohë më parë këtë. Pse të mos i përdornin thjesht thikat? Po pyes veten time tash. Shumë më efikase.
Por efiksiteti s’kishte qenë kurrë gjëja e parë që e kishin marrë në konsideratë. Ishin thellësisht të dhënë pas simbolizmit. Prandaj, guaskat mund të kenë simbolizuar diçka për ta, megjithëse nuk jam e sigurt se çfarë. Thuhet se edhe Afërdita ishte lindur nga një bivalvë e këtij lloji. Dy zhguaj që hapen, duke shfaqur një të brendshme të tultë, të njelmët, por të shijshme. Bëj ç’të duash prej saj.
Kështu pra më tërhoqën zvarrë nëpër rrugë, një rrugë kalldrëmi, meqë ra fjala; shumë gungore. Gjithë ata që po më tërhiqinin zvarrë ishin burra, sado që aty ishin edhe ca sehirxhesha, duke më shikuar me habi – a s’duhej të isha unë njeriu i besuar i nderuar i ligjvënësve në këtë qytet të zhvillluar, vibrues, tolerant dhe mbretëror të Perandorisë Romake të përnderuar? E nëse kjo gjë mund të më bënte vaki mua, sa më keq mund ta pësonin ato? Frikë, jo mëshirë a indinjatë, do të ketë qenë ndjesia e tyre e parë.
Asnjëra prej atyre grave që bënin sehir nuk më doli në ndihmë. I shtrënguan edhe më fort shamitë e tyre në fytyrat e tyre dhe ma kthyen shpinën, duke u bërë se nuk po shihnin as dëgjonin. Nuk i fajësoj. Ato thjesht mund të jenë përfunduar viktimë në radhën e tyre – dëm anësor, siç thoni ju tash. (A nuk e kam kthyer shpinën edhe unë kur ato tërhiqeshin rrugëve për në gjyqin e tyre të fundit? Po, e kam bërë. Por ato spektakle ishin të ligjshme, proteston një zë brenda meje. Ishin dekrete ekzekutimi për akte kriminale. Sidoqotë, e kisha kthyer kokën në anën tjetër. Është një rreshtim i drejtë. Nga disa perpektiva të tjera nuk është rreshtim aspak).
A thashë se në atë moment po bërtisja? Natyrisht se po bërtisja. Trupi bërtet e deshe ti a nuk e deshe këtë. Që të parandalosh bërtimën në rrethana të tilla duhet të praktikosh vetëkontrollin më të skajshëm dhe atë nga një moshë bukur e re. Duhet të stërvitesh për këtë. Unë s’kam bërë një gjë të tillë: nuk kam ecur mbi thëngjij të ndezur, nuk kam jetuar me akrepë në shpella, nuk kam futur gjilpëra të skuqura mes thonjve të mi. Isha matematiciene dhe mësuese, jo askete. Nuk kam ndier nevojë për kurrëfarë ushtrimi të vetëkontrollit. Prandaj kam bërtitur. Bukur fort.
Por bërtima është sigurisht poenta e torturave të tilla, në të vërtetë e çdo torture: tkurrja e personit në pikën bazike. E sheh? Nuk ekziston e ashtuquajtura jetë e mendjes. Ajo ishte krejtësisht një shtirje nga ana jote. Identiteti yt i vërtetë nuk asgjë është më shumë se kjo thelë e mishit të përvuajtur dhe ajo që mund të nxirret prej tij: ulërima, lutje, lëngje të llojeve të ndryshme. Opsionet në këtë doracak janë të kufizuara nga natyra e trupit të njeriut; janë vetëm pak gjëra që mund të bëhen me të.
Ishte një çështje shumë e zhurmshme. Britmave të mia iu shtuan edhe disa të shara të fuqishme. Kur marrin pjesë në turma vrasëse, njerëzit i cysin njëri-tjetrin me të shara entuzizmuese. Ju vetë jeni dëshmitarë të kësaj gjëje në ndeshjet futbollistike. “Abuzim i plotë”, është një mënyrë për t’i përshkruar ato të shara. Në rastin tim, abuzimi i plotë kishte të bënte me shpifjet rreth virgjërisë sime (“Kurvë e degjeneruar!”), rreth religjionit tim (“Panteiste e djallëzuar!”), rreth praktikave të mia magjike të supozuara (“Shtrigë e ndyrë!”) dhe rreth sugjerimeve brutale (“Bëjeni copa-copa!”).
Do t’ju kursej nga hollësitë e asaj që ndodhi më pas, meqë mund të jetë tejet e neveritshme për ju. Shumë veta në botën tuaj shkojnë me mendjen se ka pasur progres që nga ditët e mia, se njerëzit janë bërë më humanë, se mizoritë ishin të shumta atëbotë, por janë pakësuar në epokën tuaj, sado që unë nuk e di se si dikush që i ka kushtuar vëmendje këtyre gjërave mund të mbrojë një pikëpamje të tillë.
Lërmeni vetëm të përmend se kisha mbetur pa asgjë më. Ky është një rit banal në kremtime të tilla, një marrje e dhunshme e veshmbathjeve; pika e të qenit e poshtëruar. Pastaj më rropën për së gjalli me guaska, të cilat nuk ishin aq të mprehta, kështu që qërimi i lëkurës sime mori kohë më shumë se sa që pritej. Kjo zhvoshkje ndodhi në një shenjtëtore të krishterë, si një lloj i flijimit njerëzor për idenë e zotit të tyre, ma ha mendja. Oh, dhe m’i nxorën sytë, nuk jam e sigurt nëse para apo pas vdekjes sime. Po atë kohë isha duke shikuar nga një vend afër tavanit, pra me gjasë isha e vdekur. Po bëhej një poterë aq e madhe gjatë nxjerrjes së syve – aq entuziazëm, aq zell, aq padurim për të marrë pjesë – sa nuk arrija të kisha një pamje të qartë.
Në ditët tuaja ata do të kishin bërë fotografi me kamerat e telefonëve të tyre: duke pozuar dhe duke i mbajtur lart guaskat e tyre all të kuqe. Jam e përditësuar me praktikat dhe teknologjitë e fundit, siç mund ta shihni. Do të kishin bërë video duke m’i nxjerrë sytë. Njëri prej xhentelmenëve i vërtiti në dysheme dhe shkeli mbi ta. Isha e trishtuar nga kjo gjë. Kam qenë e kënaqur prore me sytë e mi, më kanë ndihur të vëzhgoj qiellin, të hartëzoj shtigjet e sferave hyjnore. “Lamtumirë, sytë e mi!”, pëshpërita.
Tash mund të shoh përsosshmërisht mirë pa ta. Në këtë fazë të të qenit, mund të shohim me anë të syve të të tjerëve. Tash unë po shoh me anë të syve tuaj.
Pasi që mori fund aksioni kryesor, trupi im u gjymtua dhe copat e tij u hoqën zvarrë, ose ju mund të thoni u parakaluan, përmes rrugëve deri te një lokacion jashtë Aleksandrisë ku digjeshin kriminelët. Pastaj ajo që kishte mbetur prej meje u bë hi aty.
Kishte pasur bukur shumë gjak, siç mund ta përfytyroni. Disa prej burrave i ndotën fytyrat e tyre me të. Disa prej tyre i lëpinë gishtat e tyre. Sehirxhinjtë u larguan soje. Sa prej tyre u çuan të nesërmen dhe fare thjesht s’e mbanin më mend çfarë kishin bërë? Disa prej tyre kishin gra. A kishin pyetur gratë, “E çka është ky gjak në tunikën tënde?”. Shumica prej tyre me gjasë s’i kanë pyetur fare. Burri me gjak në tunikën e tij është i prirur të jetë i ndjeshëm në lidhje me këtë. Teshat ishin rrahur për gurëve në rrjedhën e ujit ku bëheshin larjet e rrobave dhe gjaku im kishte rrjedhur brenda në lumë dhe prej aty kishte shkuar drejt e në det.
Gruaja duhet ta mbajë të mbyllur dhe të lajë çdo pisllëk që mund të dëshmojë turbullirat. Kështu që në shtëpi buzët ishin mbajtur të bashkuara, muhabetet ishin shmangur. “A dëgjove për vrasjen e gruas së mençur, të dashur dhe të respektuar, astronomes, filozofes, xhevahirit të Aleksandrisë dhe këshilltares së prefektit?”. Kjo fjali nuk ishte thënë.
Kryebanditi ishte lektor. Këta lektorë ishin të njerëz të arsimuar: s’keni pse të përfytyroni një turmë katundarësh injorantë. Sidoqoftë, dinin si të lexonin. Ose shumica e tyre. Megjithatë po sa kjo gjë mori dhenë, të gjitha sojet u bashkuan, çka është normale në raste të tilla. Kur është duke u zier diçka nxitëse, kush dëshiron të mbetet anash?
Kështu pra. Pse ndodhi? Arsye politike, thanë disa. Një luftë për pushtet mes prefektit të emëruar romak dhe peshkopit të krishterë se kush do ta kishte fjalën e fundit në çështjet që kishin të bënin me Aleksandrinë. Shok dhe tmerr ishin shprehur; ishin verifikuar qortime të lehta sado që apologjetike. – “Ky nuk është mesazhi thelbësor i besimit tonë”, e kështu e radhë. Një komision ishte ngrehur të merrej me këtë gjë. Truprojat e peshkopit ishin të përfshira, asgjë për t’u habitur – ato truproja ishin një bandë me nam gangsterësh dhe vrasësish – por asnjëri kurrë s’ishte vënë para drejtësisë. Ka siguri te numrat. Kush ma nxori syrin e parë? Dhe pas kësaj, kujt ia ndien kush çka ka bërë?
Në jetën e Përtejme është çështje tjetër, meqë ra fjala. S’ka sekrete më, gjithçka është e ditur. Ka gjyqe. Paraqiten provat: unë i ofrova sytë e mi të prishur, gjymtyrët e mia të nxjerra. (Imazhe të tilla kanë sjellë në jetë disa shenjtorë ikonikë, ishte besuar më vonë. Shën Katerina e Aleksandrisë, për shembull, me kokën e saj të prerë. Shën Lusia, me sytë e saj në pjatë, ose, në disa imazhe, në një trung me dy rremba dhe nga një sy në secilin, si një lornjetë).
Kurrë s’kam qenë person hakmarrës. I kam harruar vrasësit e mi, megjithëse shpagimi që morën në këtë botën tjetër nuk ishte në duart e mia.
Disa kanë thënë se vrasja ime ishte pikë kthese, se ka shënjuar fundin e të ashtuquajturës botë antike. Sigurisht një ikonoklazmë e përgjithshme kishte zënë vend menjëherë. Të krishterët në ardhje shkatërruan gjithçka që sillnin ndërmend zotat dhe gjysmëzotat të cilëve dikur njerëzit u kishin besuar dhe i kishin përnderuar. Statuja, mbishkrime, fontana, mozaikë, afreska, vazo, përgamena, papirë – të gjitha duhej të shkatërroheshin. Kur gjeni fragmente të botës sonë të zhbërë – Artemisa pa hundën dhe gjymtyrët e saj, Zeusi me një penis të thyer, një nereidë pa duar, një driadë pa këmbë – ju kërceni përpjetë nga gëzimi për thesarin që keni gjetur. Diçka e paçmueshme, thoni ju. Dhe kështu do të jetë me botën tuaj kur t’i vijë radha. Topi i shkatërrimit tashmë i është përveshur punës me zell, sado që jo në emër të religjionit, ose jo edhe aq.
Por megjithëse arti i vjetër është shkatërruar, ndërkohë është krijuar arti i ri dhe një pjesë e tij është krijuar prej meje. Nëpër shekuj kam qenë temë e shumë veprave; mbizotërojnë statujat klasike me vetulla të fisme; të cilat më paraqesin shumë më të re dhe më të pashme se sa që isha në të vërtetë. T’i bëjmë ca llogari: unë isha të paktën pesëdhjetë vjeçe në kohën e vdekjes sime; thënë sinqerisht gati se gjashtëdhjetëvjeçare. Duke qenë se askush nuk mund ta kujtojë me të vërtetë se si dukesha – edhe imazhi im në kujtimet e shokëve të mi më të ngushtë është turbulluar kur e kanë marrë vesh fundin tim të përgjakshëm – skulptorët kanë pasur dorë të lirë dhe e kanë shfrytëzuar rastin. Çfarë flokësh më janë dhënë! Çfarë posturash të mrekullueshme! Çfarë draperish të hijshme! Nuk po i përqeshi. Pyeteni veten: A do të donit më parë të memorializoheni siç jeni në të vërtetë, me lytha e me çka keni, apo si një version i shtuar? Tregohuni të ndershëm tash.
Përveç atyre statujave ka pasur edhe një mori pikturash të një varieteti gati se pornografik; shumica nga shekulli XIX – një epokë posaçërish pornografike, kam vënë re. Ajo që u interesonte atyre piktorëve ishte me gjasë fakti se m’i kishin zhveshur teshat, çka u lejonte atyre të më pikturonin një grua lakuriqe në gjëmë, diçka përherë në ineteresin e një lloji të caktuar të njerëzve. Në shumë prej atyre pikturave trupi i grave nuk ka rroba fare; prapëseprapë, pavarësisht se isha tërhequr zvarrë rrugëve të kalldrëmta siç jua kam përshkruar, nuk gjeni aty as edhe një gërvishtje timen të dukshme.
Në pikturën më alarmuese, trupi im – ai i një njëzet e pesë vjeçareje – është një pesh i vdekur i bardhë gjelbërosh. Është zbukuruar me ca flokë të gjata deri në dysheme, ngjyrë portokalli, të cilat i mban përpara zonës së saj pubike me njërën dorë, ndërsa dorën dhe krahun tjetër e ngre lart në gjest mbrojtjeje. E pafrytshme, siç na ka treguar historia në mënyrë aq emfatike. Historia përherë na thotë gjëra të tilla, piktorët i pikturojnë përherë ato, ose e bënin atyre kohëve kur ende pikturonin imazhe të njerëzve dhe incidente në vend se të vishnin pemët me copa rrobash e kështu me radhë. Napoleoni në mëngjesin e Vaterlosë. Trapi i Meduzës. Detyra e Brigadës së Lehtë. Unë vetë, pak para se të më rrjepje lëkura dhe të më shkuleshin gjymtyrët. E dimë si janë dhënë këto gjëra.
Po tash që kam qenë e vdekur prej kaq kohësh, cila është domethënia ime? Për ju, është, në botën tuaj, vendi i të jetuarit të përkohshëm? Mund të më quani me fat që megjithatë kam një domethënie: shumica e njerëzve që kanë qenë të vdekur për aq kohë sa edhe unë nuk kanë asnjë domethënie, ngase asnjëri s’ka lënë asgjë fare të ditur për ta. Janë shkrirë si akulli, janë davaritur si tymi.
Unë, nga ana tjetër, vazhdoj të ekzistoj në mesin tuaj, por si një shumëfishësi. Padrone e shkencëtareve gra. E fundmja e helenëve. Figurë minore në historinë e neoplatonizmit. Martire e filozofisë. Ikonë e feminizmit, sado që do t’ju shkonte mendja se duhej të zgjidhnin dikë më me fat. Heroinë e disa dramave dhe romaneve jo aq të mira, veçse ende asnjë film as seri televizive. Temë e poezive të ndryshme të keqija, sado që me mëtime serioze. Dhe, ironikisht, shembull i virtytit të krishterë. E tash kjo duhet t’ju bëjë ta vrisni mendjen.
Por ju më keni ftuar këtu për një arsye. Donit t’ju tregoja çka kishe ndodhur në të vërtetë dhe unë e bëra këtë. Tash ju po ma parashtroni edhe një pyetje tjetër: A ia ka vlejtur? Jeta ime. Jeta që kam zgjedhur ta bëj. A do të kisha qenë më e lumtur sikur të mos kisha qenë kurrë figurë e respektuar publike, sikur të kisha ndjekur shtegun standard të gruas së atëhershme – të martohesha, të kisha fëmijë? S’mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, përveç të them se kur bëhet një zgjidhje e veçantë përjashtohen alternativat. Mbase s’do të kisha marrë fund kështu në dorën e kasapëve, por kurrë s’mund ta dini. Shumë gra të panjohura janë torturuar për vdekje thjesht pse kanë ekzistuar.
Po përpiqen të shoh anën e ndritshme: nuk do të jem e detyruar të duroj zemëratat e moshës së shtyrë ekstreme. Çka është më mirë, pyes veten, pellgu a perëndimi i diellit? Secila e ka sharmin e vet.
Shënim:
Hipatia – (lindur mes viteve 350–370 – vrarë më 415), ka qenë filozofe neoplatoniste, astronome dhe matematiciene nga Aleksandria e Egjiptit.
/Marrë nga Margaret Atwood, ‘Old Babes in the Wood’, Penguin, 2024
/Gazeta Express