Tregimi i javës/ Marcellus Emants: Një ekscentrik - Gazeta Express
string(47) "tregimi-i-javes-marcellus-emants-nje-ekscentrik"

Arte

Gazeta Express

12/09/2025 14:58

Tregimi i javës/ Marcellus Emants: Një ekscentrik

Arte

Gazeta Express

12/09/2025 14:58

vepra e të cilit është një nga pak shembujt e Natyralizmit holandey. Romani i tij më i njohur është Rrëfimet postume, 1894

NJË EKSCENTRIK

Nga Marcellus Emants

Z. ishte përfshirë në një tavolinë debati në një klub. Kështu që ka ka mundësi të mos ketë ekzistuar fare. Porse përshkrimi ishte si në vijim: sipas Z-së krijimi ishte një akt i marrë i Absolutës, si rezultat i të cilit ne jemi të ndëshkuar të jetojmë në absurditet, të veprojmë në absurditet, të durojmë absuriditetin. Z nuk e trumbetonte rreth kësaj doktrine. Përkudrazi. Rëndom refuzonte të fliste për të; ai përgjithësisht është fjalëpak. Si rezultat i kësaj, Z nuk ka miq dhe shumë rallë mabn kontakte me të njohurit e vet. Prandaj shumë njerëz e konsiderojnë të marrë, gomar ose shtiracak; por ata që nuk duan të gjykojnë nga distanca, apo nga dukja, nuk shkojnë me mendjen se Z i meriton ato gjykime aq të pafavorshme. Ka edhe nga ata që e shohin atë si një mendimtar të shkëlqyeshëm, i cili fatkeqësisht e ka mungu ambicien e mjaftueshme që t’i botojë idetë e veta. Se ai është ekscentrik, askush nuk i bie mohit, dhe në rrugët boshe të qytetit të qetë ku jeton, Z nuk mund ta nxjerrë këmbën jashtë shtëpisë së tij pa qenë shenjestër e shakave, ose të paktën pa u bërë fjalë për të. Perimtari, duke u zgërdhirë gjithë kohës, i thotë vajzës së kuzhinës që ia hap derën se sapo e ka parë atë gdhënë me kapelën e tij të madhe të çlirët dhe pelerinën e tij të përjetshme. Djemtë e shkollës pyesin shokët e tyre të klasës kush dreqin është ai burri, që ecën përherë vetëm dhe shikon drejt përpara si të ishte i xhindosur. Mysafiri në klub pyet shokët e vet anëtarë të klubit: çfarë lloj personi është Z, çka bën dhe si jeton? Me atë mjekrën e gjatë dhe flokët e gjata duket si predikues rruge; por kurrë nuk predikon.

Ka edhe nga ata që e klasifikojnë Z-në në mesin e shurdhmemecëve. 

E vërteta është se Z, i cili e nxjerr jetesën nga një shumë kapitale e vockël, nuk bën asgjë, nuk do asgjë dhe se shumica e njerëzve nuk mund ta marrin me mend një ekzistencë të tillë, ndërsa për Z-në kjo mënyrë e të jetuarit është mënyra e vetme e veprimit me sa më pak absurditet që është e mundur, e përhapjes sa më pak absurditet që është e mundur dhe e të pasurit sa më pak halle që është e mundur nga absurditeti. Kësodore – i kishte thënë njëherë dikush Z-së – ju qenkeni filozof. Sidoqoftë, Z e kishte mohuar këtë me mbarë vendosmërinë e mundshme. Nga të gjithë njerëzit absurdë – dhe sipas tij njeri i gjallë nuk i shpëton absurditetit – ai i quan filozofët ndër më absurdët, se ata mundohen t’i japin kuptim të të pakuptimtes, çka gjithsesi është e pamundshme.

Z rrallëherë ia lejon vetes të japë një shpjegim më të gjerë rreth vizioneve të tij mbi jetën. Nëse gjërat shkojnë aq larg, ai ia nis si në vijim: Cila është gjëja e parë që bën një qenie e sapolindur? Thith. Pse e bën këtë? Të mbetet gjallë. Tash a nuk është absurde që dikush që nuk di asgjë për jetën në përgjithësi dhe në veçanti nuk e di nëse jeta e tij do të jetë sipas shijes së tij, prapëseprapë menjëherë dëshiron të mbajë atë jetë? Dhe qeniet njerëzore, që janë dhe mbesin të verbra rreth së ardhmes së tyre, vazhdojnë me këtë absurditet derisa t’u jetë shterur edhe pika e fundit e gjallërisë së tyre. Nëse ai nuk mund të shohë ose dëgjojë virtualisht asgjë, nuk ka më ndonjë limb të trupit të vet që e mban nën kontrollin e vet ashtu siç duhet, nëse ai, nga gjesi në mbrëmje dhe shpesh gjithë natën e lume, nuk ka asgjë tjetër për të bërë veçse të përballet me dhimbjen dhe të durojë mizerien, ai prapë përpiqet të zgjasë ekzistencën e tij të mjerë me të gjitha llojet e melhemeve. A nuk është absurde kjo? A nuk është po ashtu absurde që ne dënojmë, ndiejmë neveri nga ose ankohemi për vetëvrasjet – njerëzit e vetëm vërtet të ndjeshëm?

E çka bën një person posa që arrin tek llokma e fundit e njohjes së botës përreth tij? A nuk është absurde edhe kjo? E mbështjell litarin përreth krahut të karrigës, ulet mbrapa saj me një kamzhik në dorën e tij dhe përfytyron se, në një karrocë të tërhqur nga kuajt, po shkon përpara. Nuk është e pakuptimtë? Tund kukullat në dorën e tij, i vesh, u jep ushqim dhe pretendon se janë fëmijë. A nuk është e pakuptimtë? Kur rritet paksa, detyrohet të dyndë rradaken me mijëra fakte gjoja se të dobishme, për të cilat s’do ta çajë kojën më kurrë më vonë, ose do t’i quajë të pasakta dhe do t’i heqë qafe në kohën kur mund t’i përdorë. Për të mos i mbetur borxh njeriut mund të thuhet se në të ri të tij ai vetë e konsideron këtë skajshmërisht absurde dhe e bën vetëm… ngase të marrët e moçëm, do të thotë prindërit e marrë, e detyrojnë ta bëjë, nga frika se po kultivojnë një brez që do të mund të shihte, në një mënyrë të drejtpërdrejtë, absurditetin e gjithë kësaj. Por para se ai t’i mbarojë studimet e tij, e zhyt veten në absurditetin më të madh të mundshëm kur bie në dashuri dhe dëshiron të martohet. Dashuria! Arti ynë i pakuptimtë zë vend në të; po unë po ju pyes: a mund të na jepet diçka më e çmendur se dashuria? Shikoni përreth nga të doni dhe do të shihni se njerëzit nga dallojnë nga njëri-tjetri gjithaq, as së jashtmi as së brendshmi. Përveç ca kurrizdalëve, kapriçozëve, abnormaliteteve të rralla dhe kriminelëve të mëdhenj… po edhe te ta mund të njihet fare lehtë lloji njerëzor… individët shfaqin diferenca krejt të vogla fizike dhe mendore. Prapë, një person i dashuruar papritur përplaset për idesë së pamend se një qenie, ekzistenca e së cilës dje as që i shkonte në mendje, është në të gjitha aspektet së brendshmi dhe së jashtmi një ideal, e ngritur lart mbi të gjitha qeniet e tjera të së njëjtës specie. Dhe që të shfaqë budallallëkun e tij qartë, ai shkon me mendjen të pretendojë një lloj të drejte të posedimit mbi atë ide. Nuk mund të marrë me mend më ekzistencën e vet ndaras nga ajo e asaj qenies tjetër dhe ëndërron kënaqësitë më të mrekullueshme që do t’i kishte po të mund të bashkohej me të për gjithë jetën e lume. Gjithë ajo që të tjerët posedojnë: sytë, goja, duart, pra, edhe ato pjesë që ai nuk i ka parë ende, e bëjnë të shastiset nga dalldia dhe pa asnjë gjurmë ose hije dëshmie, ai ia përshkruan qenies që adhuron të gjitha cilësitë e zemrës dhe mendjes, që në jetën e përditshme kualifikohen si e bukur, e fisme dhe e mirë. Se një person nuk është përgjegjës për veprimet e tij në atë periudhë pështjellimi pranohet përgjithësisht; por askush nuk i bie në të se dashuria duhet të shihet vetëm si një intensifikim i përkohshëm e dobësisë së vazhdueshme: gjallërisë. 

Posa të martohet – me fjalë të tjera, posa të marrë në posedim objektin e afeksionit të tij të çmendur – ai bën çmos të shtojë kufijtë dhe dhimbjet e jetës së tij, megjithëse vazhdimisht i vajton ata kufij dhe ato dhimbje. Ai po ashtu konsideron se ata kufij dhe ato dhimbje i janë imponuar atij, për hir të përmirësimit të tij moral, të cilin mund ta shijojnë ata përreth tij, por ai vetë kurrë jo. Ai i shton ata kufij dhe ato dhimbje kryesisht duke sjelëë në këtë botë fëmijët e tij, të cilët e vazhdojnë marrëzinë e tij, të cilët e torturojnë dhe shpotisin me të, ndërkohë që ata ende nuk mund të qëndrojnë në këmbët e tyre dhe ta lënë në trashëgiminë e tij sa më shpejt meqë ai pret rikompenzim prej tyre për tërë që ka harxhuar për t’i rritur dhe për tërë atë që ka duruar për hir të tyre. Veç sikur kjo lakmi e marrë ta kishte çuar deri aty sa t’i blinte a merrte me qira ata! Paskëtaj tekembramja do të kishte qenë në gjendje të vlerësonte atë që kishte arritur. Po kjo s’do të kishte me qenë mjaft absurde. Një grua që refuzon të blejë gjënë më të vogël të mallrave pa e pas ndier së pari dhe pa e provuar qëndrueshmërinë e saj nuk ka drojë fare të përballojë dhimbjen më të tmerrshme të lindjes së fëmijëve, megjithëse është krejtësisht e pasigurt nëse do të jenë ose jo të prekur nga çrregullimet më të frikshme të trupit dhe mendjes. Dhe që të dy prindërit i duan ato krijesa madje edhe para se t’i kenë parë. Nuk do të sakrifikojnë një gulden të vetëm në lotarinë e miliona çeqeve të pavlerë dhe një çmimi të vetëm; por heqin dorë nga qetësia përkatëse, liria përkatëse dhe ekzistenca relativisht moskokëçarëse e tërë pjesës së mbetur të jetëve të tyre me mendjelehtësinë më të madhe për shansin fort problematik që të jenë në gjendje të shijojnë një copë të vockël të kënaqësisë nga fëmijët e tyre. 

Dhe ndërkohë që gruaja është e zënë me fëmijët, burri robëtohet dhe djersitet që të demolojë atë që paraardhësit e tij e kanë ndërtuar dhe të ndërtojë vepra të reja për të afërmit e tij, të cilat pasardhësit e tij në radhën e tyre do t’i shkatërrojnë thjesht si të përbuzshme. Përveç nëse vetë ato vepra nuk janë të përfunduara dhe askush nuk e çan kokën më rreth pirgjeve të qelbura të rrënojave. Se njëri shihet përnjëmend me zili gjatë punës së tij nga idiotët, të cilët janë edhe më të sëmurë se sa ai vetë, është diçka që nënvlerësohet dhe nënçmohet nga ata si i çmendur, që merr vetëm sëmundjen e të afërmve të vet dhe jo dobësinë e tyre, ai vetë sheh vetëm një të keqe të lindur te secila punë dhe në verbërinë e tij ai mallkon asgjë-bërësit, të cilët, fare pakëz më pak të çmendur se ai vetë, e kanë pyetur veten: pse duhet t’i mbaj mbi supe gjithë ata kufij; a nuk është mjaftueshëm keq të jesh i detyruar të jesh gjallë? Nëse punëtori merr nga qeveria – të cilën ai natyrisht se e urren, ngase askush nuk dëshiron të jetë i qeverisur – një copë shiriti në kopsën e tij si një nder dhe shpërblim… atëherë ai dëshmon… njeriu që kishte qeshur me dekoaratat e të tjerëve… se nuk është asnjë grimë më i ndjeshëm se në fëmijërinë e tij, kur ulej mbi një kalë të drunjtë qejfi, imagjinonte se dadoja e merrte për gjeneral. Oh, Z përfundonte atëherë, merreni parasysh aktivitetin njerëzor harbues kur të doni dhe nëse nuk jeni tejet të helmuar nga iluzionet e një instinkti të çmendur jetësor, atëherë do të shihni marrëzinë e gjithë kësaj gjëje shumë shpejt. Shikoni, për shembull, se si qeniet njerëzore luftojnë pa reshtur kundër të ligave që i gërryejnë ata dhe në të njëjtën kohë bëjnë më të mirën e tyre që të mbajnë të sëmurin gjallë, atë nga i cili përjetësohen ato të liga. Dëgjojini se si kuvendojnë për to përjetësisht dhe i dëshmojnë, megjithëse e pranojnë se nuk dinë asgjë. Shikoni se si e dnerojnë të vërtetën si diçka të shenjtë dhe vazhdimisht gënjejnë dhe mashtrojnë njëri-tjetrin qoftë për një gjë të vogël qoftë për një gjë të madhe. Vini re se si çdonjëri vlerësohet pas vdekjes së tij, por përçmohet, pengohet dhe bile edhe përndiqet gjatë jetës së tij. Mendojeni pak se si ata njerëz e konsiderojnë jetën e hershme si gjënë më të çmueshme që posedojnë, sine qua non për të shijuar gjithçka tjetër dhe mendojeni pak se me sa mendjelehtësi sillen ata me atë jetë, rrasin kokën në aventura të pamendëta, e bëjnë më të shkurtër me sjelljen e tyre, e flijojnë për trille të imagjinatës si dashuria, atdheu apo nderi. Ngado që të shikoni, shihni absuriditetin dhe është mirë që njerëzit kanë nisur më në fund ta kuptojnë këtë. Shumë vite më parë ata kishin filluar të trajtonin kriminelët më të këqinj si të çmendur; në epokën tonë ne po shqyrtojmë ngritjen e të ashtuquajturave azile për të degjenruarit dhe mund të mos shkojë gjatë para se e gjithë shoqëria të ndërtohet me modelin e një çmendine gjigante me një sistem tutele gjyqësore. 

Mbase kjo do të jetë kumti i një periudhe lumturie relative për njerëzimin; po për aq kohë sa qeniet njerëzore përpiqen t’i japin kuptim të së pakuptimes, puna e tyre është pashmangshmërisht e dënuar të dështojë. 

Kur narratori mbaroi rrëfimin për filozofinë e Z-së, shumica e anëtarëve të tavolinës së debatit nuk mund të kishin një përgjigje më të mirë se sa një të qeshure mëshiruese dhe përbuzëse. Sidoqoftë, njëri tha: Ajo çka ky njeri po mendon nuk është edhe aq e marrë. Cilido që e pranon se është i marrë, padyshim se ësht i tillë, dhe cilido që nuk e pranon këtë me gjasë është tashmë tepër i marrë për t’i rënë në të gjendjes ku është. Pikëpamja e të tjerëve rreth këtij folësi qe: një i marrë tjetër. 

/’The Penguin Book of Dutch Short Stories’, Penguin, 2016

/Përkthimi: Gazeta Express