Lydia Davis (1947), lindur më Northampton, Massachusetts, ka studiuar muzikë dhe letërsi në Barnard College të New York-ut.
Ka debutuar më 1976 me ‘The Thirteenth Woman and Other Stories’, ka botuar po ashtu një roman dhe disa përmbledhje tregimesh, si dhe ka përkthyer nga frëngjishtja Marcel Proust-in, Maurice Blanchot-in dhe Gustave Flaubert-in.
Tregimet e saj të karakterizuara nga flash fiction dhe shpesh të krahasuara me monologë filozofikë, janë vlerësuar më 2013 me Man Booker International Prize.
FRIKA
Herët fare në mëngjes, njëfarë gruaje në komunitetin tonë doli me turr jashtë shtëpisë së saj me çehren e saj të bardhë dhe pallton e saj që farfuriste egërsisht. Ajo briti «Ndihmë, ndihmë», dhe dikush nga ne ngarendi drejt saj dhe e shtrëngoi fort derisa pushoi frika e saj. Ne e dimë se ajo është duke e marrë veten; në të vërtetë s’kishte ndodhur asgjë me të. Por ne e kuptojmë, ngase është zor të gjesh ndokënd mes nesh të cilit s’i ka bërë vaki ndonjëherë të bëjë atë që kishte bërë ajo dhe çdo herë na i ka shterur të gjitha fuqitë, bile edhe fuqitë e miqve dhe familjarëve tonë, për të na qetësuar.
SHËTITJA
Një shpërthim zemërimi bri udhës, një refuzim për të folur në shteg, një heshtje në pemën e pishës, një heshtje përçark urës së moçme hekurudhore, një orvatje të jesh miqësor në ujë, një refuzim t’i japësh fund një muhabeti në një gur të rrafshët, një britmë zemërimi në ledhin e pjerrët të pisllëkut, një derdhje lotësh në mes të kaçubeve.
NJË NJERI TJETËR
Natën ai ishte një njeri tjetër. Po qe se ajo e njihte atë si ishte në mëngjes, natën ajo e njihte me shumë vështirësi: një burrë i zbehtë, një burrë i thinjur, një burrë në një triko të kafenjtë, një burrë me sy të errët që mbante distancë prej saj, që preket, që nuk ishte i arsyeshëm. Në mëngjes, ai ishte mbret i trëndafiltë, shkëlqyes, faqe lëmuar dhe mjekër lëmuar, që mbante erë parfum talku, duke dalë në dritën e diellit me një përqafim të madh në mantelin e tij të kuq të leshtë mbretëror…
Marrë nga Lydia Davis: The Collected Stories, Farrar, Straus and Giroux, 2009
/Përkthimi: Gazeta Express
Në një organizim të veçantë, Fondacioni “UBT Jim Xhema” ka ndarë bursa për studentët më të dalluar të UBT-së. Ky...