Junot Díaz (1968) ka debutuar për përmbedhjen me tregime “Drown”, më 1996. Më 2007 ka botuar romanin “The Brief Wondrous Life of Oscar Wao”, për të cilin i janë ndarë më 2008 Pulitzer Prize, the John Sargent, Sr. First Novel Prize, National Book Critics Circle Award, Anisfield-Wolf Book Award dhe Dayton Literary Peace Prize. Fiksioni i tij është botuar në African Voices, Best American Short Stories (1996, 1997, 1999, 2000), në The Pushcart Prize XXII dhe në The PEN/O. Më 2009 është nderuar me Henry Prize Stories.
SI TË TAKOSH NË VAJZË ZESHKANE (VAJZË ZEZAKE, VAJZË TË BARDHË, OSE HALFIE)
Nga Junot Díaz
Prit derisa vëllai yt, motra jote dhe nëna jote të dalin nga apartamenti. Ti tashmë u ke thënë se po ndiheshe bukur keq që të mund të shkoje në Union City të vizitoje atë tia-n të cilit ia ka ënda të ta thyejë rradaken. (Ai po bëhet gjatosh, do të thotë ajo). Dhe sado që mamaja jote e dinte se nuk ishe i sëmurë ti i re po atij avazi derisa në fund ajo tha, Hajt rri pra, malcriado.
Nxirre djathin qeveritar* nga frigoriferi. Nëse vajza është nga Terrace, vëri pakot në kutitë e frigos. Nëse ajo është nga Park apo Society Hill, atëherë fshihe djathin në dollapin mbi furrë, ku ajo s’do ta shohë kurrë. Lëre një letër përkujtuese nën jastëk që ta heqësh djathin para se të gdhijë ose mamaja jote do të ta ndreqë samarin. Largoje çfarëdo fotografie bezdisëse të familjes tënde në campo, posaçërisht atë me fëmijët gjysmë lakuriq duke e tërhequr zvarrë një dhi me tërkuzë. Fshihe fotografinë tënde me atë afron. Sigurohu që banjoja të jetë e paraqitshme. Meqë tualeti nuk mund t’i përpijë letrat e tualetit, vendose kovën me të gjitha letrat e neveritshme përposh duarlarëses. Spërkate kovën me Lysol dhe ule kapakun.
Bëj një tush, krehu, vishu. Ulu në kauç dhe shiko Tv. Nëse ajo është e huaj, do ta sjellë i ati, mbase mamaja e saj. Prindërit e saj s’do të duan që ajo të takohet me ndonjë djalë nga Terrace – njerëzit theren me thika në Terrace – po ajo është kokëfortë dhe kësaj here do të dalë e saja. Nëse është vajzë e bardhë, ti je i sigurt se më e pakta do të të masturbojë me dorë.
Shpjegimet që ia ke dhënë asaj ishin bërë me dorëshkrimin tënd më të mirë, kështu që prindërit e saj s’do të mendojnë se je farë idioti. Ngrihu nga kauçi dhe kontrolloje parkingun. Asgjë. Nëse vajza është lokale, mos u lodh. Do të jepet pas teje sapo të jetë rehat dhe e gatshme. Nganjëherë do të vrapojë pas miqve të saj, një shoqëri e tërë do të mblidhet rreth saj dhe sado që kjo do të thotë se për ty nuk do të ketë gjë prapëseprapë do të jetë këndshëm dhe ti do të dëshirosh që ata njerëz të vijnë edhe më shpesh. Nganjëherë vajza s’do jepet fare pas teje dhe të nesërmen në shkollë do të thotë, Më fal, dhe do të buzëqeshë, dhe ti do t’i besosh dhe do të jesh mjaftueshëm hajvan sa t’i kërkosh të dilni edhe njëherë.
Ti pret dhe pas një ore shkon te qoshku yt. Lagjja është e ngulfatur nga trafiku – busët e zonës tash kalojnë përmes lagjes – duke e bërë edhe më të vështirë për fëmijët dhe veijas-ët, të cilët janë mësuar me rrugët e lira. Thirre ndonjërin nga miqtë e tu dhe kur ai të pyet, Ende je duke e pritur atë bushtrën?, thuaji, Dreqin, po.
Kthehu mbrapa. Thirr në shtëpinë e saj dhe kur ta ngrejë telefonin babai i saj pyet a është ajo aty. Nëse ai tingëllon si drejtor shkolle apo shef policie, si një tip me qafë të trashë, dikush që kurrë s’ka nevojë të shikojë mbrapa, atëherë mbyllja. Ulu dhe prit. Dhe prit. Derisa në fund, tamam atëherë kur stomaku yt s’do të mbajë më, një Honda, ose mbase një Cherokee, do të avitet dhe ajo do të dalë jashtë.
Hej, do të thotë ajo.
Eja brenda, do të thuash ti.
Shiko, do të thotë ajo. Mamaja ime dëshiron të të takojë. Po bëhet shumë merak për hiçgjë.
Mos bëj panik. Thuaj, Tung, pa problem. Fute dorën në flokët e tua siç bëjnë djemtë e bardhë, sado që e vetmja gjë që futet lehtësisht përmes flokëve të tua është Afrika. Ajo do të duket mirë. Vajzat e bardha janë ato të cilat ti i do më së shumti, a s’është kështu? Por ato jashtë qytetit janë zakonisht zezake – vajza zezake që janë rritur me balet dhe Girl Scouts dhe i kanë tri vetura në rrugën e tyre automobilistike. Nëse ajo është halfie**, mos u habit pse nëna e saj është e bardhë. Thuaji, Tung. Ajo do të thotë, Tung, dhe do të shohësh se nuk ta ka frikën, jo njëmend. Ajo do të thotë se i duhen shpjegime më të thjeshta për të dalë dhe sado që ajo tashmë e ka shpjegimin më të mirë në dorën e vet, jepja edhe një sish. Bëje të lumtur.
Nëse vajza është nga Terrace, asnjë nga këto gjëra s’do të ndodhin.
Ke zgjidhje. Nëse vajza është nga anët e tua, çoje tek El Cibao për drekë. Porosit çkado me spanjishten tënde të çalë. Mrekulloje atë nëse është zezake, lëre të të korrigjojë nëse është latine. Nëse ajo nuk është nga anët e tua, s’prish punë as ajo nga Wendy. Rrugës për në restorant foli për shkollën. Vajzat lokale nuk ua kanë nevojën historive rreth fqinjësisë, por ato të tjerat po. Foli për pendejo-n, që i ka ruajtur me vite disa boca të gazit lotsjellës në bodrum derisa një ditë shpërthyen të gjitha dhe lagjja mori një dozë të materialit ushtarak. Mos i trego se mamaja jote e kishte kuptuar menjëherë për çka bëhej fjalë, se e kishte njohur erën nga koha kur Shtetet e Bashkuara kishin pushtuar ishullin tënd.
Shpresoj të mos i dalësh përpara nemesisit tënd, Howiet, djaloshit portorikan me dy qentë e rrugës vrasës. Ai i shtëtit ata nëpër lagje dhe herë pas here qentë e vënë në qosh ndonjë mace dhe e bëjnë copa teksa Howie qesh dhe macja fluturon në ajër, qafa e saj përdridhet si ajo e kukavajkës, mishi i kuq duket përmes gëzofit të butë. Nëse qentë e tij nuk i vihen pas ndonjë maceje, atëherë ai do t’iu vihet pas juve, duke pyetur, A është kjo shoqja jote e qirjes?
Lëre të flasë. Howie peshon dyqind paundë dhe mund të të hajë për së gjalli po deshi. Por te fusha do të kthehet në anën tjetër. Ka të veshura snikersa të reja dhe nuk dëshiron t’i përbaltë. Nëse vajza është e huaj, atëherë ajo do të vërshëllejë, Çfarë hajvani i qirë. Një vajzë shtëpie do t’i ishte çirrur gjatë gjithë kohës, përveç nëse është e druajtur. Për çdo rast, mos u ndiej keq pse nuk po arrin ndonjë gjë. Kurrë mos e humb betejen në takimin e parë.
Dreka do të jetë e tensionuar. Nuk je i mirë në muhabete me njerëz që nuk i njeh.
Dikush që është halfie do të të thotë se prindërit e saj janë takuar në Lëvizje. Pasandaj, ajo do të të thotë, njerëzit mendonin se ishte diçka radikale. Do të tinëllojë si diçka që prindërit e saj e kanë bërë ta mësojë përmendësh. Vëllai yt dëgjoi po ashtu dhe tha, Më duket tamam si puna e Xha Tomit. Mos e përsërit këtë.
Vëre poshtë hamburgerin tënd dhe thuaj, Do të ketë qenë e vështirë.
Ishte, do të thotë ajo. Do ta çmojë interesimin tënd.
Do të të flasë edhe më tepër. Zezakët, do të thotë ajo, më trajtojnë shumë keq. Ja pse nuk më pëlqejnë. Do ta marrësh me mend si ndihet ndaj domenikanëve. Mos e pyet. Lëre të flasë rreth kësaj dhe pasi të kesh përfunduar së ngrëni kthehu mespërmes lagjes. Qielli do të jetë i mahnitshëm. Ndotjet e kanë bërë perëndimin e diellit në Jersey një prej mrekullive të botës. Përmendja. Preke në supe dhe thuaji, A nuk është e lezetshme?
Bëhu serioz. Shiko Tv, por mbaj vesh. Rrufite ndonjë gllënjkë nga Bermudez që babai e ka lënë në dollap, të cilën s’e prek me dorë askush. Ajo do të pijë mjaftueshëm që të bëhet e gjallë. Vajzat lokale do të kenë supe dhe vithe të bukura, por s’do të nxitohen të të lënë t’i prekësh. Ajo duhet të jetojë në të njëjtën lagje me ty. Thjesht do të mund të kalonte pak kohë të mirë me ty dhe të shkojë në shtëpi. Mund të të puthë dhe pastaj të largohet. Ose mund të, po qe e pavëmendshme, dorëzohet, por kjo është gjë e rrallë. Të puthurit mund të jetë gjë e kënaqshme. Një vajzë e bardhë mund të dorëzohet në atë moment. Mos e ndalo. Ajo do ta nxjerrë nga goja çamçakezin, do ta ngjesë për mbulojës plastike të sofasë dhe pastaj të ngjitet për teje. Ke sy të lezetshëm, mund të të thotë.
Thuaji se të pëlqejnë flokët e saj, lëkura e saj, buzët e saj, ngase, thënë të vërtetën, ti i do më shumë ato se sa që i do të tuat.
Ajo do të thotë, Më pëlqejnë djemtë spanjollë, e edhe pse ti kurrë s’ke qenë në Spanjë, thuaji, Ti më pëlqen. Do të tingëllosh lajkatar.
Do të rrish me të deri në orën tetë e tridhjetë, pastaj ajo do të dëshirojë të lahet. Në banjë ajo do të këndojë me vete një këngë nga radioja dhe beli i saj do të përplaset për cepit të duarlarëses. Mendo për zonjën e saj që do të vijë ta marrë dhe imagjinoje se çfarë do të mund të thoshte po ta dinte se vajza e saj sapo ka qenë e shtrirë përposh teje dhe e ka pëshpëritur emrin tënd në veshin tënd. Derisa ajo është në banjë, ti mund të thërrasësh ndornjërin nga shokët e tu dhe t’i thuash, Ya lo hice, cabrón. Ose të ulesh në kauç dhe të buzëqeshësh.
Por zakonisht gjërat nuk shkojnë kështu. Ji gati. Ajo nuk do të dojë të të puthë. Vetëm qetësohu, do të të thotë ajo. Halfie mund të shtrihet mbrapa dhe të të shtyjë tutje. Ajo do t’i kryqëzojë duart dhe do të thotë, I urrej cicat e mia. Shtiru se po shikon Tv, pastaj kthehu kah ajo dhe ledhatoja flokët, sado që ti e di se ajo do të sprapset prapë. Nuk ma ka ëndja të m’i prekin flokët, do të thotë ajo. Do të reagojë si dikush që ti s’e njeh. Në shkollë, ajo është e njohur për të qeshurën e saj që tërheq vëmendjen, e lartë dhe kumbuese si ajo e një pulëbardhe, po këtëherë do të bëhesh merak. S’do të dish çfarë të thuash.
Ti je i vetmi djalë që më kërkon të dalim, do të thotë ajo. Fqinjtë e tu do të nisin ulurimat e tyre prej hienash, tash që janë dendur me alkool. Ajo do të thotë, Ti dhe djemtë zezakë.
Ti do të duash të thuash, Cili do të doje të të ftonte? Po ti tashmë e di. Lëre ta kopsitë bluzën dhe t’i krehë flokët, tingullimi i saj është si një kërcëllimë zjarri. Kur babai i saj të vijë me makinë dhe t’i bjerë sirenes, lëre të shkojë pa e zgjatur shumë me lamtumirat. Asaj s’do t’i pëlqente ajo gjë. Gjatë orës së parë, telefoni do të cingërrojë. Do të tundohesh ta ngreshë. Mos e bëj. Shikoje shoun televiziv që dëshiron ta shikosh, pa askënd të famijes përreth që të grindet me ty. Mos zbrit në katin e poshtëm. Mos u kllapit. S’është gjë hairit. Ktheje djathin qeveritar te vendi i vet para se mamaja jote të ta zbusë kurrizin.
Shënime:
Djathi qeveritar është një djathë i procesuar i paraparë si ndihmë për njerëzit në nevojë në ShBA. Ishte përdorur në kuzhinat ushtarake gjatë LIIB dhe ka filluar të përdoret nëpër shkolla qysh nga viti 1950.
Halfie – term në zhargon për një person me prejardhje nga racat e përziera.
/Marrë nga “Best of Times, Worst of Times : Contemporary American Short Stories from the New Gilded Age”, New York University Press, 2011
/Përkthimi: Gazeta Express