Ernest Hemingway (21 korrik 1899 –2 korrik 1961) romancier, tregimtar dhe gazetar amerikan. Fitues i Çmimit Nobel për letërsi më 1953
Dhe dielli lind
Sem Kardinellin e varën plot më gjashtë të mëngjesit në një nga mesoret e burgut në trajtë rrethore. Mesorja ishte e lartë dhe e ngushtë, me qeli në të dyja anët. Të gjitha qelitë ishin të zëna. Pesë nga të dënuarit me varje gjendeshin në pesë qelitë e para. Tre nga ata ishin zezakë. Që të treve u kishte hyrë data në palcë. Njëri nga të bardhët rrinte mbi shtrat, mbuluar i tëri me batanije.
Për të dalë të trikëmbëshi, iu desh të kalonin nga një derë tjetër, në qoshe të murit. Shtatë shpirt bëheshin gjithsej, duke shtuar këtu edhe dy priftërinj. Sem Kardinellin e sollën duke e mbajtur nga të dy krahët. Kish që më katër të mëngjesit që s’po mbahej dot në këmbë.
Me t’ia lidhur këmbët, dy nga mbikëqyrësit e mbërthyen fort për supesh, ndërsa të dy priftërinjtë iu afruan dhe diç i pëshpëritën.
-Mbahu si burrë, biri im – tha njëri nga priftërinjtë.
Kur po i mbulonin fytyrën, Sem Kardinellin e kapërthyen ca spazma të forta. Mbikëqyrësit e lëshuan me neveri për pak çaste.
-Nuk ka ndonjë fron për të qenë, Bill?- pyeti njëri nga mbikëqyrësit.
-Ka, or, si s’ka, – foli një fytyrë që mezi shquhej nën një kapele rrasur gjer të veshët.
Kur të gjithë po tërhuzeshin nga ai trekëmbëshi hijerëndë, sajuar prej shufrash çeliku dhe dru lisi dhe që çvendosej përmjet ca kushinetave, mu në mes të pllakës lëshuese, karfosur i tëri këmbë e duar pas një froni, rrinte ndenjur Sem Kardinelli.
Në çastin e fundit, tek sapo kishin hequr pllakën lëshuese, njëri nga priftërinjtë pat kapërcyer si me sustë dhe qe zbythur disa çape nga të tjerët.
/Marrë nga Ernest Heminguej: E sotmja është e premte, me përkthim të Artjan Guskiqi, Toena, 1996
/Gazeta Express