Hassan Blasim (1973), është shkrimtar dhe regjisor irakian. Blasim është larguar në vendi i vet më 2000 për të shmangur persekutimin për shkak të filmave të tij, posaçërisht filmit Kamera e plagosur, të xhiruar në një zonë kurde në Irakun verior, që ka të bëjë me emigrimin e dhunshëm të kurdëve të kryer nga regjimi i Sadam Huseinit. Jeton në Finlandë
KOMPOZITORI
Nga Hassan Blasim
Jaafar al-Mutallibi ishte lindur në qytetin e al-Amarës. Më 1973 ai u largua nga Partia Komuniste dhe iu bashkua partisë në pushtet Baath. Po atë vit gruaja e tij solli në jetë birin e tyre të dytë. Jaafari ishte llautist profesionist dhe kompozitor me nam i këngëve patriotike. Ishte vrarë në kryengritjen e qytetit të Kirkukut më 1991.
***
Sot mund t’ju tregoj se si ka vdekur. A e shihni atë gruan në moshë që po e tregon me zë të lartë çmimin e peshkut? Ajo është ime më. Kemi shitur peshk prej se jemi kthyer në Bagdad. Lëjomëni ta ndihmoj ta zbrazë arkën e peshqve, mandej do të shkojmë te ndonjë kafe afër dhe do të flasim.
***
Pas mbarimit të luftës mes Irakut dhe Iranit im atë nisi të shfaqte ateizmin e tij me zë të lartë dhe na solli shumë kokëçarje. Një mbrëmjeje ai u kthye në shtëpi me këmishën e përlyer me gjak. Dukej se i kishte rrjedhur hunda gjak pasi që ndonjëri prej shokëve të tij e kishte qëlluar grusht. Ishin duke luajtur domino në kafene kur im atë ia kishte krisur një potpurie sharjesh të pista ndaj Zotit dhe profetit. Ai i sajonte ato aty për aty dhe i shoqëronte me muzikë gjatë lojës. Siç e dini, ai ishte kompozitor me nam. Në fillim im atë fishkëlloi një melodi të kompozuar në stilin ushtarak, pastaj i shtoi një fyerje të re: një gozhdë në testikujt e motrës së profetit tuaj.
Shumë veta ia plasën gazit kur dëgjuan sharjen që kishte pjellë imagjinata e tim eti, por shumë shpejt filluan të rrinë larg tij dhe t’i kërkojnë Zotit t’i falë. Disa prej tyre shmangnin takimin me të në rrugë. Njëri prej tyre i tha një ditë se shpresonte që një kamion i ngarkuar me çelik t’i kalonte sipër, por të gjithë iu frikësoheshin lidhjeve të tij me qeverinë. Të nesërmen që u grushtua ai i shkroi një raport shtabit të partisë për Abu Alaan, burrin që e kishte qëlluar dhe pas dy ditësh Abu Alaa u zhduk. Jetonim në një lagje të quajtur Kadasija e Dytë, të përbërë prej shtëpish që qeveria ua kishte ndarë oficerëve të rinj ushtarakë, njerëzve të tjerë që kishin lëvizur nga qytetet në jug dhe në qendër të vendit dhe familjeve të kurdëve që punonin për regjimin. Ne ishim familja e vetme në lagje që fitonte bukën e gojës ndryshe. Të gjitha familjet, përveç asaj të tonës, jetonin nga rrogat nga ushtria, partia dhe shërbimet sekrete, ndërsa ne jetonim nga këngët patriotike që kompozonte im atë. Babai im kishte një status më të lartë se kryebashkiaku dhe anëtarët e hierarkisë lokale të partisë, sepse vetë presidenti më shumë se njëherë e kishte shpërblyer me medalje ushtarake për këngët e tij të luftës, këngë që populli i kujton edhe sot e kësaj dite.
Dëgjoni, vëlla, do ta përmbledh këtë histori për ju. Një vit pasi që mbaroi lufta, im atë vuajti atë që gazetat e quajnë bllokadë e shkrimtarit dhe nuk ishte më në gjendje të kompozonte muzikë të re për shumë poezi që kremtonin madhështinë e presidentit, të cilat ia dërgonin poetët e famshëm. Kaluan disa muaj, pastaj viti dhe ai ende nuk mund të nxirrte as edhe një melodi të vetme të re. A e dini çfarë bëri ai ndërkohë? I vuri vetes detyrë të shkruante dhe të muziktonte poezi të shkurtra të degjeneruara ku përqeshte religjionin. Një mbrëmjeje të nxehtë dimri po shikonim televizor kur dëgjuam tim atë duke kënduar një këngë të re rreth gruas së profetit dhe se sa të shthurur ishin. Papritur vëllai im i madh brofi në këmbë, mori pistoletën e babait nga garderoba, kërceu mbi babanë dhe ia rrasi në gojë. Do ta kishte vrarë po të mos ishte për mamanë time, e cila e hapi këmishën e saj, nxori jashtë cicat dhe u çor. Vëllai im mbeti pa mend për një moment kur pa cicat hata të mamasë sime, që vareshin poshtë stomakut të saj si një kafshë të cilës ia kanë nxjerrë jashtë të brendshmet. Kjo ishte hera e parë që po shihnim cicat e mamasë që nga atëherë kur kishim qenë bebe. Unë u struka në banjë, ndërsa vëllai im iu zhduk nga sytë mamasë duke ikur nga shtëpia. Ajo ishte e pashkollë, por ishte më e mençur se im atë, për të cilin kujdesej në një mënyrë të çuditshme. Ajo e zhvishte atë si të ishte biri i saj. Ajo ishte mami me licencë në distriktin e Kadisijës dhe njerëzit ishin të dhënë pas saj. Babai im ndau mendjen të raportonte vëllain tim në shtabin lokal të partisë, por ata nuk ia varën.
Emri i babati tim kishte nisur të kutërbonte në lagje dhe rrethet artistike. Ata thoshin se Jaafar al-Mutallibi ishte marrosur dhe miqtë e tij të vjetër i bënin bisht. Ai shkoi në Bagdad dhe i bëri një kërkesë stacionit televiziv dhe radios që t’i transmetonin këngët e luftës që i kishte kompozuar, ose të paktën nga një këngë në javë. Ata refuzuan kërkesën e tij dhe i thanë se këngët e tij tash ishin të papërshtatshme. Tash po transmetonin këngë patriotike vetëm dy herë në vit: një përvjetorin e shpërthimit të luftës dhe në përvjetorin e përfundimit të saj. Im atë donte të lante të kaluarën dhe namin e tij me çdo kusht. U përpoq, por dështoi, të takonte presidentin. Bëri një aplikim në departamentin e teatrit dhe filmit, duke porpozuar një film dokumentar mbi këngët dhe muzikën e tij, po edhe kjo kërkesë u injorua.
Në kohën sa po bënte gjithë këto përpjekje ai mbaroi kompozimin e dhjetë këngëve ku shante Zotin dhe ekzistencën, ashtu si edhe një këngë të bukur për katër kalifët e parë. E kuptuam se ai ka luajtur fiqirit krejt kur nisi të frekuentonte studiot dhe përpiqej t’i bindte ata ta incizonin duke i kënduar këngët e tij ku përqeshte religjionin. Natyrisht, kërkesat e tij u refuzuan kategorikisht dhe ca njerëz e hodhën jashtë dhe e kërcënuan se do ta vrisnin. Në fund im atë vendosi të incizonte vetë këngët e tij në kaseta në shtëpi. U ul para një magnetofoni dhe nisi të këndonte dhe të luante llautën. Nuk do mend, bëhej fjalë për një incizim të dobët, por ishte i qartë. Luajti gjatë kafjallit; ne ishim në merak se njerëzia mund të merrnin vesh për këto kaseta. U munduam t’i fusnim në dorë dhe t’I shkatërronim, por ai nuk i nxirrte kurrë nga xhepi i palltos së tij dhe kur shkonte të flinte i rraste në një xhep të veçantë që e kishte bërë në jastëk.

Sot nuk është nevoja të fshihet ajo kopje, sepse njerëz të tjerë kanë nevojë për të dhe religjioni ka bërë progres më shumë se sa që ishte e domosdoshme, me ndihmën e vrasësve dhe hajnave.
Reagimi në rrugë mund të jetë histerik, por më mirë pak se hiç. Vazhdoni, ju jini gazetar; do të jetë mirë për ju dhe do të jetë mirë për çdonjërin. Një këngëtar i ri u ofrua t’i këndonte dhe t’i incizonte përsëri në një studio moderne, por refuzova. Ato këngë duhet të mbesin ashtu siç i kishte incizuar vetë im atë, si një dëshmi e historisë. Mund vetëm të kopijohen. Njerëzit shumë shpejt kishin harruar historitë e asaj ngjarjeje. Kur ua rrëfen atyre këto histori, pas një kohe ata mendojnë se ato histori janë fragmente imagjinate. Merre fqinjin tonë në pazar, për shembull: Abu Sadikun, atë që shet qepë. Kur ai tash rrëfen ndonjë histori rreth betejës me iranianët në lumin Jasim, duket si histori horror e Hollivudit që e ka sajuar ai vetë.
Ushtria qeveritare ia mbathi dhe një milici Peshmerga kurde u fut në Kirkuk. Banorët e qytetit e mirëpritën kryengritjën me gëzim të madh. Pati kaos të paparë, të shtëna me armë, trupa të vdekur, vallëzime kurde dhe këngë ngado. Ne nuk ishin në gjendje të iknim. Kryengritësit ua vunë flakën shtëpive në tërë distriktin qeveritar dhe aty ku jetonin anëtarët e partisë. Vranë dhe varën në litarë trupat e baptistëve, policëve dhe punëtorëve të sigurimit. Ne ishim ngujuar në shtëpi dhe një grup të rinjsh thyen derën e kyçur të zyrës së tim eti. Na nxorën në rrugë që të dënonin me vdekje. Mamaja ime ishte në gjunjë duke iu lutur atyre, por këtë herë nuk i shqeu rrobat e veta. Çka? Babai im? Jo jo, babai im nuk ishte me ne. Ca muaj para se të shpërthente kryengritja ai ishte bërë i krisuri i qytetit, duke u sorollatur rrugëve, duke kënduar kundër Zotit dhe duke bartur pas vetes llautën e tij, të cilës nuk i kishte mbetur më asnjë tel. Në shtëpinë tonë shpërtheu një zjarr dhe mamaja ime mbeti në vend pavetëdije, ndërsa ne të tjerët ishim të mbështetur për murit të jashtëm të shtëpisë. Umm Tariku, fqinja jonë kurde, ia behu aty në çastin e fundit, duke iu bërtitur të rinjve dhe duke folur me ta në gjuhën e tyre. Pastaj nisi t’iu përgjërohej të na linin të lirë. Ajo iu tregoi se sa bujare dhe e këndshme ishte mamaja ime dhe se si i ndihmonte gratë kurde të lindnin dhe se si kujdesej për gratë shtatzëna. Iu tregoi se si mamaja ime u jepte bukë fqinjve në nderim të Abazit, birit të Imam Aliut, në kohën e festës, se sa i zoti ishte vëllai im i madh dhe se si kishte qenë miku më i mirë i birit të saj, i cili ishte vrarë duke luftuar me forcat peshmerga gjatë fushatës së Anfalit dhe se ai e kishte ndihmuar birin e saj të ndjerë të ikte nga Kirkuku (këtu gënjente) dhe se unë isha një djalë i mirë i qetë që nuk do t’i bënte keq as edhe një mize. Ajo e mbaroi mbrojtjen tonë me një vërejtje të zemëruar: “Këta nuk janë përgjegjës për atë që ai rrufjani Jaafar al-Mutallibi është duke bërë,” tha ajo. Mandej pështyu në tokë. Shkuam në shtëpinë e Umm Tarikut dhe nuk u larguam derisa forcat e Gardës republikane u futën në qytet dhe milicia Peshmerga u tërhoq. Shumica e kryengritësve ia mbathën me milicinë. Në fund gjetëm babanë tim pa kokë, të lidhur për një traktori ferme me një litar të trashë. E kishin tërhequr zvarrë nëpër rrugët e qytetit gjithë ditën e lume dhe kufoma e tij ishte katandisur në atë mënyrë që është e pamundshme të përfytyrohet. Në kohën kur ata po bëheshin gati të na pushkatonin ne, im atë ishte afër shtabit lokal të partisë, ku trupat e anëtarëve të partisë po mbushnin oborrin. Babai im kishte hyrë në ndërtesën boshe dhe ishte nisur drejt sallës së informacionit. E njihte mirë atë sallë, ngase pikrisht nga ajo sallë transmetoheshin këngët e tij patriotike nga altoparlantët në çati gjatë luftës së parë. Po prej atyre altoparlantëve i flisnin po ashtu edhe anëtarët e partisë publikut kur ekzekutohej ndokush për shkak të dezertimit nga ushtria apo për shkak të ndihmës që u kishte dhënë milicisë Peshmerga. Babai im e kishte vënë kasetën në kasetofon dhe altoparlantët kishin nisur t’ua transmetonin kryengritësve këngët e tij që sulmonin Zotin dhe ekzistencën e tij. Babai im kishte mbërthyer në përqafim llautën e tij dhe kishte buzëqeshur kur kishin mbërritur kryengritësit. E kishin nxjerrë jashtë – Më falni, miku im. Erdhi një tregtar peshku që ka sjellë një thes me krapa, kështu që më duhet të shkoj tani. Nesër do t‘jua rrëfej sekretin e marrëdhënies së tim eti me Umma Tarikun, gruan kurde.
/Marrë nga Hassan Blasim, ‘The Corpse Exhibition: And Other Stories of Iraq’, Penguin, 2015
/Përkthimi Gezeta Express