Pierino Angelo Carmelo “Piero” Chiara (Luino, 23 mars 1913 – Varese, 31 ddhjetor 1986), njëri prej shkrimtarëve më të njohur italianë të gjysmës së dytë të shekullit XX.
501-SHI I PROVIDENCËS
Nga Piero Chiara
Automobili i don Fardellës ishte një Fiat 501 që priftit i ishte dhuruar nga një bamirës.
Bamirësit i kishte bërë vaki, me atë auto, një incident. Kishte përfunduar, pas një përplasjeje me një karrocë, në një gropë, pa pasoja për të dhe për personat që ishin brenda, por me dëmtime të rënda të automjetit.
Mekaniku, kur ia riktheu 501-shin e riparuar, i tha në njërin vesh: «Po të isha në vendin tuaj, komendator, këtë makinë do ta shisja. Është e vjetër, pastaj pas një problemi të tillë, nuk i dihet kurrë. Nesër mund t’i bllokohen frenjtë, mund t’i bjerë njëra balestër a t’i thyhet timoni».
Bamirësi, që kishte familje, atëherë ndau mendjen t’ia falte makinën don Fardellës, i cili e kishte hapur, në ato kohë mes viteve 1928 dhe 1930, një institut për fëmijët e berberëve të vdekur në luftë dhe kishte nevojë për një mjet për të shkuar dhe ardhur nga vila në të cilën i kishte vendosur jetimët.
Don Fardella udhëtonte gjithmonë me njërin nga jetimët përkrah, që t’i jepte një dorë t’i ngarkonte shportat me bukë apo perime. Nganjëherë merrte, përveç jetimit, njërën prej tri a katër murgeshave që mbarështonin të brendshmet dhe kuzhinën e institutit të tij.
“Me Providencën që e ndih kaq hapur”, kishte menduar bamirësi, “don Fardellës s’do t’i ndodhë kurrë asgjë e keqe, edhe pse makina mund të ketë ndonjë defekt”.
Për incidentin që i kishte bërë vaki dhe për parashikimet e mekanikut nuk i tha gjë priftit, për të mos i krijuar pasiguri e edhe për të mos ia prishur gëzimin e të qëndruarit në timonin e një makinëze aq të fuqishme dhe të sigurt.
Pas nja një viti që Fiat 501-shi bënte shërbimin e saj, një ditë, në rrugën e drejtë të Kabiankës i ra njëa rrotë. Don Fardella e pa me kohë kur fluturoi para makinës në rrugë, para se makina t’i binte qoshkut të fermës për të përfunduar pastaj në livadh.
Kur prifti doli nga poshtë 501-shit s’e njihte njeri, ngase i kishte rënë sipër një kovë me marmellatë që e kishte ngarkuar pak më herët, por pa e pësuar shumë. Murgesha e theu njërën këmbë dhe jetimi shpëtoi mrekullisht pa një ferrë në këmbë.
Kur bamirësi shkoi për vizitë në institut, don Fardella i tregoi për atë që kishte ndodhur: «Një banjë me marmellatë dhe tri a katër gunga që u zhduken pas tetë ditësh. Një këmbë e thyer e motër Xhakominës dhe jetimi i paprekur».
«Dora e Providencës», briti bamirësi. «Automobili është mjet i rrezikshëm, por kur e ke në anën tënde Providencën, s’duhet të tutesh për asgjë».
Marrë nga Piero Chiara: Di casa in casa, la vita, Mondadori, 1988
/Përkthimi: Gazeta Express
Gazeta Express dhe Televizioni T7 janë në kërkim të një agjenti dinamik dhe ambicioz të shitjes dhe marketingut për...