Tregimi i javës / Campanile: Shpargujt dhe pavdekësia e shpirtit - Gazeta Express
string(61) "tregimi-i-javes-campanile-shpargujt-dhe-pavdekesia-e-shpirtit"

Tregimi i javës / Campanile: Shpargujt dhe pavdekësia e shpirtit

Arte

Gazeta Express

30/09/2022 16:24

Achille Campanile (1899 –1977) shkrimtar, dramaturg, skenarist dhe gazetar italian, i njohur për humorizmin e tij sureal dhe lojën e fjalëve. Siç ndodh rëndom me shumë shkrimtar, edhe Campanile u nënvlerësua për vite me radhë nga kritika zyrtare. Librat e tij filluan të merren në konsideratë në vitet ’70. Ndër të parët që e çmuan qe Umberto Eco, i cili analizoi stilin dhe modernitetin e humorizmit të tij paradoksal dhe sureal.

Nuk ka kurrfarë lidhjeje mes shpargujve dhe pavdekësisë së shpirtit. Ata janë zarzavate që u takojnë familjes së asparaginëve, besoj, një zierje shumë e mirë e ndrequr me vaj, uthull, krip dhe piper. Ka që e preferojnë limonin në vend të uthullës; po ashtu i shkëlqyeshëm është shpargulli i pjekur me gjalpë dhe i ndrequr me djathë parmixhan. Dikush i vë sipër një ve të lerosur, dhe s’ka ku të vejë më mirë. Ndërsa pavdekësia e shpirtit është një çështje; çështje, duhet të shtojmë, që prej shekujsh i preokupon mendjet e filozofëve. Nga ana tjetër, shpargujt hahen, ndërsa pavdekësia e shpirtit jo. Kjo, pra, i përket botës së ideve. Natyrisht, në rastin në trajtim, idesë i korrespondon një fakt. Nga kjo pikëpamje mund të thuhet se pavdekësia e shpirtit është një cilësi e shpirtit, një veti karakteristike e shpirtit, shkurt një koncept, i cili tregon faktin se shpirtrat janë të pavdekshëm. Jemi gjithmonë bukur larg shpargujve.

Lexo Edhe:

Dallimi tjetër është se janë shkruar shumë më shumë libra mbi pavdekësinë e shpirtit se sa mbi shpargujt. Të paktën besoj. Më tej: jo të gjithë besojnë në pavdekësinë e shpirtit, ndërsa për shpargujt dhe ekzistencën e tyre të gjithë janë të sigurt, askush nuk dyshon. E megjithatë, e vërteta është krejt e kundërta: mund të dyshohet në ekzistencën e shpargujve, jo në pavdekësinë e shpirtit. Sidoqoftë, edhe ashtu, mes të parëve dhe të dytës ka një hendek të pafund.

 Pa folur pastaj për dallime të tjera të pafundme mes atyre dhe kësaj.

Të shohim tash nëse dhe në çfarë drejtimesh mund të kërkohen pika të puqjes mes shpargujve dhe pavdekësisë së shpirtit. Kjo dhe ata mund të konsiderohen në përgjithësi gjëra të këndshme. Në të vërtetë, sikur shpirti të mos ishte i pavdekshëm, asgjë s’do të mbetej prej nesh, e kjo do të ishte pastaj mjaft e pakëndshme. E një lloji krejt tjetër është kënaqësia e shpargujve, që të këndshëm janë për qiellzën.

Po i bie në të se rastësisht më erdhi nën pendë një analogji fare aksidentale mes shpargujve dhe pavdekësisë së shpirtit: më ka bërë vaki, do të thotë, të them se, po qe se shpirti s’do të ishte i pavdekshëm, asgjë s’do të mbetej prej nesh; ndërsa, duke qenë i pavdekshëm, mbetet shumë, mbetet pjesa më e mirë e jona. Edhe prej shpargujve mbetet shumë, fatkeqësisht; por në krahasim me ne, jo pjesa më e mirë dhe më e fisme. Përkundrazi, mbetet më e keqja, kërcelli. Megjithatë, ai mbetet në një masë të konsiderueshme, çka nuk ndodh në rastin e vegjetaleve të tjera të pjekura, si, për shembull, spinaqi, që janë tërësisht të ngrënshme. Ndoshta kjo është pika e vetme e puqjes mes pavdekësisë së shpirtit dhe shpargujve dhe jam i lumtur ta kem gjetur unë, qoftë edhe pa e pasur mendjen dhe krejt rastësisht, sepse kjo i jep një përmbajtje pozitive hulumtimit, të cilin e kishim marrë përsipër dhe na sjell rezultate që shkojnë përtej parashikimeve më optimiste.

Por, po e përsëris, është një puqje pastërsisht formale dhe e jashtme, duke qenë se ka një dallim të mirë mes shpirtit dhe një bisku të shpargut! Jo vetëm kaq. Por kjo analogji krejt formale nuk është as ekskluzive për shpargujt, meqë edhe angjinaret gjenden në të njëjtën situatë, sa i përket përqindjes së pjesës që hidhet.

Për të konkluduar dhe për ta përfunduar me një hetim që mungesa e rezultateve të përshtatshme e bën më të rëndë se kurrë, duhet të themi se, nga çfarëdo ane të që shqyrtohet problemi, nuk ka asgjë të përbashkët mes shpargujve dhe pavdekësisë së shpirtit.

/Marrë nga Achile Campanile: Asparagi e immortalità dell’anima, Rizzoli, 1983

/Përktheu: A. Idrizi