Tregimi i javës / Borowski: Vdekja e Shillingerit - Gazeta Express
string(46) "tregimi-i-javes-borowski-vdekja-e-shillingerit"

Tregimi i javës / Borowski: Vdekja e Shillingerit

Arte

Gazeta Express

27/01/2023 17:33

Tadeusz Borowski (1922 – 1951), prozator, poet dhe gazetar polak, i mbijetuar i internimit në kampet e përqendrimit Auschwitz dhe Dashau.

Pas përfundimit të luftës nisi të shkruante kujtimet e burgosjes së tij dhe të botonte tregime të ndryshme, të përmbledhura pastaj, më 1948, me titullin ‘Pożegnanie z Marią (“Lamtumirë Marisë”, përkthyer në anglisht më 1959 me titullin “This Way for the Gas, Ladies and Gentlemen”).

Lexo Edhe:

U vetëvra në rrethana misterioze, më 1 qershor 191.

VDEKJA E SHILLINGERIT

Kapo rreshteri i SS-ve Shillinger më 1943 kishte funksionin e lagerführerit, ose të komandantit të drejtpërdrejtë të sektorit mashkullor të punës «D» të kampit Birkenau, që ishte pjesë e një kompleksi enorm të lagerëve të mëdhenj dhe të vegjël të shpërndarë nëpër tërë Slesinë e Epërme dhe që vareshin administrativisht nga kampi i përqendrimit qendror të Auschwitz-it. Shillingeri ishte një burrë bukur i ulët dhe shpatullan. Kishte fytyrë të plotë, të rrumbullakët, flokë të çelëta si li të krehura mbrapa. Sytë ishin të kaltër, gjithnjë paksa të mbyllur, buzët e mbyllura dhe faqet lehtësisht të ngrehura në një kontraktim që e nxirrte në shesh padurimin. Nuk çante kokën për dukjen e jashtme dhe kurrë s’kam dëgjuar ta ketë lëshuar veten të korruptohet nga të spikaturit e kampit1.

Shillingeri e administronte lagerin «D» në mënyrë të kujdesshme dhe absolute. Sillej pa pra me biçikletë rrugëve të kampit duke ia behur papritur gjithmonë aty ku më së paku nevojitej. Godiste me dorën e rëndë si të ishte shkop, duke thërrmuar nofulla dhe duke të të përgjakur fare lehtësisht. Në vigjilim ishte i palodhshëm. Shpesh bënte vizita në sektorët e tjerë të kampit të Birkenaus duke ngjallur panik mes grave, romëve dhe «të të spikaturve» të effektenkammer-it, do të thotë sektorit më të gjëshëm të Birkenaus, ku magazinoheshin pasuritë e njerëzve që i çonin në dhomat e gazit. E mbikëqyrte edhe kommando-n që punonte në brendi të postenkette-s2 së madhe, duke i kontrolluar papritur veshjet e të burgosurve, këpucët e kapo-ve dhe çantat e SS-ve. I vizitonte edhe krematorët dhe ia kishte ënda të vrojtonte se si i fusnin njerëzit brenda dhomave të gazit. Mbiemri i tij përmendej tok me mbiemrat Palitsch, Krankenmann dhe të atyre të shumë vrasësve të Auschwitz-it që mburreshin se kishin arritur të vrisnin me duart e tyre, me grushte, me shkopinj ose me armë disa mijëra njerëz secili.

Në gushtin i vitit 1943 në kamp doli fjala se Shillingeri ishte shuar në rrethana të paqarta.

Pati versione të ndryshme gjoja autentike rreth incidentit, por krejtësisht kundërthënëse mes tyre. personalisht prirem t’i besoj një të afërmi vorabeiter3 të sonderkommando-s4 që një pasdite, ulur me mua në një shtrat teksa po priste për një parti qumështi të kondensuar nga magazina e kampit rom, më rrëfeu për vdekjen e kapo rreshterit Shillinger me këto fjalë: «Të dielën, pas apelit të pasdrekes, Shillingeri kishte ardhur në oborrin e krematorit në vizitë të kapos sonë. Por kapoja nuk kishte kohë, sepse sapo i kishin sjellë nga stacioni hekurudhor kamionët e parë të transportit të Będzin-it. Mor mik, e di edhe ti se të shkarkosh një transport, ta zhveshësh e pastaj ta fusësh brenda dhomës së gazit është një punë e rëndë që kërkon, të themi kështu, shumë takt. Të gjithë e dinë se, derisa ata njerëz nuk janë ngujuar në dhomën e gazit, nuk është e lejuar të fiksohesh pas rrobave të tyre, nuk është e lejuar të rrëmosh në to, e aq më pak është e lejuar t’u biesh bythëve me dorë grave cullak. Vetë fakti, or mik, e kupton ti, se gratë detyrohen të zhvishen bashe me burrat, për ata të zugang-ut5 është tashmë një goditje e rëndë. Atëherë përdoret sistemi i ngutjes së madhe, simulohet një mbingarkesë e rreme e punës të ashtuquajturat banja. Nga ana tjetër duhet përnjëmend të ngutesh që të arrish me kohë ta gazosh një transport dhe t’i heqësh kufomat nga dhoma e gazit para se të arrijë një tjetër».

Vorarbeiter u ngrit lart, u ul mbi jastëk, i la këmbët t’i vareshin jashtë shtratit dhe, pasi e ndezi një cigare, vazhdoi:

«pra kishim pasur – kujdes mor mik – transportin e Będzin-it dhe Sosnowiec-it. Ata hebrenj e dinin fare mirë çfarë i priste. Edhe të rinjtë e sonderkommando-s ishin nervozë; disa prej tyre janë nga këto anë. Kishte raste kur arrinin të afërm ose të njohur. Edhe mua më ka bërë vaki…».

«Nuk e dija se je nga këto anë. Nga e folura nuk merret vesh».

«Kam studiuar pedagogji në Varshavë. Ndonja pesëmbëdhjetë vjet më parë. Mandej kam dhënë mësim në gjimnazin e Będzin-it. Më kishin propozuar të shkoja jashtë, po s’kam dashur. Kije parasysh familjen, miko, e di ti. E pra, kështu janë punët».

«Po pra, kështu është».

«Transporti ishte i trazuar, eh, nuk ishin tregtarë nga Holanda apo Franca, që mendonin të rifillonin të bënin tregti në kampin e internimit të Auschwitzit. Hebrenjtë tonë e dinin. Pra kishte aty një grumbull SS-sh dhe Shillingeri, duke pasur parasysh atë që po ndodhte, e kishte nxjerrë revolverin. Gjithçka do të kishte shkuar fjollë, por Shillingerit i kishe pëlqyer njëfarë trupi – me gjasë me forma të bukura klasike. Pikërisht për këtë kishte ardhur te kapoja ynë. Iu avit gruas dhe e mori për dore. Në këtë pikë gruaja lakuriq u përkul befas, kapi një grusht rërë dhe ia përplasi drejt e në sy dhe kur Shillingeri, duke ulëritur nga dhimbja la t’i binte revolveri, gruaja e mori dhe ia zbrazi disa plumba në bark. Në shesh plasi paniku. Njerëzit lakuriq u nisën drejt nesh duke u çjerrë. Gruaja e zbrazi edhe një plumb në drejtim të kapos sonë, duke e plagosur në fytyrë. Në këtë moment si kapoja si SS-ët ua mbathën këmbëve duke i lënë aty vetëm. Por falë Zotit ia dolëm mbanë. E detyruam me shkopinj transportin të shkonte drejt dhomave me gaz, e kyçëm derën dhe i thirrëm SS-t që ta hidhnin brenda ciklonin B6. Pas së gjithash, tashmë ia kemi marrë dorën bukur fort».

«Paj, ja, u mor vesh».

«Shillingeri dergjej shtrirë në bark dhe me gishta grithte tokën nga dhimbja. E ngremë lart dhe pa e vrarë mendjen fort e çuam deri te makina. Gjatë gjithë rrugës ofshante mes dhëmbëve të shtrënguar: “O Gott, mein Gott, was hab’ ich getan, dass ich so leiden muss?”».

Në përkthim do të thotë: «O Zot, Zoti im, po çka kam bërë që duhet të vuaj kaq shumë?».

«E ai njeri s’e ka kuptuar deri në fund fare – thashë duke e luajtur kokën. – Çfarë talljeje e çuditshme e fatit».

« Çfarë talljeje e çuditshme e fatit», e përsëriti mendueshëm vorarbeiter-i.

Në të vërtetë, çfarë talljeje e çuditshme e fatit: kur, pak para evakuimit të kampit, hebrenjtë e sonderkommando-s, nga frika se do të pushkatohen, shpërthyen një revoltë në krematorë, ia vunë zjarrin dhe, pasi i prenë telat me gjemba, ia mbathën nëpër kampe, disa SS hapën zjarr me mitraloza dhe i vranë të gjithë deri tek i fundit.

Shënime:

1 Të spikaturit ishin të burgosur bukur të integruar në lager që gëzonin për arsye të ndryshme një pozicion të privilegjuar.

2 Kordon rojesh që e rrethonin lagerin apo kampin e punës.

3 Ndihmës i kapò-s.

4 Kommando, e përbërë vetëm prej hebrenjve, që punonte në krematorë dhe në dhomat e gazit.

5 Në origjinal cugang, grafi polake nga termi në gjermanisht Zugang, “arritje”, përmes të cilit përkufizohej transporti i të burgosurve të rinj të sapoardhur në lager.

6 Substanca toksike e përdorur në dhomat e gazit.

/Marrë nga Tadeusz Borowski: “Il mondo di pietra”, Lindau, 2022

/Përkthimi: Gazeta Express