Tregimi i javës / Babel: Prishqepa - Gazeta Express
string(31) "tregimi-i-javes-babel-prishqepa"

Tregimi i javës / Babel: Prishqepa

Arte

Gazeta Express

03/02/2023 17:37

Isak Babel (1894 – 1939), gazetar, prozator dhe dramaturg rus.

I lindur në një familje hebraike, gjatë kohës së trazirave shoqërore dhe eksodeve masovike të hebrenjve nga Perandoria ruse, Babel i mbijetoi progromit të vitit 1905, me ndihmën e fqinjëve të krishterë që e fshehën familjen e tij, por gjyshi i tij Šojl qe njëri prej 300 hebrenjve të vrarë.

Lexo Edhe:

Pas vdekjes së dyshimtë të Gorkut më 1936, Babel e parandjeu arrestimin e vet, i cili ndodhinë maj të vitit 1939. U ekzekutua më 27 janar 1940.

PRISHQEPA

U zmbrapsa deri në Leshnjovë, ku u vendos shtabi i divizionit. Bashkudhëtari im, si edhe deri më tash, ishte njëfarë Prishqepa, kubanas i ri, fis këmbëngulës, komunist i paepur, kujdestar i ardhshëm, sifilisxhi, kokëshkretë, rrenc i pashoq.

Kishte veshur një çerkeskë ngjyrë mjedre prej cohe të hollë, kurse në kokë kishte një kapullaç prej pendëlash, dhe një shall të hedhur pas shpine. Rrugës fliste për veten…

Para nja një muaji, Prishqepa kishte ikur nga të bardhët. Që t’i hakmirren, ata ia kishin marrë prindërit si peng, e pastaj ia kishin pushkatuar, duke i shpallur spiunë. Pasurinë ua kishin rrëmbyer fqinjët. Pasi i përzunë të bardhët nga Kubani, Prishqepa u kthye në katundin e lindjes.

Qëlloi të jetë mëngjes, agim, ëndërrimet katundare po frymëmerrnin në avullimin e thartë. Prishqepa e kishte huazuar një qerre shtetërore dhe ishte nisur me të, që nëpër katund të mbledhë gramafonat e tij, kënatat për brumë dhe peshqirë të cilat i qëndiste e ëma. Në rrugë doli i mbuluar me mushama të zezë, i ngjeshur me hanxharë të shtrembëra për brezi: kuajt e tërhiqnin pas tij qerren e rëndë. Prishqepa trokiti derë më derë të fqinjëve. Gjurmët e përgjakshme të shojeve të tij e përcillnin hap pas hapi. Në ato shtëpi ku kozaku i gjente rraçet e nënës së tij, çibukun e të atit, — pas vetes linte plaka të therura në fyt me singjitë e tij të shtrembëra, kurse qentë i varte mbi puse. Ikonat i fëlliqte me mut. Katundarët, duke ndezur llullat, lodhshëm përcillnin ngarendjet e tij nëpër katund. Kozakët e rinj u shpërndanë nëpër stepë dhe zunë t’i qërojnë hesapet mes veti. Ky qërim hesapesh mori kaq shumë hov, derisa katundin e mbuloi një heshtje e vdekur. Kur mbaroi një heshtje e vdekur. Kur mbaroi punë, Prishqepa u kthye në shtëpinë e shkretuar prindërore. I rehatoi mobiljet e rirrëmbyera sipas rendit që atij mund t’i kujtohej nga fëmijëria, e pastaj dërgoi t’i blejnë raki. I mbyllur në shtëpi, piu dy ditë e dy net, këndoi, dënesi, dhe me shpatë i priste tavolinat.

Natën e tretë fshatarëve u ra në sy tymi që po dilte mbi çatinë e shtëpisë së Prishqepës, i djegur dhe i shkepur, duke u kalamendur, nxori nga ahuri lopën, ia futi revolverin në gojë, dhe ia kërciti pesë plumba. Toka avullonte nën shputat e tij. Unaza e kaltër e flakës shpërthente nga oxhaku dhe çatia. Në shtallë pëlliste viçi i mbetur. Flaka shkëlqente si dita e diel. Prishqepa zgjidhi kalin, hipi mbi shalë, e hodhi në flakë një grusht flokësh të tij, dhe treti stepës duke kaluruar.  

Marrë nga: Isak Babel ‘Kalorësia e Kuqe’, përktheu Teki Dervishi, Rilindja, Prishtinë, 1986

/Gazeta Express