Një incident i rëndë ka ndodhur këtë mbrëmje në Prishtinë, para zhvillimit të ndeshjes së kthimit ndërmjet Dritës dhe FC Kopenhagës, në kuadër të raundit të dytë të Ligës së Kampionëve.
Sipas informacioneve të konfirmuara nga Policia e Kosovës për Gazetën Express, rreth orës 19:00 ka shpërthyer një përleshje mes tifozëve, e cila ka rezultuar me tre persona të lënduar.
Zëdhënës të Policisë së Kosovës kanë deklaruar se të lënduarit kanë marrë ndihmë të menjëhershme mjekësore, ndërsa forcat e rendit kanë ndërhyrë për ta stabilizuar situatën.
“Sot rreth orës 19:00 ka ndodhë një incident, ku disa tifozë janë përleshur mes vete. Si pasojë, tre persona kanë pësuar lëndime, të cilët edhe kanë pranuar tretman mjekësor. Policia ka vënë situatën nën kontroll, ku ka arrestuar tre persona dhe disa të tjerë i ka shoqëruar për në stacion policor”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Express.
Përplasja ndodhi para stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku po zhvillohet një nga ndeshjet më të rëndësishme për kampionin kosovar – një përballje vendimtare ndaj ekipit të njohur danez, në përpjekje për të përmbysur rezultatin 2:0 nga ndeshja e parë në Kopenhagë.
Policia njoftoi se tre persona janë arrestuar në vendngjarje, ndërsa disa të tjerë janë shoqëruar për intervistim në stacion policor, në përpjekje për të hetuar më tej shkaktarët dhe rrethanat e incidentit.
Autoritetet shtuan se janë marrë masa shtesë sigurie për të garantuar mbarëvajtjen e ndeshjes dhe sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në dhe rreth stadiumit. /GazetaExpress/
Një mënyrë më e lehtë dhe më e sigurt për të paguar me iPhone, Apple Watch, iPad, Mac dhe...