Tre të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, u sollën në Pallatin e Drejtësisë, ndaj të cilëve sot do të vazhdojë seanca gjyqësore, raporton Ekonomia Online.
Dushan Maksimoviq, Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq, tre të akuzuarit që janë në masë të paraburgimit, në seancë u sollën nën masa të rrepta sigurie.
Sot pritet ndaj tyre pritet që të dëshmoj një dëshmitar i mbrojtur.
Deri më tani kanë dhënë dëshmi disa zyrtarë policorë që ishin pjesëmarrës në kundërsulmin në Banjskë të Zveçanit.
Lidhur me sulmin terrorist në Banjskë, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 45 të pandehurve.
Aktakuza i ngarkon ata me vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.
Në aktakuzë thuhet se ky grup, nëpërmjet përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar që “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.
Si lider i këtij grupi është identifikuar Radoiçiqi, për të cilin thuhet se ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin e sulmit dhe aktivitetet kriminale. Radoiçiqi gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe të Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin.