Tre shtetas të Shqipërisë të dyshuar për tregti me drogë në Gostivar


Gazeta Express
14 Shkurt 2020 17:07

Prokuroria Themelore Publike-Gostivar ka hapur procedurë kundër tre personave, shtetas të Shqipërisë, të cilët dyshohet se kanë kryer vepër penale – prodhim të paautorizuar dhe lëshim në qarkullim të drogave narkotike, substancave psikotropike dhe prekursorëve, përcjell GazetaExpress nga Alsat-m.

“Tre shtetas të  Shqipërisë, prej fillimit të muajit, janë furnizuar me drogë narkotike dhe marihuanë, nga e cila një pjesë ishte e dedikuar për përdorim personal, ndërsa një pjesë për shitje personave të tjerë në rajonin e Gostivarit dhe fshatrave përreth”, njoftojnë nga PTHP.

Gjatë bastisjes së dhomës në të cilën po qëndronin të dyshuarit më 13 shkurt, siç theksojnë nga PTHP, nëpunësit policorë kanë gjetur rreth 277 gramë marihuanë në disa qese najloni. Personat e moshës 28, 20 dhe 34 vjeç nuk kanë realizuar hyrje legale përmes vendkalimit kufitar në territorin e shtetit.

“Prokurori kompetent, gjykatësit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore në Gostivar i parashtroi Propozim për përcaktim të paraburgimit afatshkurtë për tre të dyshuarit. Gjykata e pranoi propozimin dhe të dyshuarve u caktoi paraburgim prej 48 orëve. Pas kompletimit të lëndës me rezultatet nga ekspertizat në vijim, Prokuroria themelore publike Gostivar do t’i parashtrojë Gjykatës propozim të ri për caktim të masës për sigurim të të dyshuarve”, njoftojnë nga PTHP./GazetaExpress/

Besmir Lika

Te fundit


Kthehu lart