Policia e Kosovës ka ndëshkuar tre shoferë për shkelje të rënda të rregullave të komunikacionit rrugor në rajonin e Ferizajt, konkretisht për tejkalim të shpejtësisë së lejuar.
Sipas njoftimit të Policisë Rajonale të Ferizajt, rasti i parë është regjistruar më 11 nëntor 2025, rreth orës 21:20, në rrugën magjistrale Ferizaj–Prishtinë, në fshatin Babush, ku shoferi A.B. (22 vjeç), duke drejtuar një automjet të tipit VW Golf me targa vendore, është kapur duke vozitur me 124 km/h në një zonë ku kufizimi i shpejtësisë është 50 km/h.
Ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 300 eurosh, 3 pikë negative dhe heqje e patentë-shoferit për tre muaj.
Ndërkohë, më 12 nëntor 2025, rreth orës 18:30, në rrugën transitore Shtime–Belincë, policia ka ndaluar edhe dy shoferë të tjerë:
J.C. (39 vjeç), që drejtonte një Audi me 123 km/h në zonë me kufizim 60 km/h,
D.A. (26 vjeç), që po ashtu me një Audi ka zhvilluar shpejtësi prej 126 km/h.
Të dy janë gjobitur me nga 300 euro dhe u është marrë patentë-shoferi për tre muaj. Njërit prej tyre nuk i janë shqiptuar pikë negative pasi posedonte patentë të huaj.
Policia apelon tek të gjithë shoferët që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe rregullat e komunikacionit për të parandaluar aksidentet dhe për të rritur sigurinë në rrugë.