Një rast i rëndë grabitjeje ka ndodhur këtë të diel në Prizren, ku një shtetase e huaj ka përjetuar tmerr brenda banesës së saj, pasi është sulmuar nga tre persona ende të paidentifikuar.
Rasti ka ndodhur rreth orës 15:30 në rrugën “Ibrahim Rugova”, ku tre persona hynë me forcë në banesën e S. K. B. DaSilva rreth 29-vjeçare.
Njëri prej tyre kishte ekspozuar armën që mbante në brez, ndërsa një tjetër e kishte kapur për fyti dhe ia kishte mbyllur gojën me dorë, duke e frikësuar dhe mbajtur të pafuqishme.
Nga banesa e saj, ata morën: rreth 2000 euro para të gatshme, një iPhone 16 Pro (vlerë rreth 1100 euro), dhe një Samsung Galaxy A71 (vlerë rreth 200 euro).
Pas grabitjes, të dyshuarit u larguan në drejtim të panjohur. Viktima u dërgua fillimisht në emergjencë për trajtim mjekësor dhe më pas u intervistua nga hetuesit me ndihmën e përkthyesit.
Me urdhër të Prokurorit të Krimeve të Rënda, rasti është cilësuar si “Grabitje”, ndërsa hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve po vazhdojnë./Sinjali