Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë organizoi ecje dhe bisedë nëpër ekspozitën e Çmimit Artistët e së nesërmes 2024, me artistët e nominuar Mimoza Sahiti, Luiza Thaqi dhe Dion Zeqiri, të udhëhequr nga Albert Heta, drejtor i Stacion-Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe bashkëkurator i ekspozitës.
Veç e Veç
Vepra “How Sad, How Lovely” (“Sa e trishtueshme, sa e bukur”), e Mimoza Sahitit na paraqet një xhaketë kaubojsh, e cila është e qepur në disa pjesë. Interpretimi i veprës artistike të artistes mund të na dërgojë në shumëkuptimësi, megjithatë një tjetër shpjegim është pikërisht edhe ai në tekstin kuratorial, ftesë e artistes për ta dërguar publikun në hapësira intime, madje përtej.
“Xhaketa, e qepur me fije të kuqe me fjalët “Sa e trishtueshme, sa e bukur” vepron si armaturë dhe ftesë, një portë midis botës së jashtme dhe hapësirës intime përtej. Ky prag i fton shikuesit të lënë pas identitetet e tyre të jashtme dhe të hyjnë në një botë ku cenueshmëria nuk fshihet, por shfaqet.”
Vepra “Vend i drejtuar nga toka”, e Luiza Thaqit, e krijuar dhe shfaqur për ekspozitën e finalistëve të Çmimit Artistët e së nesërmes 2024, është një ndërhyrje artistike në një hapësirë të jashtme dhe të ndërmjetme në ndërtesën e Klubit të Boksit në Prishtinë, që është e paarritshme si shkak të ndërtimeve përreth dhe faktorëve të tjerë që ndikojnë në mirëqenien e tokës.
Artistja Thaçi përmes veprës së saj artistike synon që hapësirat publike në Kosovë dhe ndërhyrjet që bëhen në këto hapësira, të ngrihen si çështje diskutimi dhe të reflektohet në një formë a tjetër mbi këto dukuri. Përtej thirrjes dhe mesazhit të veprës kjo punë paraqet mendësinë shoqërore mbi fenomene dhe studion mënyrën e veprimit si masë ndaj preokupimeve të përbashkëta.
Përkundrejt faktit që artistet potencojnë idenë e ecjes nëpër ekspozitë bashkë me publikun si një mënyrë perfektë të ndarjes së ideve të tyre mbi punimet, prapëseprapë ata theksojnë elementin e ndryshueshmërisë së aspekteve interpretuese.
Vepra “Oh, mindgut”, e Dion Zeqirit, paraqet një skulpturë gjipsi ku truri dhe zorrët janë të kombinuara në formë rrethore, sikurse dalin nga vetë muri. Përmes kësaj skulpture artisti ngre një vijë krahasimi, tenton të paraqes dy anë krejt të ndryshme të ndërtimit të individit. Bëhet fjalë për trurin si intelekt dhe zorrët si instinkt. Paralelja e ngritur mes të dy elementeve që bashkëpunojnë për të sjellë veprën artistike të Zeqirit, tejkalohen duke u holluar për të nxjerrë edhe forma tjera krahasimi.
“Artisti shtron një pyetje provokuese: “A manifestohet intelekti si mungesë intuite apo është mishërim i gjithçkaje shijuese mes zorrëve dhe mendjes? Vepra prek një narrativë më të gjerë kulturore rreth intelektit, sipas të cilës “një njeri i veprimit e jo i intelektit” mund të shihet si joracional ose i pamatur.”
…
Çmimi Artistët e së nesërmes është një çmim dhe njohje prestigjioze e krijuar për artistët pamor nën moshën 35 vjeç. Çmimi u ofron atyre mundësinë për të krijuar vepra të reja përmes një procesi të përkushtuar prodhimi dhe zhvillimi, me punën e tyre duke u vlerësuar nga një juri e pavarur.
Fituesit të Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 shpërblehet me një program dy-mujor qëndrimi artistik në Nju Jork, SHBA, në Residency Unlimited, i planifikuar për maj/qershor 2025. Për më tepër, fituesi do të ketë një ekspozitë personale në vitin 2026 në programin vjetor të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë.
Çmimi Artistët e së nesërmes është një çmim i spikatur, i pavarur, i organizuar në bashkëpunim me Residency Unlimited në Nju Jork dhe i mbështetur nga The Trust for Mutual Understanding në Nju Jork.
/Gazeta Express