Shkencëtarët në Kinë kanë realizuar një ndërhyrje të paprecedentë: një mëlçi derri, e modifikuar gjenetikisht për të reduktuar rrezikun e refuzimit, është transplantuar me sukses te një pacient 71-vjeçar, i gjallë, duke u konsideruar një “moment historik” në fushën e mjekësisë.
Pacienti vuante nga kanceri i mëlçisë dhe sëmundje e avancuar e saj, por nuk ishte i përshtatshëm për një transplant tradicional.
Organet njerëzore nuk ishin opsion për të, ndaj mjekët vendosën të eksperimentonin me një organ të rritur nga një derr i modifikuar gjenetikisht.
Rezultatet e para, premtuese – por pasuan komplikimet
Për një muaj të tërë pas operacionit, mëlçia e derrit funksionoi normalisht dhe nuk u refuzua nga trupi i pacientit.
Por pas ditës së 38, u shfaqën komplikime serioze që lidhen me reagimin e sistemit imunitar dhe dëmtimin e enëve të gjakut.
Edhe pse mjekët arritën ta trajtonin përkohësisht, më pas pacienti pësoi gjakderdhje të rënda në aparatin tretës dhe, fatkeqësisht, ndërroi jetë në ditën e 171 pas transplantit.
Çfarë thonë ekspertët?
Dr. Beicheng Sun nga Spitali i Universitetit Mjekësor Anhui, bashkëautor i studimit, tha:
“Ky rast provon se një mëlçi derri e modifikuar gjenetikisht mund të funksionojë në trupin e njeriut për një periudhë të zgjatur. Është një hap i madh përpara, edhe pse mbeten sfida të mëdha biologjike dhe imunitare që duhet kapërcyer.”
Organet e përdorura vijnë nga derri miniaturë Diannan, i modifikuar gjenetikisht 10 herë për të shmangur refuzimin.
Ky proces quhet ksenotransplantim – përdorimi i organeve të kafshëve për pacientët njerëzorë – dhe shihet si një alternativë e mundshme për mijëra njerëz në listat e gjata të pritjes.
Vetëm në Britani, mbi 8,000 persona janë aktualisht në pritje për një transplant, mes tyre edhe 276 fëmijë. Prej tyre, mbi 600 kanë nevojë për një mëlçi të re.
Dr. Heiner Wedemeyer nga Universiteti i Hannoverit e quajti këtë rast “një pikë kthese në hepatologji”, duke theksuar se ndonëse jep shpresë të re për pacientët me dështim akut të mëlçisë apo kancer, ende ekzistojnë sfida të mëdha biologjike dhe etike.
Edhe Dr. Beatriz Domínguez-Gil, drejtoreshë e Organizatës Kombëtare të Transplanteve në Spanjë, paralajmëroi se ndërhyrje të tilla janë ende eksperimentale:
“Duhet më shumë punë për të përmirësuar modifikimet gjenetike dhe për të shmangur komplikime të rënda si ato të shfaqura te ky pacient. Megjithatë, këto raste na lejojnë të imagjinojmë një të ardhme ku xenotransplantimi do të jetë realitet klinik.”
Një epokë e re në mjekësi?
Ekspertët pajtohen se ky është vetëm fillimi i një epoke të re.
sNëse sfidat biologjike kapërcehen, organet e derrave të modifikuar gjenetikisht mund të shndërrohen në një burim jetik për pacientët që nuk arrijnë të gjejnë donatorë njerëzorë në kohë. /GazetaExpress/
Prishtinë, tetor 2025 – Medieve në Kosovë u është shtuar një platformë e re që do të raportojë dhe...