Duke u dhënë 30 ditë kohë për vetëlargim atyre që ende nuk janë identifikuar hapur si trangjinorë, Pentagoni ka nisur largimin e rreth 1,000 ushtarakëve të identifikuar.
Ky hap vjen pas vendimit të Gjykatës Supreme e cila i lejoi administratës Trump që të zbatojë ndalimin për anëtarë ushtarakë transgjinor. Sipas The Guardian, departamenti i Mbrojtjes ka thënë se duke shqyrtuar të dhënat mjekësore do të zbulojë edhe persona të tjerë brenda ushtrisë që nuk janë paraqitur hapur si transgjinorë.
Sipas zyrtarëve, që nga 9 dhjetori 2024 në detyrë aktive ka pasur mbi 4,000 trupa të diagnostikuar me disfori gjinore. Ndërkohë, në një deklaratë të dhënë, zëdhënësi i Pentagonit Sean Parnell ka treguar se 1,000 trupat që tashmë ishin vetëidentifikuar “do të fillojnë procesin e ndarjes vullnetare” nga ushtria.
Ky ishte veprimi më i fundit nga administrata Trump që synon anëtarët transgjinorë të ushtrisë dhe veteranët transgjinorë.
Kujtojmë se pas marrjes së detyrës, Trump lëshoi shumë urdhëra ekzekutivë të fokusuar te gjinia, ndërsa Departamenti i Çështjeve të Veteranëve (VA) filloi të merrte masa të ashpra ndaj kujdesit shëndetësor për veteranët LGBTQ+, duke filluar me shfuqizimin e direktivës 1341 të VA-së, duke hequr kështu gradualisht trajtimet për disforinë gjinore.