Sot ka ndërruar jetë trajneri legjendar kroat, Wiro Bllazheviq.
Ish-trajneri i Prishtinës u dorëzua pas një beteje të gjatë me kancerin.
Ai ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në spitalin e Zajçevës pasi gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua mbrëmë.
Ai do ta festonte nesër 88 vjetorin e lindjes, por nuk ia doli dot.
Bllazheviq ishte diagnostifikuar me kancer të prostatës në vitin 2011, por e luftoi këtë sëmundje të egër për 12 vjet, shkruan mediumi kroat “Index.hr”, pwrcjell “Gazeta Express”.
Sidoqoftë, në paraqitjen e tij të fundit në mes të dhjetorit të vitit që shkoi, kur e mori çmimin “Vladimir Beara” në Zagreb për kontributin e tij në zhvillimin e kulturës sportive dhe tolerancës sociale, trajneri legjendar e kishte paralajmëruar këtë ditë pasi ndihej i dorëzuar.
“Ju u mblodhët në numër të madh dhe ma bëtë një nder të madh. Por, ky është fjalimi im i fundit për publikun në një takim publik. Ka mbaruar. Jo më. Lamtumirë Qiro. Po i numëroj ditët e fundit, jam i vetëdijshëm për këtë”, kishte thënë Qiro.
“Jam shumë i sëmurë, është shumë e vështirë për mua. Kjo sëmundje e ndyrë më ka përfshirë. Këmbët nuk më mbajnë, kam dhimbje, nuk kam forcë. Është shumë e vështirë. Situata është e vështirë, ta them të drejtën. Kanceri është përhapur në të gjitha kockat e mia dhe në të keqen dhe më së shumti në vend të rrezikshëm – në mëlçi. Dhe, kjo do të shkatërrojë gjithçka dalëngadalë me siguri”, kishte shtuar Bllazheviq. /Gazeta Express/