Trajneri i ri i Bayer Leverkusenit, Erik ten Hag e ka “mërzitur” mesfushorin kosovar, Granit Xhaka, raporton mediumi gjerman “Sport Bild”, përcjell “Gazeta Express”.
Raportimet zbulojnë se ten Hag nuk e kishte kontaktuar Xhakën plot tri javë pasi e kishte marrë në dorë ekipin gjerman.
Trajneri holandez fillimisht kishte thënë se do t’ju japë hapësirë lojtarëve, por duket se kjo sjellje nuk i ka shkuar për shtati ekipit.
Javën e kaluar, ish-trajneri i Manchester Unitedit më në fund foli me Xhakën dhe ia bëri të qartë përfaqësuesit zviceran se e sheh atë si pjesë të rëndësishme të skuadrës së tij.
Sidoqoftë, lojtarët kryesorë të “Farmaceutikëve” si Jeremie Frimpong, Jonathan Tah e Florian Wirtz, bashkë me trajnerin Xabi Alonso, u larguan nga ish-kampioni i Gjermanisë.
Kjo ka qenë arsyeja se pse Xhaka ka vendosur të reflektojë sa i përket së ardhmes së tij.
Thuhet se Milani është mjaft i interesuar për 32-vjeçarin dhe raportimet nga Italia thonë se Xhaka tashmë e ka dhënë dritën e gjelbër të transferimit të tij në San Siro.
“Sport Bild” tash raporton se ylli kosovar dëshiron që dy klubet të arrijnë marrëveshje pasi ai tashmë e ka dhënë “aminin”.
Milani i kishte ofruar javën e kaluar 10 milionë euro, shumë kjo që i është dukur e pamjaftueshme Leverkusenit, i cili i kërkon së paku 15 milionë euro për kartonin e Xhakës.
Derisa Leverkuseni do të preferonte ta mbajë Xhakën, klubi gjerman është i vetëdijshëm se nuk mund ta mbajë lojtarin pa dëshirën e tij, duke e pasur parasysh se ai mund të ndikojë në atmosferën në dhomat e zhveshjes. /Gazeta Express