Trajneri i ri i Kosovës: Bashkërisht mund të jemi të suksesshëm në parakualifikimet e Botërorit - Gazeta Express
string(94) "trajneri-i-ri-i-kosoves-bashkerisht-mund-te-jemi-te-suksesshem-ne-parakualifikimet-e-boterorit"

Trajneri i ri i Kosovës: Bashkërisht mund të jemi të suksesshëm në parakualifikimet e Botërorit

Gazeta Express

14/02/2020 16:25

Christos Marmarinos do t’ju prijë “Dardanëve” në fazën parakualifikuese të Botërorit 2023, e cila fillon këtë muaj

Federata e Basketbollit të Kosovës e ka prezantuar sot përzgjedhësin e ri.

Lexo Edhe:

Christos Marmarinos do t’i prijë Përfaqësueses së Kosovës në fazën parakualifikuese të Botërorit 2023.

Trajneri grek ka nënshkruar kontratë trivjeçare, me mundësi vazhdimi për një periudhë edhe afatgjate.

Ai e shprehu entuziazmin e tij për fillimin e punës me “Dardanët”.

Christos beson se puna e përbashkët mund ta sjell suksesin për Verdhekaltrit.

“Për mua është kënaqësi ta filloj punën e re këtu. Ne do të mundohemi ta japim më të mirën nga vetja në çdo pozitë. Kështu do ta shikojmë çdo ndeshje. Ne do të mundohemi ta shfrytëzojmë çdo mundësi që na ofrohet. Bashkërisht mund të bëjmë gjëra të mira. Do të mundohem ta drejtoj këtë ekip sa më mirë, në mënyrë që të kemi suksese”, deklaroi Marmarinos.

Gjatë muajit shkurt, Kosova do të luajë me Islandën dhe Luksemburgun.

Dhe, trajneri grek shprehet optimist se Dardan Berisha me shokë do të dalin mirë nga këto duele.

“Islanda është një ekip mjaft i mirë, ekip fizik dhe me eksperiencë, është një ndeshje e vështirë. Do t’i kemi vetëm tri ditë përgatitje para lojës, nuk kemi shumë kohë. Duhet të komponohemi sa më mirë, ta japim maksimumin dhe më pas fitoret mund të vijnë”, shtoi ai.

Ndërkohë, drejtori i reprezentacionit, Granit Rugova e ka zbuluar listën e basketbollistëve të ftuar për ndeshjet e 20 dhe 23 shkurtit.

Ish-basketbollisti kosovar tregon se ndihmës të trajnerit të ri do të jenë Bujar Loci, Gyltekin Selimi e Dritëro Sefaj.

Rugova ndër të tjera njoftoi se përgatitjet e Përfaqësueses do të nisin më 17 shkurt. /Gazeta Express/