Trajneri i KB Dritës, Dritëro Sefaja për “Express”: Pas Kupës, synojmë rikthimin në Superligë - Gazeta Express
string(88) "trajneri-i-kb-drites-dritero-sefaja-per-express-pas-kupes-synojme-rikthimin-ne-superlige"

Basketboll

Blerian Dushica

16/02/2026 20:00

Trajneri i KB Dritës, Dritëro Sefaja për “Express”: Pas Kupës, synojmë rikthimin në Superligë

Basketboll

Blerian Dushica

16/02/2026 20:00

Gjatë natës së mbrëmshme në Prizren, KB Drita u shpall fituese e Kupës së Ligës së Parë.

Në finale, gjilanasit e mposhtën Proton Cable Prizrenin me shifrat 106 – 88.

Në këtë sukses për klubin bardhekaltër, padyshim që dorë të madhe pati edhe trajneri, Dritëro Sefaja.

Sefaja iu bashkua Dritës vetëm në fund të dhjetorit, dhe menjëherë i vendosi duart mbi një trofe.

Në një intervistë me Gazeta Express, Sefaja tregoi se çka e bindi t’i bashkohet klubit të Dritës.

“Vendosa t’i bashkohem Klubit të Basketbollit Drita në mes të sezonit, në fund të muajit dhjetor, sepse besova në projektin që klubi po e ndërtonte. Klubi po udhëhiqet nga një grup njerëzish serioz dhe të përkushtuar, andaj unë e pashë si një mundësi të mirë për të kontribuar në ekip”, tha ai fillimisht për “Express”.

Tutje, trajneri Sefaja tha për “Express” se kjo është një arritje e përbashkët, dhe se është nder për të që e udhëheq një klub si Drita.

“Kupën e fituam dje dhe normal që jam shumë i lumtur për këtë fitore, por njëkohësisht edhe i përulur ndaj këtij suksesi, sepse ka qenë arritje e përbashkët. Secili e ka dhanë maksimumin për këtë triumf. Krejt kanë lujt për ekipin – lojtarët, stafi, secili e ka jep kontributin e vet”, tha ai, kur foli për triumfin në Kupën e Ligës së Parë.

“Për klubin, ky është një sukses shumë i madh sepse u arrit si ekip. Në vitet e fundit nuk kanë pas suksese të mëdha, edhe qyteti me tifozë kanë pasë nevojë për pak shpresë dhe energji pozitive për të ardhmen e basketbollit në qytet. Për mu si trajner, është gjithmonë nder me shërby në njanin prej klubeve ma të vjetra në vend. Kështu që po, është një arritje e madhe për krejt neve”, shtoi Sefaja.

Kur u pyet se a e kishte pritur një sukses të tillë që në fillim të karrierës te Drita, ai tha se edhe pse kishte vështirësi dhe pak kohë në dispozicion, ai besoi në kualitetin e lojtarëve të tij.

“Duke e marrë parasysh që unë e mora ekipin në dorë në një kohë shumë të shkurtë, nuk ka qenë bash e lehtë. Kishim shumë lojtarë të rinj që vinin prej ekipeve të ndryshme, edhe unë si trajner vija prej një ambienti tjetër, kështu që na është dashtë me u përshtat shumë shpejt me njëri-tjetrin”, bëri me dije ai në vazhdim.

“Ka qenë sfiduese në kohë kaq të shkurt me i inkuadru të gjithë djemt me lujt në bazë të strategjisë së lojës, principeve dhe rregullave të cilat kom mendu se janë të duhura për ekipin tonë. Ekipi ka mjaft talent dhe personalisht kam besu që kemi kualitet me e fitu kupën, por konkurrenca ka qenë shumë e fortë. Kundërshtari në finale ka qenë shumë ekip i mirë dhe, me thanë të drejtën, edhe nëse ata do ta fitonin ndeshjen, nuk do të ishte befasi”, shtoi ai, duke lavdëruar edhe paraqitjen e kundërshtarit në finale.

“Prandaj, fitorja ka qenë e mundshme dhe e besueshme, por jo e garantume. Na gëzon shumë fakti që ia dolëm dhe shpresoj që ky sukses me na dhanë forcë dhe vetëbesim në vazhdimësi të kampionatit”, e mbylli ai, sa i përket suksesit të mbrëmshëm.

Me dhjetë ndeshje të zhvilluara të sezonit të rregullt, Drita është në vendin e shtatë në Ligën e Parë. Sefaja foli edhe për synimet e Dritës nga ky edicion dhe tha se “normalisht që çdo ekip e ka synim Superligën”.

“Sa i përket synimeve tona, aktualisht jemi në vendin e shtatë në Ligën e Parë të meshkujve prej nëntë ekipeve, ndërsa vetëm gjashtë ekipe shkojnë në ‘playoff’, kështu që objektivi ynë i parë është me hy në ‘playoff’”, tha ai në fillim, sa i përket kësaj teme.

“Si ekip mundohemi me e arrit këtë qëllim javë pas jave dhe me shku hap pas hapi drejt suksesit të radhës. Fokusin ma të madh e kemi gjithmonë te kundërshtari i ardhshëm dhe synimi është me e fitu secilën ndeshje një nga një. Normalisht, duam me u rendit sa ma lart në tabelë, që me pas ma shumë avantazh të fushës vendase gjatë ‘playoffit’. Secili ekip e ka synim Superligën, edhe na nuk jemi përjashtim. Nuk ka me qenë e lehtë, por përderisa vazhdojmë me u përshtat me sfidat që na dalin gjatë sezonit, besoj që kemi me qenë mirë”, shtoi ai.

“Që prej ditës së parë kemi pasë pengesa dhe jemi mundu vazhdimisht me u adaptu. Deri tash kemi bo punë të mira dhe nëse vazhdojmë me këtë qasje, besoj që fundi ka me qenë pozitiv për ne”, u shpreh ai.

Drita fatkeqësisht nuk ka mundësi të luajë në palestrën e qytetit të Gjilanit, “Bashkim Selishta – Petriti”, shkaku se është duke u rinovuar. Kështu, klubi gjilanas po detyrohet të zhvendoset nëpër qytete tjera.

Për këtë, foli edhe vetë Sefaja, i cili tha se kjo e bën punën edhe më të vështirë për ta.

“Normalisht që mungesa e palestrës tonë e bën punën ma të vështirë. Gjithçka do të ishte ma e lehtë nëse do t’i zhvillonim ndeshjet në shtëpi, para tifozëve tanë. Fatkeqësisht, palestra është në renovim, dhe kjo është një prej sfidave për të cilat kam folë edhe ma herët ku na është dashtë me u përshtat vazhdimisht me rrethana jo të lehta”, tha Sefaja.

“Çdo situatë që na del përpara mundohemi me e pranu dhe me nxjerrë maksimumin prej saj. Pa dyshim që do të ishte shumë ma lehtë me lujt para publikut tonë dhe me energjinë që na e japin tifozët e qytetit ‘Intelektualët’, sepse ky qytet e don basketbollin. Por derisa palestra të përfundojë, na mbetet me vazhdu me u adaptu dhe me i zhvillu ndeshjet në palestra të ndryshme”,  shtoi trajneri.

Për fund, Sefaja e dha edhe një mesazh për tifozët dhe qytetarët e Gjilanit.

“Sa i përket mesazhit për tifozët dhe qytetarët, ajo që mund të premtoj është që jemi tu dhanë maksimumin çdo ditë për me e kthy ekipin aty ku e ka vendin. Po punojmë fort si grup, me qëllim që ta rikthejmë KB Dritën në Superligë dhe me i sjellë përsëri gëzim dashamirësve të basketbollit në qytetin e Gjilanit. Jemi optimistë që në fund të sezonit, bashkë me tifozët tanë, kemi me arrit objektivin”, e mbylli Sefaja për “Express”.

Pas dhjetë ndeshjeve në Ligën e Parë këtë sezon, Drita ka katër fitore dhe gjashtë humbje./GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement