Trajneri i Irakut, Graham Arnold, i ka bërë një thirrje publike FIFA-s pasi situata në Lindjen e Mesme ka futur në kaos ndeshjen e tyre të ardhshme të “play-offit” për Kupën e Botës.
Iraku shpreson të kualifikohet në Botëror për herë të parë që nga viti 1986 dhe pritet të përballet me fituesin e ndeshjes mes Surinames dhe Bolivisë në një ndeshje të vetme në Monterrey më 31 mars.
Megjithatë, ekziston pasiguri e madhe rreth zhvillimit të ndeshjes për shkak të ngjarjeve të fundit në rajon, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli ndërmorën veprime ushtarake kundër Iranit, ndërsa ky i fundit u përgjigj me raketa të drejtuara ndaj bazave amerikane.
Qyteti irakian Erbil, ku ndodhet një bazë amerikane, është prekur nga situata.
Për shkak të masave të sigurisë, hapësira ajrore e Irakut pritet të rihapet vetëm më 1 prill – një ditë pas ndeshjes të “play-offit”.
Skuadra e Irakut përbëhet kryesisht nga lojtarë që luajnë në Irak, që do të thotë se ata, së bashku me pjesëtarë të rëndësishëm të stafit, nuk mund të udhëtojnë jashtë vendit. Kampi përgatitor i ekipit në Houston është anuluar.
Arnold, i cili ka drejtuar dy herë Australinë dhe e çoi atë në Kupën e Botës 2022 në Katar, i ka kërkuar FIFA-s të rishikojë orarin.
Për shkak të problemeve me vizat për lojtarët dhe stafin, ai po kërkon që organi drejtues i futbollit ta shtyjë “play-offin” deri një javë para Kupës së Botës në qershor dhe ta zhvillojë atë në Shtetet e Bashkuara.
Ai beson se kjo zgjidhje funksionon edhe nëse Irani tërhiqet nga turneu, çka do t’i jepte Irakut vendin e drejtpërdrejtë si skuadra me renditjen më të lartë, ndërsa Shtetet e Bashkuara Arabe do të hynin në “play-off”.
“Ju lutem na ndihmoni me këtë ndeshje, sepse tani po kemi vështirësi t’i nxjerrim lojtarët tanë nga Iraku,” tha Arnold, i cili ndodhet i bllokuar në Dubai.
“Sipas mendimit tim, nëse FIFA e shtyn ndeshjen, kjo na jep kohë të përgatitemi si duhet. Le të luajë Bolivia me Suriname këtë muaj, dhe pastaj një javë para Kupës së Botës ne të përballemi me fituesin në SHBA – fituesi qëndron për turneun dhe humbësi kthehet në shtëpi.
Po ashtu kjo i jep FIFA-s më shumë kohë të vendosë se çfarë do të bëjë Irani. Nëse Irani tërhiqet, ne shkojmë direkt në Kupën e Botës dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, që ne i kemi mundur në kualifikuese, marrin mundësinë të përgatiten për Bolivinë ose Surinamen.”
Sipas raportimeve të “The Guardian”, FIFA ka propozuar edhe një zgjidhje tjetër që ndeshja në Monterrey të zhvillohet sipas planit.
Thuhet se FIFA ka sugjeruar që lojtarët e Irakut të udhëtojnë me rrugë nga Bagdadi drejt Stambollit.
Ky udhëtim, që kalon nëpër zona që janë sulmuar nga dronët iranianë, zgjat rreth 25 orë.
Më pas skuadra do të fluturonte nga Stambolli drejt Meksikës.
Megjithatë, Arnold thuhet se i ka bërë të qartë Federatës së Futbollit të Irakut se nuk do t’i lejojë lojtarët të udhëtojnë për një periudhë kaq të gjatë në kushtet aktuale të sigurisë./GazetaExpress/