Trajneri i Interit, Cristian Chivu, ka një dilemë përzgjedhjeje në duar, pasi po mendon nëse duhet ta lërë në stol portierin Yann Sommer në favor të Josep Martinez.
Sipas asaj që raporton CalcioMercato, Chivu po e konsideron seriozisht një ndryshim, pasi Sommer pësoi katër gola nga katër goditje në portë kundër Juventusit të shtunën mbrëma.
Raportet theksojnë se te Interi nuk ka më lojtarë të “paprekshëm”.
Në Derby d’Italia, Federico Dimarco e nisi ndeshjen nga stoli, ndërsa Lautaro Martinez luajti vetëm 45 minuta dhe Nicolo Barella u zëvendësua gjithashtu.
Prandaj, Chivu mund ta marrë seriozisht në konsideratë dhënien e një mundësie Josep Martinez-it në portë, në vend të Sommer-it.
Interi do të përballet me Ajax-in në Amsterdam këtë mesjavë, ndërsa zikaltërit kërkojnë të rikuperohen pas humbjes në finalen e vitit të kaluar ndaj PSG-së, në hapjen e këtij edicioni të Ligës së Kampionëve.
Martinez u transferua nga Genoa vitin e kaluar për një marrëveshje prej rreth 13.5 milionë euro plus 1.5 milionë në bonuse. Megjithatë, ai ka zhvilluar vetëm 10 ndeshje me Interin, me Sommer-in që ka mbrojtur rregullisht postin e titullarit.
Tani, Interi mund të fillojë gradualisht të përdorë më shumë portierin spanjoll. Kontrata e Sommer-it skadon verën e ardhshme dhe në moshën 36-vjeçare ai po vuan nga refleksët e zbehur, duke treguar shenjat e moshës./GazetaExpress/