Selektori i kombëtares së Shqipërisë U21, Alban Bushi ka folur pasi sot gjatë ditës e kishte publikuar edhe listën e lojtarëve të ftuar për ndeshjet e muajit nëntor.
Te Shqipëria U21, Bushi ka ftuar 23 lojtarë, për dy ndeshje që kuqezinjtë i zhvillojnë në kuadër të miqësoreve ndaj Moldavisë dhe Ukrainës.
Ndër të tjerash, Bushi ka folur edhe për prurjen e re, ish-lojtarin e Kosovës U21, Diar Vokrrin, për të cilin ka thënë fjalë të mëdha.
“Lista është pothuajse e njëjtë me ndeshjen e fundit ndaj San Marinos. Ka shumë pak ndryshime. Kemi dy mungesa shumë të rëndësishme si Zylyf Muça mbrojtës i djathtë dhe Enes Osmani mbrojtës i majtë, janë zëvendësuar nga Vokrri dhe disa të tjerë. Mendoj që Vokrri është një prurje shumë e rëndësishme e jona. Dua ta falënderoj që zgjodhi Shqipërinë. Është një lojtar shumë i mirë, mendoj që do na ndihmoj shumë”, tha selektori i kuqezinjëve të rinj.
Bushi foli edhe për ndeshjet e këtij muaji, duke vlerësuar dy kundërshtarët e kombëtares shqiptare.
“Për ne nuk ka ndeshje miqësore e kam thënë dhe më para. I marrim shumë seriozisht sepse janë ndeshje shumë të rëndësishme për ne, janë si ndeshje zyrtare, sepse na presin ekipe shumë të forta në Europian. I kemi vlerësuar maksimalisht. Ndeshjen e parë e kemi me Moldavinë, të dytën me Ukrainën. Moldavinë e dimë shumë mirë se si luan, sepse kemi luajtur para një viti në Tiranë. Një ndeshje kemi barazuar, dhe një ndeshje e kemi mundur. Por gjithsesi janë një ekip që janë zhvilluar së fundmi, ashtu si ne. Ndeshja me Ukrainën është krejt tjetër. Një ndeshje e nivelit shumë të lartë. Ekipi i Ukrainës ka bërë mirë në vitet e fundit. E kemi ndeshjen në “Elbasan Arena” dhe mendoj që duhet të bëjmë maksimumin, për të dhënë gjithçka se çfarë ne kemi për të treguar se sa jemi përmirësuar dhe për të parë përpara”, tha ai./GazetaExpress/