Të 242 personat në bord të një avioni të Air India humbën jetën më 12 qershor 2025, pas rrëzimit dhe përplasjes së avionit pak minuta pas ngritjes.
Avioni me destinacion Londrën, është tragjedia më e fundit që i shtohet një liste të gjatë të aksidenteve ajrore viteve të fundit. Më poshtë, sjellim një përmbledhje të Reuters mbi aksidentet më fatale në vite.
2025 – SHBA
Më shumë se 60 persona humbën jetën më 29 janar, kur një avion rajonal pasagjerësh i kompanisë American Airlines u përplas me një helikopter ushtarak Black Haëk dhe u rrëzua në lumin e ngrirë Potomac, pranë aeroportit Ronald Reagan në Washington.
2024 – Koreja e Jugut
Më 29 dhjetor, fluturimi ndërkombëtar i Jeju Air 7C2216 u rrëzua në aeroportin ndërkombëtar të Muan-it, duke lënë të vdekur 175 pasagjerë dhe 4 nga 6 anëtarët e ekuipazhit – aksidenti ajror më vdekjeprurës ndonjëherë në tokën koreanojugore.
2024 – Kazakistan
Më 25 dhjetor, një avion Embraer E190 i kompanisë Azerbaijan Airlines (fluturimi J2-8243) u rrëzua pasi u devijua nga Rusia në Kazakistan, duke shkaktuar vdekjen e 38 personave. Presidenti i Azerbajxhanit deklaroi se avioni ishte goditur aksidentalisht nga forcat ruse, por Moska nuk e ka konfirmuar këtë.
2024 – Japoni
Më 2 janar, një avion i Japan Airlines (Airbus A350) u përplas në pistën e aeroportit Haneda në Tokio me një avion më të vogël të Rojës Bregdetare. Të 379 pasagjerët në bordin e avionit të madh shpëtuan, ndërsa 5 nga 6 anëtarët e ekuipazhit të avionit më të vogël humbën jetën.
2022 – Kinë
Më 21 mars, një Boeing 737-800 i China Eastern Airlines u rrëzua në një zonë malore në Guangxi, duke vrarë të gjithë 132 personat në bord. Ky ishte aksidenti ajror më i rëndë në Kinë në 28 vitet e fundit.
2020 – Iran
Më 8 janar, Garda Revolucionare e Iranit rrëzoi një avion të Ukraine International Airlines me 176 persona në bord, pak pas ngritjes nga aeroporti i Teheranit. Hetimet treguan se shkaku ishte një radar i keqkalibruar dhe një gabim njerëzor nga mbrojtja ajrore.
2019 – Etiopi
Më 19 mars, një avion Boeing 737-MAX 8 i Ethiopian Airlines u rrëzua pak minuta pas ngritjes nga Addis Ababa drejt Nairobit, duke vrarë të 157 personat në bord. Ky aksident, së bashku me një tjetër në Indonezi më parë, çoi në pezullimin global të flotës Boeing 737 MAX.
2018 – Indonezi
Më 29 tetor, një avion Boeing 737 MAX i kompanisë Lion Air u rrëzua në Detin e Javas pas ngritjes nga Xhakarta, duke shkaktuar vdekjen e 189 personave.
2014 – Malajzi
Më 17 korrik, fluturimi MH17 i Malaysia Airlines u qëllua mbi Ukrainën lindore gjatë një konflikti të armatosur. Të 298 personat në bord humbën jetën.
Më 8 mars të po atij viti, fluturimi MH370 i Malaysia Airlines u zhduk pa lënë gjurmë gjatë rrugës nga Kuala Lumpur drejt Pekinit me 239 persona në bord — mbetjet e avionit nuk janë gjetur ende.
Këto ngjarje kanë lënë pasoja të thella në industrinë ajrore globale dhe kanë shtuar thirrjet për rritjen e sigurisë dhe transparencës në sektorin e aviacionit.