Një ngjarje tragjike ndodhi në majac të Podujevës, ku dy gra u plagosën nga arma e zjarrit. Megjithatë, njëra nga të plagosurat nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të marra.
Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) njofton se pacienteja e lindur në vitin 1953 ndërroi jetë në orën 03:00 pas mesnate, ndërsa gjendja e pacientes tjetër mbetet shumë e rëndë dhe po trajtohet intensivisht.
“Në orët e vona të mbrëmjes, Qendra Emergjente e QKUK-së pranoi dy paciente femra, njëra e lindur në vitin 1953 dhe tjetra në vitin 1995, të sjella me autoambulancë nga Podujeva pas plagëve nga arma e zjarrit”, thuhet në njoftim.
Të dyja pacientet u pranuan në gjendje shumë të rëndë dhe jo stabile, duke u intubuar me frymëmarrje të asistuar dhe duke iu nënshtruar ekzaminimeve emergjente.
Njëra paciente u dërgua në sallën operative, ku ekipet e Neurokirurgjisë dhe Anestezionit vazhdojnë trajtimin intensiv.
“Megjithë përpjekjet maksimale të stafit mjekësor, pacienteja e lindur në vitin 1953 ndërroi jetë në orën 03:00 pas mesnate”, njofton QKUK.
Gjendja e pacientes së dytë mbetet kritike, dhe ajo po trajtohet intensivisht nën kujdes të vazhdueshëm mjekësor.