Tragjedia në Lagjen Mati 1: Familjet po i japin besë njëra – tjetrës me ndërmjetësimin e hoxhallarëve


Gentiana Hasani
14 Janar 2020 16:56

Rreth nëntëdhjetë ditë kanë vendosur që t’i japin besë njëra-tjetrës anëtarët e familjeve Mehmeti dhe Rafuna, pjesëtarët e të cilëve në shtatorin e vitit që shkoi u vranë mes vete. Por besa e dhënë nga ta përfundon vetëm pas 10 ditëve.  Hoxha që po ndërmjetëson për pajtimin e këtyre dy familjeve, Fatmir Latifaj, ka dhënë detaje të reja për nismën e tij për pajtim rreth këtij rasti.

Gentiana HASANI

Në shtatorin e vitit që e lamë pas, kryeqyteti u trondit nga një vrasje që ndodhi në pikë të ditës në Prishtinë.  Pjesëtarët e familjes Rafuna e asaj Mehmeti – fqinj me njëri-tjetrin, u përfshinë në një përleshje me armë zjarri. Nga gjuajtjet, tre anëtarët e kësaj familje mbetën të vdekur si dhe dy të tjerë u plagosën-njëri nga ta më rëndë.

E gjithë ngjarja dyshohet se u bë për një copë betoni, ajo, nga e cila nisi konflikti i cili përfundoi më pas me tri viktima.

Por, disa muaj pas këtij rasti të rëndë, familjet e viktimave kanë vendosur që t’i japin besë njëra-tjetrës.

Nga nëntori i vitit të kaluar, me kërkesën e imamit të Mitrovicës, hoxhë Fatmir Latifajt, familja Rafuna e ajo Mehmeti janë pajtuar që t’i lenë mospajtimet me njëra-tjetrën të paktën tre muaj, deri në fundin e janarit të këtij viti.

Vendi ku u krye vrasja-rruga Muhaerrem Fejza-Prishtinë

Në një prononcim për Gazetën Express, Latifaj, ka deklaruar se familjet e kanë mirëpritur propozimin e tij për besë.

“Tre muaj ditë besë kanë vendosur familjet që t’i japin njëra-tjetrës. Deri në fund të muajit janar do të zgjasë besa për të cilën ata janë marrë vesh. Unë në nëntorin e vitit të kaluar kam propozuar që këto dy familje të besatohen”, ka deklaruar Latifaj për Express.

Por, hoxha ka deklaruar se familjeve ua ka dhënë edhe një propozim tjetër. Atë që t’i shesin pronat dhe të largohen nga fqinjësia me njëra-tjetrën.

“Ne kemi kërkuar nga familjet që t’i ofrojnë marrëveshje, besë- mirëkuptimi ndaj njëra-tjetrës. Unë kam propozua që edhe pronat t’i shesin dhe të dalin nga aty.  Por për këtë propozim kam hasur në hezitim nga ana e familjes. Por unë sërish iu luta atyre që të mendojnë seriozisht mbi propozimin tim”, ka deklaruar tutje për Express, hoxha i cili ka marrë përsipër misionin për pajtimin e këtyre dy familjeve.

Por, familja Mehmeti e ajo Rafuna, besë kanë dhënë vetëm deri në fundin e këtij janari. Hoxha thotë se sërish do të kërkojë edhe tre muaj të tjerë bese ndaj këtyre dy familjeve.

“Unë i kamë thanë që dua t’i ofrojmë marrëveshje brenda tre muajve që ta mendojnë propozimin. Sërish pas disa ditëve do të shkojmë tek familjet edhe të kërkojmë sërish besë dhe familje të gjakut”, deklaron tutje hoxha nga Mitrovica.

E ndërkohë si pasojë e përleshjes në shtatorin e vitit që e lamë pas, ndërruan jetë në vendin e ngjarjes Bashkim Mehmeti e Mefail Rafuna. Gazeta Express, ka raportuar në vazhdimësi rreth këtij rasti.

Hoxha Fatmir Latifaj në vendin ku ndodhi vrasja

Si pasojë, e gjithë  tragjedia në mes të familjes Mehmeti dhe Rafuna dyshohet se kishte nisur për një pjesë betoni, jo më të madhe se 1 metër katror. Këto dy familje për vite me radhë kishin qenë në fqinjësi të mirë. Por, para disa muajve, familjet ia dhanë pronën, në këmbim të disa banesave e lokaleve, një kompanie private. Mosmarrëveshjet nisën ditëve të fundit të korrikut të 2019’’tës e përfunduan shtator  me një ngjarje e cila ka tmerruar gjithë Kosovën.

FOTO: Dy nga viktimat

Procesi gjyqësor rreth këtij rasti është duke vazhduar. Gjykata Themelore e Prishtinës gjatë javëve në vijim pritet që të mbajë procesin dhe të japë verdiktin./GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart