Policia në qytetin Graz të Austrisë ka bërë të ditur se në banesën e të dyshuarit për sulmin vdekjeprurës në një shkollë të mesme janë gjetur plane për një sulm me bombë, si dhe një bombë artizanale e papërdorshme, një letër dhe një video lamtumirëse, raporton BBC.
Kujtojmë se në sulmin që ndodhi të martën në shkollën e mesme Dreierschützengasse, humbën jetën 10 persona, përfshirë një vajzë nga Kosova – në atë që konsiderohet si sulmi më vdekjeprurës në historinë e afërt të Austrisë.
Ndërkohë, autori i dyshuar, një 21-vjeçar që kishte qenë më parë nxënës i shkollës, sipas autoriteteve, i ka dhënë fund jetës në tualetin e shkollës, menjëherë pas sulmit. Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë një motiv zyrtar për veprimin e tij.
Sulmi la të plagosur edhe 11 persona të tjerë, ndërsa në nderim të viktimave Austria ka shpallur tre ditë zie kombëtare me flamurin austriak që është ulur në gjysmë shtize në të gjitha institucionet publike.